Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot një financim prej 71 milionë dollarësh për Projektin e Menaxhimit të Integruar Urban dhe Turizmit në Shqipëri. Ky projekt do të ndihmojë në hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave dhe do të mbështesë zhvillimin e ekonomisë lokale në zona të përcaktuara në jugun të Shqipërisë, i njohur si destinancioni kryesor turistik me potencial të jashtëzakonshëm për rritjen ekonomike. Projekti synon të përmirësojë infrastrukturën urbane, të shtojë vlerën e aseteve turistike, si dhe të forcojë kapacitetet e institucioneve për të mbështetur turizmin në nivel lokal.
Përmes lidhjes me sektorë të tjerë, turizmi kontribon me një të pestën në aktivitetin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në vend, ndërkohë që pesha e tij direkte në Prodhimin e Brendshëm Bruto ishte 5.9 përqind në 2014. Aktualisht turizmi mbështet 50.000 vende pune – një numër që pritet të rritet në 200.000 në 2025. Megjithatë, infrastruktura urbane e papërshtatshme, mungesa e koordinimit të tregjeve lokale dhe rajonale dhe sezonaliteti i shkurtër i aktivitetit turistik përbëjnë sfida serioze.
“Ky projekt do të ruajë burimet e mrekullueshme natyrore të Shqipërisë dhe pasurinë e saj të çmuar kulturore duke e bërë turizmin më konkurrues,” tha Tahseen Sayed, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Ky projekt do të krijojë vende të reja pune për shqiptarët dhe do të nxisë rritjen ekonomike lokale duke mbështetur rigjenerimin urban dhe turizmin e qendrueshëm”.
Projekti do të përfitojë nga eksperienca dhe ekspertiza globale e Bankës për të mbështetur katër qendra turistike në Jug të Shqipërisë. Këto zona përfshijnë dy qendra të trashëgimisë kulturore të mbrojtura nga UNESCO – Gjirokastrën dhe Beratin, Sarandën (si portë hyrëse e turizmit për rajonin jugor, dhe Butrintin, qendrën e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO) dhe Përmetin, i cili lidh rrjetin e turizmit të Shqipërisë së Jugut me zemrën e Ballkanit. Projekti shtrihet në një zonë të populluar nga 84.000 banorë ndërkohë që Jugu i Shqipërisë llogaritet të vizitohet nga 300.000 turistë në vit. Aktivitetet e projektit do të përfshijnë përmirësime urbane dhe infrastrukturore, restaurim të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e produkteve dhe tregut turistik.
“Investimet e projektit do t’i bëjnë më tërheqëse këto katër bashki për vizitorët dhe investitorët privatë, si dhe do të rrisin mundësitë e njerëzve për të gjeneruar të ardhura. Përfituesit kryesorë janë banorët e këtyre bashkive dhe turistët, të cilët do të përfitojnë në mënyrë direkte nga shërbimet e përmirësuara të infrastrukturës urbane dhe ato turistike,” thanë Paula Restrepo dhe Shaun Mann, Drejtues të projektit të Bankës Botërore. “I gjithë vendi do të përfitojë nga shpenzimet në rritje për turizmin, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritja e kapaciteteve institucionale të qeverisjes lokale dhe agjencive të tjera.”
Bashkitë janë përfshirë në përgatitjen e projektit dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në zbatimin e tij duke mbajtur një angazhim të vazhdueshëm me qytetarët.
Që kur Shqipëria u bë pjesë e Bankës Botërore më 1991, vendi ka përfituar 88 projekte me një vlerë prej 2.5 miliardë dollarësh amerikanë në formën e kredive dhe granteve nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe huave nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.
Me. Ar
lajm shume optimist per turizmin ka nevoje per ndihme dhe investime te mira per tu permiresuar edhe me tej per terheqjen e klienteles se huaj te ardhura qe ndikojne ne ekonomi