Shqipëria ishte zhytur në borxhe dhe metoda e “kleringut” që përdorej asokohe mes vendeve socialiste nuk mjaftonte për të nxjerrë një vend nga kriza. Shqipëria nuk prodhonte asgjë për të shkëmbyer. Do të ishte vetë Enver Hoxha, që, në kundërshtim me çdo slogan socialist, kishte firmosur një kontratë të dyshimtë me një tregtar hebre, që konsistonte në hapjen e një korridori për kontrabandën e cigareve.
Të gjitha prapaskenat e kësaj marrëveshjeje, si u krijua, si funksionoi “Albtrans”, ndërmarrja tregtare në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, na i rrëfen ish-drejtori i saj, në vitet ’80, Lorenc Nenshati, në librin “Albrans, Top Secret”. Një botim i “Botart”, që tashmë gjendet në stendën e shtëpisë botuese në Panairin e Librit. “Përmes një mënyre të shkruari, që nuk të lodh, madje të ndjell kuriozitetin të shkosh pa mëdyshje deri në faqen e fundit, autori Nenshati i ka dhënë fund mungesës së informacionit për këtë ndërmarrje fitimprurëse të kohës së komunizmit, shtrirë në hapësirën kohore të rreth 25 viteve (1967- 1991).
Me shumë zgjuarsi, autori nuk kufizohet të rrëfejë vetëm qarkun e ngushtë të mekanizmit se si kryhej ky aktivitet që ushqente kontrabandën e cigareve të prodhimit amerikan në Jugun e Italisë dhe në gadishullin Iberik. Në libër ai përfshin edhe problemet diplomatike të shkaktuara prej kontrabandës, pozicionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë e deri tek incidentet e përgjakura që u shënuan në ujërat tona detare”, shkruan në parathënien e librit gazetari Ferdinand Dervishi. Më poshtë po shkëpusim një pjesë nga libri, që tregon më qartë pse Enver Hoxha lejoi kontrabandën e cigareve në Shqipëri.
LORENC NENSHATI
Arnold Beraha dhe Enver Hoxha – njëri hebre dhe tjetri gjirokastrit – dhjetë muaj “bisedime” pa kontakte që sollën lindjen e Albtrans-it Albtrans-i u krijua si rastësisht. Nuk ishim ne shqiptarët që e nxorëm në dritë. Përkundrazi, për pak sa nuk e lamë të na ikë nga dora, sepse bisedimet u zgjatën shumë. Hapja e kësaj ndërmarrjeje ishte sa e çuditshme për regjimin tonë politik, po aq me interes ekonomiko-financiar. Nuk ishim ne nismëtarët për hapjen e saj, sepse ende nuk ekzistonte një bazë e plotë edukative mbi kompleksin e ndërtimit të tregut ndërkombëtar që ta kërkonim ne.
Ky treg funksiononte shumë larg nesh si distancë, si shkollë dhe si mentalitet. Fillimisht, ne u kapëm pas kësaj hallke, siç thuhet “kapa një hajdut; dua ta lëshoj, por nuk më lëshon ai”. Shumë pak veta e kishim idenë sa të thella janë marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve. Objekti bazë i ekonomisë sonë socialiste atëherë ishte “kleringu”, baza e tij ishte shkëmbimi mall me mall. Me këtë doktrinë zhvillohej tregtia brenda bashkësisë së shteteve të Lindjes komuniste. Shitblerja bëhej mbi bazën e vlerësimit të mallit me një valutë të huaj, më shumë me dollarin.
Por këto shuma lëviznin vetëm në letra. Nuk kishin të bënin me transaksione bankare, por vetëm me plane shkëmbimi. Në fund të vitit bëheshin bilancet bilaterale dhe rezultonte një saldo pozitive apo negative: shteti që kishte importuar më shumë dhe kishte eksportuar më pak se tjetri, detyrohej të paguante një saldo në dollarë. Të gjitha shtetet e Lindjes, me këtë formë tregtie kishin humbje në valutë, por sidomos shtetet më të industrializuara, si Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, që mallrat e tyre mund të konkurronin në tregun e lirë kapitalist.
Ato ishin të detyruara që, së pari, të plotësonin planin e kleringut me shtetet e bashkësisë dhe tepricat t’i hidhnin në tregun ndërkombëtar. Në atë kohë, Shqipëria nuk kishte asgjë që mund t’i ofronte atij tregu dhe, nga ana tjetër, ajo nuk kishte as si t’i paguante të gjitha ato makineri që importonte për ndërtimin e TEC-ve e hidrocentraleve, si dhe infrastrukturën e tyre të shtrenjtë, gjithnjë të pamjaftueshme.
