Herën e fundit që Elis Bakaj është paguar në karrierën e tij ka qenë diku rreth muajit korrik. RNK Split i dha ca pará në dorë dhe ai firmosi një kontratë dyvjeçare me klubin kroat, që i premtoi se duke luajtur mirë në kampionat mund të kishte një transferim dhe më të bujshëm diku tjetër.
Tani që kanë kaluar 6 muaj, Bakaj dhe Split zyrtarisht janë ndarë. Sipas rregullores së FIFA-s, nëse një lojtar nuk paguhet brenda 3 muajve, është i lirë të zgjedhë të prishë kontratën dhe të konsiderohet lojtar i lirë. Çështja ka shkuar në gjyq, aty ku Bakaj sipas gjithë gjasave do i përfitojë rrogat e 2 viteve bashkë.
“Është e vërtetë – thotë Bakaj – për momentin gjendem në Tiranë dhe jam lojtar i lirë. Gjërat në Split nuk shkuan mirë. Firmosa një kontratë 2-vjeçare por në asnjë moment nuk u shfaq korrektësi financiare. Tani që po flasim, janë 6 muaj pa u paguar. Nëpërmjet avokatit tim, unë bëra denoncimin në FIFA dhe jam zyrtarisht lojtar i lirë. Çështja është në gjyq dhe unë pretendoj të fitoj shumën e kontratës, sipas asaj që kemi firmosur për 2 vitet e ardhshme. Kjo nuk do pengojë të kërkoj një tjetër aventurë diku tjetër”. Lojtari mësohet se do dalë në stërvitje me Tiranën, por kjo nuk do të thotë detyrimisht që do luajë për këtë skuadër në pjesën e dytë të këtij edicioni.
“Tirana është një nga shtëpitë e mia. Është një klub ku më kanë trajtuar në mënyrë speciale, dhe kam shumë miq, si te drejtuesit, ashtu dhe te lojtarët. Gjithsesi për momentin do bëj vetëm stërvitje, më pas do shoh gjithë mundësitë, sepse besoj kam kohë për të zgjidhur të ardhmen. Kamë dy tre kontakte me klube jashtë Shqipërisë. Në Shqipëri, nëse do luaj, patjetër që vetëm Tirana është opsioni im, sepse i kam premtuar këtij klubi që sa herë ata të kenë nevojë, unë do t’u bëj shërbej. Më kanë hapur dyert dy herë, dhe nuk mund ta harroj diçka të tillë”.
SportEkspres/d.i.