Në emisionin e së dielës, “Procesi Sportiv” në Top Channel, ish-trajneri i Kombëtares Shpresa, Redi Jupi, ka bërë një analizë për strategjinë e ndjekur në kombëtare. Sipas tij, është gabuar me listën, është gabuar me zëvendësimet në ndeshje dhe është gabuar sidomos në strategjinë që duhet ndërtuar për Kombëtaren dhe vazhdimësinë e saj. Sipas tij, Shqipëria, është forcë e tretë sa i përket cilësisë në grupin tonë. Ja analiza e Jupit:
Gabimet
“Në këtë ndeshje çaluan shumë gjëra, por nuk është vetëm për këtë 90-minutësh, por është vazhda e asaj se çfarë është bërë pas Europianit me Kombëtaren. E shkuara në Europian ishte shumë e rëndësishme dhe unë e kam thënë se çfarë trashëgimie do të ngrihet mbi këtë. Me këtë Europian, fituan pak persona dhe përfitimet nga kjo ishin shumë të vogla, për të mos thënë që nuk qenë fare. Ekipi ynë është më i dobët se ai që ishte në Europian”.
Detyra e trajnerit
“Përgjithësisht, ka dy muaj kohë për ta përgatitur ndeshjen. Detyrë është përgatitja e listës. Mbasi shmang dëmtimet dhe çdo gjë, merr lojtarët më të mirë në listë për takimin e radhës. Pastaj, gjatë ditëve të grumbullimit, ideohet formacioni dhe pastaj menaxhimi i ndeshjes bashkë me zëvendësimet. Në të gjitha këto aspekte, jam i bindur në këtë që them, është gabuar. Ne nuk kemi listën e lojtarëve më të mirë”.
Kush mungojnë
“Ne jemi një vend i vogël. Edhe i kemi sajuar lojtarët, sepse kemi marrë edhe lojtarë që nuk janë shqiptarë të Shqipërisë. Një lojtar i nivelit të Rashicës është shumë i vështirë për t’u zëvendësuar. Një si Kaçe, i cili është lojtari më i talentuar shqiptar, duhet të jetë brenda listës dhe nuk mund të thuhet që ‘nuk është në planet e mia teknike’.
“Kombëtarja e Jupit”
“Sipas konceptit tim, një si Hysaj duhet të jetë gjithmonë në fushë, sepse është lojtari më i fortë në një kundër një, i provuar në Serinë A. Portën e kemi të siguruar, sepse portierët i kemi të gjithë të mirë. Kemi dy lojtarë shumë cilësorë në mbrojtje, Mavraj dhe Hysaj. Është Kaçe dhe, më pas, plotësohet me lojtarë të tjerë, sepse mesfusha ka elemente mjaft cilësore, si Abrashi, Memushaj, Xhaka e Kukeli. Dhe, për mua, Shqipëria do të ishte me Rashicën nga një krah dhe Roshin në tjetrin dhe me Manajn në majë të sulmit. Nuk e di pse s’po ndodhin ndryshime. Këto janë kosto, faturën e të cilave le ta marrë kush të dojë”.
Formacioni
“Me atë që kemi parë, nuk kanë qenë lojtarët më të mirë në fushë. Të gabosh në një ndeshje, nuk është ndonjë gjë e madhe, sepse mund të ndodhë. Siç gabon një lojtar, një arbitër, gabon edhe një trajner. Por, pas pesë vitesh në drejtim të një skuadre, pasi njeh skuadrën, njeh mirë lojtarët dhe njeh edhe kundërshtarët, gabimet janë të patolerueshme”.
Ndërrimet
“Në shumë ndeshje, ndërrimet nuk kanë dhënë efekt pozitiv, por kanë dhënë efekt negativ”.
Menaxhimi
“Sipas meje, nuk është menaxhuar si duhet ekipi. U pa shorti që ra shumë i vështirë, pra është shumë e vështirë për të shkuar në Rusi (unë nuk kam parë Botëror pa Italinë e Spanjën). Ndaj, strategjia jonë duhet të ishte që të formonim një ekip me lojtarët më të mirë shqiptarë. Një ekip më të fortë se ai që kishim në Francë. Kjo, në kuadër të një kualifikimi të mundshëm për Europianin e ardhshëm”.
Ndeshja
“E dini pse të vjen më shumë keq për këtë ndeshje? Sepse Izraeli është një ekip më i dobët se ne dhe duhet t’i kishim sulmuar. Cilësisht, është më i dobët. Kjo, u pa edhe gjatë ndeshjes, si në 18 minutat e para, si kur mbetëm me dhjetë apo edhe kur mbetëm me 9.”
Shembulli
“Edhe pse kemi luajtur ne me nëntë, zotërimi i topit ka qenë 53% me 47%, pra diferencë gati e papërfillshme. Izraeli ishte i dobët. Kanë portier më të dobët se ne. Repartin e mbrojtjes e kanë më të keq se ne. Për mesfushën nuk bëhet fjalë, sepse ne e kemi shumë të mirë, por edhe në repartin e avancuar nuk janë si ne. Neve në këtë grup jemi forcë e tretë. Izraeli ishte i paqartë, sepse futeshin në driblim një kundër një, edhe pse ishin në superioritet numerik. Pra ata, kishin qarkullim topi të ngadaltë. Ne kishim mundësi për të bërë diçka edhe në 0-1, por nuk kuptoj si mund të përfundojmë me formacionin 4-1-3 kur rezultati është 0-2 dhe duhet të limitonim dëmet. Kjo, pasi nuk është e njëjtë që të mundesh 0-1 nga 0-3 apo 0-4. Nuk e di a kemi luajtur me tre sulmues në të gjithë këto pesë vite, e jo më të luanim në atë ndeshje. Mos ndoshta u pretendua që të barazonim me nëntë veta?”.
ma.me