Nuk mund të paguante makineritë e shumëllojshme metalprerëse për të ndërtuar uzina, të cilat dilnin shpesh edhe me humbje; mjetet e transportit tokësor, detar e hekurudhor; veshmbathjet dhe lëndët ushqimore për njerëzit e për kafshët. Erdhi një kohë që Shqipëria u mbyt në borxhe me Lindjen, ndërsa Enver Hoxha, “gjithnjë shpëtimtar i situatave të vështira”, deri në vitet kur shëndeti i premtonte, gjeti si pretekst një motiv të mprehtë politik: u zemërua për vdekje me Lindjen, tashmë revizioniste e Marksizëm-Leninizmit, si dhe për shumë anë të tjera, që preknin ndjenjat e nacionalizmin shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Ishin kohë të vështira. Qeveria e futi vendin në qorrsokak: nga njëra anë, e la pa mbështetjen e KNER-it dhe, nga ana tjetër, po përgatiste terrenin të dilte edhe nga Traktati i Varshavës. Gjatë 50 viteve Shqipëria gjithnjë ka qenë në krizë: u fillua me triska e përfundoi me tollona. Në kohën kur u hap Albtrans-i, Shqipëria ishte plot me borxhe. Dalja jashtë KNER-it e vetmoi akoma më shumë dhe e vetizoloi. Gjithçka që u ndërtuan atëherë, pothuajse ishin të papaguara.
Ato borxhe na futën frikën dhe shpejtuam për ta denoncuar publikisht Traktatin e Varshavës, si një traktat agresiv. Qëllimi ishte që komuniteti ndërkombëtar të mos e konsideronte më Shqipërinë anëtare në bashkësinë ushtarake. Ndryshe, në çdo çast imagjinohej se ushtritë e Traktatit të Varshavës do të futeshin në Shqipëri në formën e manovrave ushtarake. Të gjitha shtetet e mëdha, në fund të fundit, hapin luftë për punën e borxheve. Zogu nuk ia kishte shitur Shqipërinë Italisë, por kishte hyrë në borxhe të mëdha. Frytet e atyre borxheve ishin të gjalla gjithandej nëpër Shqipëri. Situata e atyre viteve nuk kishte të bënte me atë që Shqipëria rrezikohej nga uria, por nga qëndrimi pa krye ndaj Lindjes komuniste.
***
Në njërën nga ato ditët e vështira të vitit 1966, një përfaqësues i ndërmarrjes së tregtisë së jashtme Agro-Eksport, me punë në zyrën e tregtisë pranë ambasadës shqiptare në Vjenë, pati një telefonatë nga një i panjohur, i cili i kërkoi takim për një problem me leverdi dypalëshe. “Me pak fjalë,- tha ai,- kam një ofertë speciale që duhet diskutuar gojarisht”. Nëpunësi i zyrës u gëzua. E priti të nesërmen me qejf, por u befasua. E pa që oferta trajtonte një problem krejt tjetër nga ato të rutinës së përditshme. Pak e mori vesh, pasi ishte ndryshe nga praktikat e tregtisë së jashtme deri më atëherë. Porse, mirë të paktën që nuk e përcolli, por e mbajti zvarrë me një- farë shprese. Edhe personi ishte tepër i interesuar.
Ai kishte bërë tërë atë punë përgatitore. Oferta kishte disa faqe të daktilografuara, një punë e kujdesshme në emër të një firme të madhe europiane eksport-importi. Njeriu ishte i autorizuar të zhvillonte bisedimet paraprake: të interpretonte ofertën dhe t’i vazhdonte bisedimet rutinë deri në fund. Personi ishte Arnold Beraha, hebre, me banim në Zvicër. Përmbajtja e ofertës kërkonte të organizohej një “zonë e lirë” (punto franko) në bregdetin Adriatik të Shqipërisë për të transituar cigare të huaja, Marlboro, Red e Box dhe Winston. Këto cigare atëherë ishin origjinale. Oferta u transmetua menjëherë në Tiranë – sa për të qenë brenda – por asnjeri nuk krijoi ndonjë përshtypje.
Të gjithë në heshtje, e konsideruan problem të evaduar. Dihej që askush nuk do të merrej me atë. Kurrkush në Tiranë nuk kishte durim të lexonte oferta të gjata. Punët atëherë ishin më të thjeshta. Kështu, të gjithë bënë sikur e panë, që nga ministri i Tregtisë së Jashtme e deri te referenti i fundit, të cilit i mbeti në sirtarin e tavolinës. Kaloi shumë kohë. Nëpunësi në Vjenë kërkonte vazhdimisht përgjigje, i shtyrë nga njeriu i ofertës. Referenti nuk kishte asgjë për të thënë; rrinte me shpresë se një ditë do t’i vijë radha. Pas gati një viti, oferta e fshehur doli jashtë sirtarit.
