Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi ka qenë sonte i ftuari i gazetarit Enkel Demi në emisionin “Shih Programin”, në Televizionin Shqiptar. Ai ka komentuar gjerësisht fushatën e fundit elektorale, rezultatet e partisë së tij, ato të “kundërshtarit” Vangjel Dule. Pa harruar të nisë një mesazh ironik ndaj ministrit të jashtëm grek Kotzias, që do të vijë së afërmi në Tiranë: Me çfarë do të udhëtojë ministri? Bankat janë të mbyllura…
– Komenti për procesin zgjedhor me një notë nga 1-10
– Mund t’i vendos 7-8. Notë e mirë, por jo e shkëlqyeshme për këto zgjedhje. Ne si komb kemi patur një padrejtësi historike që gjysma e Shqipërisë është jashtë kufirit, por dhe atë që mbeti brenda kufinjve e kishim ndarë në 400 komuna, ku kryekomunarët ishin bërë si bejlerë të vegjël, ku merreshin lekët vetëm për administratën dhe nuk bëhej asnjë punë. Nëse do të kishim ende të njëjtën ndarje në 400 bashki e komuna do të kishim të paktën 800 “gladiatorë”, por ky numër i ri bashkish solli dhe një frymë tjetër. Administrimi i zgjedhjeve, shtrenjtësia e fushatës, pasi financimi i fushatës duhet të rishikohet si ligj si problem i madh, ndërsa administrimi i zgjedhjeve mbetet një problem i madh, sepse në zgjedhjet lokale ka shumë gjera që ndërthuren, por u kuptua se nuk ka më bastione, njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin dhe nuk votojnë më qorrazi.
– Si ka votuar PDIU ne Tiranë?
– Për Erion Veliaj si kandidat dhe PDIU-ne si forcë politike në këshillin bashkiak. Ne ishim në aleancë dhe kishim interesin tonë të votonim kandidatin. Mund të them pa frikë se është votuar në 95% të rasteve nga ana e elektoratit të PDIU-së.
– Thatë që bëtë një fushatë të pabarabartë mediatike, por javën e fundit të pashë në të disa studio?
– Jam i bindur që pabarazia e medias ndaj subjekteve politike është më e madhe sesa ju mendoni. Ka media kombetare që kohen e transmetimit për PDIU-në e kanë patur gjatë këtyre zgjedhjeve 0 sekonda e kjo më ka bërë përshtypje. Nuk kishim spot, sepse spoti ishte e shtrenjtë. Unë vetë kam qenë vetëm në 2 studio, tek të tjerët nuk kam qenë prezent. Por disa media kanë qenë dashamirëse me PDIU duke transmetuar mitingjet tona kryesore live.
– Ka qenë e disfavorshme të beje fushatë me Greqinë zyrtare që ju ka cilësuar si nazist?
– Besoj që ata kanë patur një tendecë për ta intimiduar votuesin e PDIU-së por, që besoj që e kanë bërë elektoratin tonë akoma më të vendosur dhe më të nderuar. Shumë nga ne as që mund ta kishim menduar që një qeveri fqinje të merej me ne. Është një burrë i nderuar, quhet Nexhat Mergjyshi. Ai ka bërë një libër interesant me titull “Unë nazisti 9-vjeçar”. Në fakt kjo duket qesharake, por aq ka qenë ai kur është përzënë nga Greqia me dhunë. A mund të ndjehesh mirë për këtë gjë?
– Familja Idrizi çfarë qëndrimi ka mbajtur gjatë Luftës së dytë Botërore?
– Babai im ka ardhur 2 vjeç dhe nuk e mban mend me kë ka qenë… Greqia ka një arrogancë për të përmbysur të vërtetat që nuk i interesojnë. Në 1944 ndodhi masakra mbi çamët, por kjo fshihet, sepse nuk i intereson. Shqiptarët e Çamërisë ishin në një trysni shumë të madhe, pasi historia e Çamërisë nuk fillon në 1944, por që në 1913, kur u vranë e u masakruan fillimisht disa krerë të Çamërisë. Aty tentohej një strategji për t’i përzënë shqiptarët dhe për t’i dërguar në Turqi meqë ishin musliman. Kush rezitoi nga këto familje u vu nën thundrën e dhunës. Në 1943 në konferencën e Jaltës u vendos që Greqia të lihej nën influencën britanike, vendi ishte ndërkohë i çliruar, por mbi 1200 ishin partizanët çamë, në luftë kundër nazistit.
Në 1940 kur Italia pushtoi Shqipërinë burrat e Çamërisë ishin të internuar në ishujt përballë Turqisë, ndaj nuk i luftuan dot, jo më të bashkëpunonin. Shqiptarët e Çamërisë kanë qenë gjithmonë në krah të partizanëve, batalioni Çamëria ka luftuar 45 dite për të mbajtur larg nazistët nga Shqipëria. Unë i sfidoj grekët. Kam fotot e shqiptarëve partizanë dhe foton e Napoleon Zervës me nazistët. A ka mundësi të më sjellin një foto ku çamët janë bashkëpunëtorë të nazismit?! Grekët zhdukën 20% të popullsisë çame dhe për këtë ju duhet një alibi. Këto ditë kam menduar shumë për këtë temë. Unë kam qenë student i Dhjetorit të 1990 dhe besonim shumë tek demokracia. Por nuk ka patur degustim më të madh për mua kur shoh një ministër të Jashtëm të vendit fqinj që hedh akuza të paqëna mbi ne.
