Shteti “godet” për herë të dytë makinat e luksit, që qarkullojnë me shumicë në vendin tonë. Në Paketën Fiskale, që po diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë, parashikohen një serë ndryshimesh, që lidhen me taksimin më të rëndë se sa deri tani të këtyre kategorive të automjeteve.
Kështu, në projektligjin e taksave kombëtare propozohet rishikimi i kushteve për përcaktimin e makinave të luksit, lidhur me vlerën ose çmimin e tyre. Kjo, duke e ndryshuar atë në ulje, nga 7.000.000 lekë, në 5.000.000 lekë. Aktualisht, përcaktohet se konsiderohet “makinë luksi” autovetura deri në 4 pasagjerë +1 shofer, e cila plotëson, të paktën, njërin nga kushtet e mëposhtme: cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3.000 cm3, ose vlerën apo çmimin të barabartë ose më shumë se 7.000.000 lekë të reja.
Në këtë mënyrë, për ato makina që janë më të shtrenjta se 36 mijë euro do të duhet të paguhet një taksë shtesë, qëuhët “taksë e përvitshme për automjete luksoze”. Deri tani, konsideroheshin të tilla ato, që ishin mbi 51 mijë euro.
Ndërkohë, janë propozuar disa ndryshime tek përjashtimet e automjeteve nga taksat. Këto lidhen me përfshirjen në kategorinë e mjeteve të përjashtuara nga taksa vjetore të mjeteve të përdorura dhe nga taksa e përvitshme dhe e regjistrimit të mjeteve luksoze, të mjeteve të djegura e të shkatërruara nga aksidentet, të cilat janë të vërtetuara si të tilla nga organet e Prokurorisë.
Ky propozim vjen në analogji edhe me përjashtimet që, aktualisht, ligji parashikon për mjetet e vjedhura.
Po kështu, propozohen ndryshime për automjetet deri në 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2.500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale e jo për veprimtari private. Me ligjin aktual përjashtohen nga taksa në mënyrë eksplicite automjetet tip 4+1. Ndërkohë, me propozimin e ri synohet të përjashtohen edhe ato mjete, të cilat janë edhe më të vogla se 4+1, duke qenë se kategoritë e invalidëve mund të kenë në përdorim mjete jot a zakonshme, të përshtatura për kategorinë e tyre.
Një ndryshim tjetër ka të bëjë me taksimin e biokarburanteve, që tregtohen të përziera me naftë apo benzinë. Me këtë, synohet që taksa e qarkullimit dhe e karbonit të aplikohet për biokarburantin, në rast se ai përmban gasoil apo benzinë, përsa kohë është një produkt për përdorimin në transport, pra, ashtu sikurse benzina dhe gazoili, dhe duhet të taksohet për përmbajtjen e gazoilit ose të benzinës në biokarburant.
Ligji aktual parashikon nivel të taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin në masën 27 lekë/litër. Me propozimet që paraqiten për miratim në Kuvend, tani synohet të përcaktohet se kjo taksë paguhet për sasinë e benzinës dhe të gazoilit të importuar apo të prodhuar në vend, me përjashtim të sasisë së benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë.
Një ndryshim tjetër ka të bëjë me atë, që përjashtimi nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për anijet e peshkimit të jepet nëpërmjet rimbursimit të taksës së paguar më parë. Për përgatitjen e akteve dhe aplikimin e ndryshimit nga përjashtim në rimbursim është parashikuar që procedurat e reja të fillojnë të aplikohen nga data 1 korrik 2017. Deri në këtë moment do të vazhdojë të aplikohet skema aktuale me përjashtimin./Shqiptarja/a.m.