Njëri nga nëndrejtorët e Agro-Eksportit shkoi me shërbim për problemet që trajtonte referenti, por vetë i dytë, siç ishte rregulli. Referenti e futi në çantë dhe u nis për Vjenë, me shpresë se i erdhi radha. E mori me vete ashtu kot, pasi nuk përfshihej në programin e punës të këtij shërbimi. Në Vjenë referenti e gjeti gjuhën e përbashkët me nëpunësin e zyrës së tregtisë së ambasadës atje. Që të dy po prisnin rastin më të parë t’ia paraqisnin nëndrejtorit, jo si në Tiranë, që duhej të mendoheshe mirë përpara se të trokisje në derën e eprorit, por në Vjenë, jashtë shtetit, ku zbuteshin shumë diferenca të pozicionit të punës.
Që të dy merrnin të njëjtën dietë, që të dy hanin me kursime, madje, kësaj radhe i kishte thirrur për darkë nëpunësi i Agro-Eksportit që mbante marrëdhëniet me hebreun. Të dy vartësit e kishin të qartë se çfarë kërkonte oferta, e kishin lexuar dhe rilexuar disa herë, kishin krijuar mendime të qarta mbi të dhe ishin në gjendje ta interpretonin ashtu siç e donte edhe mentaliteti shqiptar. Gjatë darkës patën menduar ta hapnin këtë bisedë; ata nuk kishin më nevojë t’i kishin letrat përpara, pasi i njihnin pothuajse përmendësh. Zëvendësdrejtori pranoi të marrë takim me personin e ofertës. U bind vërtet dhe e konsideroi me vend që oferta të shikohet edhe një herë me seriozitet në Shqipëri.
Me një fjalë, atë e pa me shumë interes dhe premtoi se do ta ndiqte me precedencë. Në fakt, pasi e bëri xhiron edhe një herë në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, oferta nuk dihet se si kishte rënë në veshin e Enver Hoxhës, i cili e kuptoi mirë përmbajtjen dhe dha pëlqimin e tij me precedencë që të bëhet. Kontrata u firmos midis Agro-Eksportit dhe grupit “Vanawer Ltd”. Bosi i saj, në kartëvizitë mbante titullin: Konsulent Eksporti Philip Morris për Europën.
TAKIMI IM NË ZVICËR ME ARNOLD BERAHËN
Në vizitën e parë në Zvicër, si drejtues i Albtrans-it, mbi bazën e një plani konkret që pata bërë që në Tiranë, me radhë u bëra të gjitha kompanive vizitën e kortezisë apo të njohjes. Me këto kontakte desha t’i pasuroj akoma më shumë dijet e mia për synimet e të ardhmes së afërt. Kisha vendosur të lëvizja nga ajo status quo e vjetër, e cila kishte kohë që duhej prishur, për të krijuar marrëdhënie të tjera më serioze biznesi, që të favorizohej një hop cilësor në bilancin financiar sa më shpejt të ishte e mundur. Sapo mbërrita në Lugano, shefi i firmës “Soko” po më priste në aeroport. Ishte vetë i dytë. Personi që më prezantoi quhej Arnold Beraha.
Aperitivin e pimë në një bar të aeroportit. Mua më ofruan një aperitiv të rrallë, “Royal”, shampanjë e përzier me një ekstrakt vishnjash që merrte ngjyrën rozë e që krijonte një shije më të fortë. E hapa bisedën, duke thënë se zotërinë nuk më kujtohej ta kisha parë ndonjëherë, vetëm nëse po më gabonte kujtesa. – Është e vërtetë,- u përgjigj ai vetë.- Herën e parë kur erdhe nuk isha këtu, pasi unë udhëtoj shpesh në Vjenë. Prej aeroportit shkuam në hotel “Eden”, ku ishte rezervuar dhoma dhe tryeza për darkën. Kështu u njoha me personin që kishte drejtuar bisedimet dhe përfunduar marrëveshjen për hapjen e Albtrans-it. Ishte hebre, sigurisht edhe ky i pasur.
Beraha ishte personi që kishte bërë kombinimin e grupit të huaj tregtar të cigareve dhe që pati durimin të realizonte marrëveshjen më të çuditshme, midis kapitalit ndërkombëtar dhe shtetit komunist më ortodoks në Europë. Ky hebre kishte eksperiencë të gjatë biznesi, prandaj arriti ta kombinonte edhe Albtrans-in. Menjëherë pas lufte, kishte krijuar një kompani për shitjen e aparaturave elektronike, biznes legal që fshihte një apo më shumë biznese të tjera ilegale, të cilat plekseshin në atë kohë pas lufte edhe me mashtrime fiskale. Që në bisedat e para të krijonte përshtypjen se kishte horizont të gjerë profesional, por edhe kulturor.