– E di si e ka emrin ministri grek?
– Jo.
– E ka Kotzias.
– Ky koca a levreku si e ka emrin, nuk e di me çfarë lekësh do të vijë në Shqipëri, se nuk tërheq dot lekët as nga bankat greke se u mbyllën apo jo?! Më duhet ta them qartesisht se askush nuk mund të na intimidojë dhe të na etiketojë me atavizma që nuk na takojnë ne brezin e tretë të çamëve tashmë të ringritur në këmbë dhe të shumuar, siç ato nuk do të dëshironin të na shikonin.
– Sipas gazetës Kathemirini, ministri Kotzias do të sjellë një propozim për abrogimin e ligjit të luftës, e ndihmon ky hap çështjen çame?
– Kathemirini është gazetë serioze dhe e besoj si informacion serioz. E vlerësoj këtë hap të qeverisë greke. Ligji i luftës besoj se është në memorien e gjithë shqiptarëve që PDIU e ka ngritur me forcë këtë problem, sepse derisa u tha para disa kohësh nga Greqia kishim vetëm një frazë “Ligji i luftës nuk ekziston”. Unë kam dalë nëper studio, ku thuhej se “ligji i luftës nuk hiqet për çështje pronësore” . Kjo letër ishte fshehur nga Ministria jonë e Jashtme, ja çfarë intimidimi kishim ne në raport me Greqinë. Vetëm para rreth 1 viti u fol me zë të lartë për këtë ligj. Greqia i druhet kthimit të pronave tek çamët. Në momentin që u vendos ligji i luftës, pronat e shqiptarëve u vunë në sekuestro dhe ky ligj do të çlironte çdo gjë për shqiptarët e Çamërisë që kanë prona në Greqi. Unë e ftoj diplomacinë që të mos e shohë këtë si akt formal. Ky akt sjell shumë interesa pronësore për shqiptarët. Italia e mori përsipër dëmët e Greqisë në Luftën e Dytë Botërore, pasi Shqipëria ishte e pushtuar. E vërteta rreth ligjit të luftës doli më në fund në dritë të diellit.
– Kjo pakete e ministrit te jashtem grek kushtëzohet me bashkepunimin mes PDIU-së dhe forcave te mëdha politike në vend?
– Unë uroj që kjo të jetë një lajthitje e gazetës dhe jo e paketës. Unë e kam dedektuar këtë gjë dhe e di shumë mirë që shteti shqiptar deri para disa vitesh ka qenë si i zënë në kurth nga vetot e shtetit grek. Ky është kulmi i arrogancës. Ai ose është i keqinformuar nga amabasada e tij dhe Dulja, ose kjo është lajthitja më e madha dhe arrogancë e paimagjinueshme. Askush nuk mund të kushtëzojë aleancat politike të një vendi fqinj!
– Sot a ishe i ftuar tek festa e PS?
– Po, isha i ftuar, por nuk shkova dot.
– Rama të ka veçuar, gjatë kësaj ceremonie duke cituar një shprehje tenden…
– “Çam nuk lind, po bëhesh.” Është një frazë që unë e përdor më kënaqësi. PDIU-ja ka si kauzë jo vetëm problemin e Çamërisë, por dhe gjithëpërfshirjen e shqiptarëve, ndaj ne nuk lokalizohemi vetëm në adresimin si parti e çamëve. E pikërisht në një moment duke parë masivitetin e simpatizantëve tonë edhe në zona në veri si në Kukës, Tropojë apo Dibër, me doli shprehja “ Çam nuk lind, por bëhesh.”
– Pas zgjedhjeve si e shikon aksionin e Dules?
– Unë kam lindur e jam rritur ne Tiranë, por vazhdimisht më pyesin për Greqinë. Por mund të them vetëm se Dulja ka dalë inegzistent në këto zgjedhje. Edhe Finiqin e fitoi MEGA dhe jo ky. Ai humbi në çdo zonë. Në të gjithë artikulimin tim politik unë nuk kam thënë asnjë fjalë të pasaktë për minoritetin grek, por përfaqësimi i tyre ka qenë i gabuar që pas largimit nga politika tëVasil Melos. Ky njeri e ka rrudhur PBDNJ-në dhe as deputet nuk mund të dilte nëse nuk do të kishte votat e PS. As ky, askush nuk na intimidon dot për të kërkuar çështjet pronësore të çamëve. Ne duam marrëdhënie të mira më Greqinë, ne duam që të kalojë kriza dhe të ketë paqe.
– Për herë të parë një zonjë e mbuluar bëhet antare e keshillit bashkiak?
– Ajo ka një shami në kokë dhe kaq. Nuk është e mbuluar, është “e zbuluar”, ajo ka të zbuluar besimin e saj. PDIU-ja nuk i shikon njerëzit se çfarë besimi kanë, unë kam shumë katolikë në këshilla bashkiak nëpër rrethe nën siglën e PDIU-së. Zonja nuk është aty për shkak të përkatësisë fetare, por për shkak të angazhimit të saj në disa fusha. Ajo në këshillin bashkiak do të jetë një zë i fuqishëm për qytetarët e Tiranës.