Protesta e ashtuquajtur paqësore dhe e pavarur ndaj Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, pasditen e sotme, duket se ka prapavijë politike. E kush do të ishte tjetër pas kësaj veçse Partia Demokratike, me në krye ish-liderin Sali Berisha.
Kjo pasi ishte Berisha i pari që këtë të enjte shpërndau videon ku tregohet studentja Mirela Ruko, duke hedhur salcë ndaj ministres Nikolla. Madje në postimin e tij Berisha e vlerësonte këtë akt vandal me superlativa, siç vlerësonte një nga ato protestat e PD-së ku në rrugë nuk numëroheshin më shumë se disa qindra simpatizantë të opozitës. Por në atë kohë për ish-liderin ishin miliona.
Por Berisha ishte vetëm fillimi. Menjëherë pas shpërndarjes së videos prej tij nisën edhe persona të tjerë pranë selisë blu me të njëjtin qëndrim dhe duke e shpërndarë videon në të njëjtën kohë me të.
Rastësi apo jo, por duket sikur e prisnin që do të dilte. I tillë është edhe Indrit Hoxha. Ky i fundit është komunisti i ri pranë Partisë Demokratike me detyrën patriotike të sekretarit, gjë të cilën e tregon me krenari në rrjetet sociale.
Dhe me kaq krenari, ka shpërndarë edhe videon e incidentit mes studentes dhe ministres, duke e cilësuar këtë akt si mosbindje civile. E çuditshmja është se sekretari i përbetuar e ka postuar videon në Facebook, pikërisht në të njëjtën kohë me idhullin e tij.
Të jetë kaq rastësi? Dy gjëra janë të sigurta: E para në vendin tonë, dhe mbi të gjitha brenda selisë së PD-së aktet e dhunshme nuk janë rastësi dhe kjo është treguar edhe me kohën.
GJITHASHTU LEXO: Reforma në drejtësi, PD përgatitet të dërgojë në Kushtetuese ligjin për qeverisjen e drejtësisë
Dhe e dyta, një person me bindje të forta komuniste si Berisha, e ka të vështirë të heqë dorë nga e kaluara e tij, aq sa ka vendosur të mbledhë rreth tij dhe të drejtojë edhe komunistët e rinj. Dhe për Berishën, vandalizmi dhe dhuna, janë rrugë paqësore.
Për ta mbyllur, studentët shqiptarë kanë treguar se dinë të bëjnë protesta paqësore. Mbi të gjitha vandalizmi, dhuna e poshtërimi nuk kanë qenë mënyrat që studentët kanë zgjedhur!
Por pse e bën të gjithë këtë Partia Demokratike? Çuditërisht, këto akte ndodhin në një kohë kur progres raporti është mëse pozitiv me rekomandimin për hapjen e negociatave, si kurrë më parë. Por e vetmja që e kundërshton është vetë selia blu. Në një kohë kur BE i kërkon me ngulm Shqipërisë reformën në drejtësi dhe ligjin e Vettingut. Por “rastësisht” është PD-ja që e kundërshton dhe e dërgon në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vettingut.
Mesa duket, e vetmja mënyrë e mbetur për opozitën, është krijimi i këtyre akteve vandale, me qëllim për të larguar vëmendjen e opinionit publik. Por koha kur Berisha hidhte gurët dhe fshihte duart është e shkuar shumë e largët! Sepse populli shqiptar tashmë është fryrë me këto mënyra komuniste të Berishës, dhe tashmë edhe të komunistëve të vegjël të tij. /Lexo.al/