E pyeta nëse ishte e vërtetë çfarë thoshte Mr. Black për të, se ishte pasuruar me trafikun e arit pas lufte? Në Itali kam pasur rastin të njoh disa patriotë të mi që ishin mëkëmbur me atë punë pas lufte, derisa gjendja e pas luftës u stabilizua, dhe ky territor u vu nën kontrollin e Interpolit. Biografia tregtare dhe financiare e Berahes ishte shumë e pasur. Ai më tha se pas lufte, në kohët e para të paqarta, kur njerëzit nuk i respektonin akoma ligjet e fitimit, ai kishte punuar në qarkullimin e trafikut të arit. – Po, jam marrë 10 vjet rresht,- pohoi.- Gjatë asaj periudhe kam lëvizur disa kuintalë pará ari nga tërë Europa, por më shumë lira e sterlina. Dhe arrita të fitoj shumë pará.
Çdo gjë me moshë. Kur e fillova, isha relativisht i ri që ta përballoja. E vështira e asaj pune ishte futja dhe nxjerrja e arit nga pikat kufitare-doganore, shpesh edhe duke rrezikuar me shkelje të kufirit. Kjo punë funksiononte si një bursë private ilegale mjaft inteligjente. Ishte periudha e pas luftës dhe njerëzit duhej të merreshin me diçka në atë kohë urie të përgjithshme. Kishte raste komprometimi edhe të vetë rojeve apo zyrtarëve të doganave që, me shpërblime, e mbyllnin njëri sy. Më vonë, në këtë treg filluan të hyjnë monedha ari false nga njerëz pa skrupull, dhe kjo tregti e njerëzit që e praktikonin u vunë në shënjestrën e Interpolit. Unë e ndërpreva këtë aktivitet menjëherë, por njëlloj, emri më mbeti për disa kohë në listat e zeza.
Që në ditët e para të njohjes, Beraha më tha se Shqipërinë e kishte pasur gjithnjë në mendje, dhe se nuk donte ta mbyllte karrierën pa demonstruar “një shenjë mirënjohjeje për të”. Kur i dëgjova ato fjalë, u bëra kureshtar. I kërkova se ku e kishte bazën kjo mirënjohje. – Arsyeja është se unë kam lidhje të vjetra me Shqipërinë dhe, në njëfarë mënyre, jetën time ia dedikoj edhe asaj,- më shpjegoi ai.- Që të jem më i qartë, unë ia detyroj jetën një familjeje shqiptare në Tiranë, sepse gjatë luftës ajo më fshehu, pasi gjermanët më kishin në listat e hebrenjve. Gjatë asaj kohe, megjithëse me shumë vështirësi, merresha me një tregti të vogël të nevojshme që të ndihmoja familjen që më kishte strehuar.
Çuditesha me shpirtmadhësinë e saj, që më mbronte e kërcënuar nga rreziku, ndërkohë që gjermanët kishin vënë një shumë të mirë për çdo kokë hebreu. Për hir të fukarallëkut, ata mund të përfitonin duke më denoncuar. Jam përpjekur shumë ta gjej atë familje, nëpërmjet ambasadës shqiptare në Vjenë, por nuk kam pasur rezultat. Ndoshta nuk e merrnin seriozisht kërkesën time. Tani është tepër vonë. Edhe atëherë ata nuk ishin të rinj, ishin rreth të gjashtëdhjetave. Ka kaluar shumë kohë. Sot nuk besoj të jetojnë më. Kujtoj që gruaja e shtëpisë fliste pak italisht.
Më ishte ankuar një herë se kishin një djalë partizan në mal, por ata, si prindër, nuk ia kishin bekuar aktin dhe “e kishin bo lanet”. Mirënjohjen time Shqipërisë, në njëfarë mënyre, gjeta rastin t’ia shpërblej me këtë marrëveshje, që jam i bindur se do të shkojë mirë dhe gjatë. Nuk ishte se vetëm Shqipëria e kishte atë pozitë gjeografike për të ndërtuar një punto franko për transitimin e cigareve në bregdetin Adriatik. Pjesëtarët e grupit, sa herë bëheshin nervozë, më thoshin se përse duhej pritur derisa t’i mbushej mendja Shqipërisë të firmoste marrëveshjen.
Prandaj kishin ngritur variante të tjera, që të bisedonin me Malin e Zi apo Kroacinë, që ishin edhe më të civilizuar me komunizmin e tyre. Por unë i mbaja me shpresë se pikërisht naiviteti i shqiptarëve na intereson ne që të ndërtojmë një aktivitet tonin dhe ta drejtojmë sipas pikëpamjeve tona….
Panorama/d.i.