I ngrirë prej disa vitesh me vendim të Këshillit të Ministrave, pasi konsiderohet si zonë arkeologjike, procesi i legalizimit do të vijojë pjesërisht edhe në zonën B të qytetit të Durrësit. Janë rreth 1 mijë objekte (shtesa) të ngritura mbi objektet ekzistuese në zonën B të qytetit, për të cilat është hapur drita jeshile, pasi nuk cënojnë natyrën e zonifikimit.
Drejtori i ALUIZN-it Durrës, Flamur Gjuzi sqaron se në bashkëpunim me Drejtorinë Qendrore po lobohet fort që të shikohet mundësia e zhbllokimit total të zonave A dhe B. Në këto zona janë dhjetë mijë objekte pa leje, për të cilat ky proces ka ngrirë.
‘Janë gati 1 mijë dosje që zhbllokohen, të cilat nuk ka nevojë të trajtohen nga agjencia e shërbimit Arkeologjik, por menjëherë kualifikohen, pasi janë shtesa në lartësinë e objektit ekzistues” – deklaroi Gjuzi.
Në këtë situatë ALUZNI në qytetin e Durrësit procedon pa pengesa të natyrës së zonifikimit arkeologjik vetëm në lagjet 13, 14, 15 dhe ish-Kënetë, ndërsa në 15 lagjet e tjera të qytetit që përfshijnë zonën A dhe B, procesi i legalizimit mbetet i bllokuar me një vendim të kahershëm qeverie. Shkak i bllokimit të procesit të legalizimit brenda në Durrës, është klasifikimi i bërë nga Instituti i Arkeologjisë, zonave të qytetit.
ma.me