Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Asamblesë Kombëtare të Francës, Elisabeth Guigou, me të cilën vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike, ekonomike e kulturore mes Shqipërisë dhe Francës.
Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Shqipërisë dhe rikonfirmoi angazhimin për forcimin e dimensionit evropian, frankofon dhe mesdhetar në rajonin tonë.
Duke e falënderuar znj. Gigou për mbështetjen e të dy dhomave të Parlamentit të Francës në integrimin evropian të Shqipërisë, Meta u shpreh se Shqipëria mbështetet tek përkrahja e Francës në fazat e ardhshme të procesit të integrimit, veçanërisht në hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, Meta theksoi se Shqipëria do të avancojë me zbatimin e reformës kyçe në sistemin e drejtësisë dhe do të punojë fort për përmbushjen e të gjithë prioriteteve, duke vënë në dukje se Kuvendi po punon për reflektimin e rekomandimeve të progres raportit të fundit të Komisionit Evropian në Planin e Veprimit, veçanërisht për të rritur rolin mbikëqyrës dhe transparencën e aktivitetit parlamentar.
Nga ana e saj, Guigou shprehu vlerësimin për arritjet e Shqipërisë sidomos në reformën e drejtësisë dhe çmoi miratimin me konsensus si një arritje e një shembull që duhet ndjekur edhe në miratimin e reformave me rëndësi kombëtare.
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm të Asamblesë Kombëtare të Francës siguroi mbështetjen e Francës edhe në të ardhmen për rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë në familjen e Evropiane, vend të cilës Shqipëria i përket.
Në përfundim, Meta dhe Guigou diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen se Shqipëria ka një peshë të veçantë për mbarëvajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale, e cila lidhet ngushtë me sigurinë e gjithë kontinentit.
BW/d.i.