Autoritetet gjermane janë tejet të shqetësuara se Rusia mund të kërkojë të ndërhyjë në zgjedhjet nacionale të Gjermanisë, vitin e ardhshëm, duke iu bërë jehonë kështu shqetësimeve të ngritura nga homologët e tyre në Shtetet e Bashkuara.
Hans-Georg Maassen, shef i Agjencisë Gjermane të Inteligjencës (BfV), citoi një rast të profilit të lartë nga viti i kaluar i një gruaje të re ruse nga Berlini, për të cilën mediat ruse patën thënë se ishte rrëmbyer dhe përdhunuar nga emigrantët, një pohim ky që më vonë u përgënjeshtrua nga qeveria gjermane, transmeton Express.
“Kjo mund të ndodhë përsëri vitin tjetër dhe për këtë jemi të alarmuar,” ka thënë Maassen për Reuters.
“Kemi përshtypjen se kjo është pjesë e një kërcënimi hibrid që kërkon të ndikojë në opinionin publik dhe proceset vendimmarrëse,” ka shtuar ai.
ma.me