Ajo është një nga këngëtaret më të suksesshme, aktore, dizajnere mode dhe një nga yjet me më shumë lidhje dhe ndikim në botë.
Tashmë do jetë pjesë e jurisë së X Factor në Britani.
Rita Ora vazhdon të tërheqë vëmendjen e medias britanike, ndërsa Daily Mail i ka kushtuar një reportazh historisë së jetës së saj.
Sipas gazetës, ajo suksesin ia dedikon edhe katër anëtarëve të familjes së saj, mamasë Vera, babait Besnik, vëllait Don dhe motrës Elena.
Duke folur për Evening Standard, Rita Ora kujton: “Ne jetonim në Earls Court. Një dhomë për të gjithë ne. Motra më bezdiste pasi përsëriste mësimet me zë, kurse unë doja të flija”.
Vëllai i saj lindi në vitin 1998 dhe familja u zhvendos në Kensal Rise, ku babai bleu një pub të quajtur Queen’s Arms.
Nëna e saj, Vera, studionte mjekësi gjatë ditës dhe natën punonte si kamariere, raporton media kosovare Express.
Tani ajo punon si psikiatre.
Rita më vonë ndoqi shkollën e njohur “Sylvia Young Theatre School”.
Hapat e parë në muzikë i nisi kur këndonte në pub-in e babait.
Në atë kohë, kur ishte 15 vjeç, mamaja u prek nga kanceri në gji.
Rita e la shkollën për t’u kujdesur për nënën, e cila e mori veten plotësisht.
Pas disa provave, shansi i doli.
Kjo falë një ylli të muzikës hip hop, Jay Z.
Menaxherja e saj, Sarah Stennet, që ka çuar përpara karrierën e Ellie Goulding, Jessie J dhe Conor Maynard, e prezantoi me këngëtarin.
Brenda 48 orësh ajo nënshkroi një kontratë me shtëpinë e tij diskografike.
Rita u ‘fsheh’ në një studio dhe regjistroi këngën e saj të parë, hitin R.I.P me Tinie Tempah, që menjëherë u bë numri një.
Motra e saj është pjesa e Team Ora dhe e ndjek nga pas në turnetë botërorë.
Rita është besnike edhe ndaj mamasë, të cilën e mori edhe në Glamour Woman Of The Year.
Perandoria e saj zgjerohet vazhdimisht dhe tani ajo është një yll edhe në botën e modës.
Aktualisht ka shtëpi në Britani, SHBA dhe në Kosovë.
E pyetur për suksesin e saj, ajo thotë: “Duhet të kesh këshilltarë të mirë. Unë kam njerëz shumë të mirë. Motra dhe familja imë mbikëqyrin të gjithë gjërat. Është si një perandori e vogël e mirë. Po përpiqem të krijoj diçka, që familja ime të jetë mirë”./ Mapo.al/
Rita dhe mamaja e saj, Vera
Rita dhe motra, Elena
Rita dhe vëllai, Don
Besniku, babai i Ritës