Nga Ben Andoni
Kompania e përbotshme amerikane “Patagonia” i kthehet Evropës në përkrahje të njërës nga çështjet e saj më të nxehta ambjentaliste: ndalimin e ndërtimit të digave mbi lumin Vjosa. Chris Teig, një nga drejtuesit e saj të teknikës dhe një ekip i tërë artistësh të grafikës së Patagonia-s, ishin në Shqipëri dhe kanë parë në terren çështjen e Vjosës, që lidhet me ndërtimin e digave mbi të.
Për ata që se dinë, Patagonia është një brend ndërkombëtar me degë në të gjithë botën, që prodhon pajisje të ndryshme dhe veshje outdoor për aktivitetet e terrenit dhe ato ekstreme, e që prej vitesh ka marrë si atribut edhe mbrojtjen e mjedisit. Kjo e bën diferencën tashmë dhe konsiderohet gati si shoqatë ndërkombëtare mjedisi. Teig shpjegon për Javanews se Patagonia, në një historitë e tyre të muajve të fundit ambjentaliste, e ngriti si shqetësim ndërkombëtar ndërtimin e digave mbi lumenjtë e Gadishullit Ballkanik dhe numrin absurd të projekteve të tyre (plot 2,700 syresh).
Pak javë më parë, një grup tjetër i tyre me shumë aktivistë, ku shquhej kajakisti Rok Rozman (tashmë një nga ambasadorët e fushatës së mbrojtjes së Vjosës) pjesëtar i Leeway Collective, e një grup kajakistësh sllovenë, mbështetën punën e nisur prej muajsh nga Eco Albania. Kjo e fundit ka bërë deri më tani një përpjekje të jashtëzakonshme për sensibilizimin e ndërtimeve mbi lumin Vjosa. Sensibilizimi, që po bëhet prej kohësh, ka filluar me takime të shumta në terren dhe në vende ku komuniteti shqiptar preket direkt nga ndërtimet e digave mbi Vjosë, por është derdhur edhe shumë energji në takime me zyrtarë, duke shpjeguar rëndësinë e ngritjes së një Parku. Shoqëria Civile shqiptare dhe partnerët e saj të huaj mbrojnë idenë e Parkut Kombëtar përgjatë luginës së lumit dhe për këtë fushata e tyre është asistuar nga “River Watch”, pasi shkon edhe me fushatën evropiane të “Save the Blue Heart”.
Të asistuar nga Eco Albania, shumë subjekte në Evropë dhe tashmë edhe me Patagonia-n në Amerikë, e kanë futur në planet e saj mbrojtjen e lumit të fundit të egër, kurse “Save the Heart Blue” ka ndihur përmes granteve dhe përpjekjeve të komunikimit gjatë vitit të kaluar.
Kjo është hera e dytë që ekipi i Patagonia vjen vetë në terren me aplikimin e sporteve ekstreme për ta bërë sa më të njohur çështjen e Vjosës. Së bashku me grupin e kajakistëve të Rozman puna e tyre arriti kulmin me një protestë në pragun e Kryeministrit shqiptar.
Misioni i Patagonia-s përshtatet më së miri edhe me qëllimin e saj kryesor: Për të ndërtuar produktin më të mirë, që të mos shkaktojë asnjë dëm të panevojshëm, e përdorim të biznesit për të frymëzuar dhe zbatuar zgjidhje për të kaluar Krizat e mjedisit.
Është interesante të ndash përshtypjet me ta, për kauzën dhe mbi të gjitha sesi e lidhin me punën e tyre. Në një dukje të jashtme, puna e tyre e grafikës s’ka asnjë lidhje, porse në thellësi ata e ndjejnë atë si objekt të asaj që aspirojnë për njerëzit e mjedisit kudo në botë, që janë klientët e tyre. Dhe, vetë Patagonia është kthyer në një subjekt ndërkombëtar që po lufton hapur për çështjet e mjedisit. “Ne vërtetë po mbështesim kauzën e Vjosës, por kemi dhe një sërë misionesh përreth botës, ku një pjese e madhe janë në vetë Amerikën”, shprehet Creig për Javanews.
Patagonia, shpjegojnë njerëzit e saj, është thellësisht e përkushtuar për përkrahjen e aktivizimit baze si një mjet për t’i shtyrë politikëbërësit si edhe qeverinë e tyre për të vepruar në dobi të komunitetit. Pas zgjedhjes së Trump, Patagonia, megjithëse ishte pozicionuar kundër, iu drejtua kombit me fjalët: të gjejmë mundësi për të shëruar kombin në mënyrë që të ngrihet mbi retorikën e shëmtuar të fushatës. Ne duhet të zotohemi për ta kthyer çështjen e klimës si një thirrje për bashkim e për t’i sjellë njerëzit së bashku-diçka që dëshpërimisht është e nevojshme në ditët tona. Klimë që sot është në ndryshim ndikon amerikanët e çdo shtrese politike, e në çdo pjesë të vendit. Uraganet dhe sëmundjet nuk do të kalojnë vetëm mbi një zonë. Ka shumë më tepër gjëra këtu që na bashkojnë sesa na ndajnë”, ishin pak a shumë fjalët e tyre.
Çështja e lumit Vjosa tashmë është bërë një çështje ndërkombëtare dhe pas ndërgjegjësimit të mediave ndërkombëtare më në zë, por më pas edhe të Parlamentit Evropian mbi rëndësinë e lumit, si i fundit i egër në Evropë. Kauza mori mbështetje edhe nga 228 shkencëtarë të shquar nga e gjithë bota, që me një memorandum të përbashkët, kërkuan ndaj Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të mbronte Vjosën dhe të ndalonte ndërtimin e hidrocentraleve, të paktën në tre vitet e ardhshme.
Sipas llogarive të tyre duhej bërë një vlerësim i duhur i Ndikimit në Mjedis në këtë lumë, i cili ndodhet në një gjendje pothuajse tërësisht të paprekur. Në një farë mënyre, kërkesa e tyre shkoi edhe me pikën 23 të rezolutës së Komisionit të Zgjerimit, e cila u miratuar në Bruksel muaj më parë, ku Parlamenti Europian i bën thirrje qeverisë shqiptare të “kontrollojë zhvillim e hidrocentraleve në zona të ndjeshme mjedisore si lumi i Vjosës si dhe në zona të mbrojtura për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese.”
Bashkimi në kauzë edhe i Patagonia e ngjit në një stad shumë më interesant kauzën e Vjosës, paçka se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërtojë atje. (Javanews)