Nuk është e vështirë të hamendësosh përfytyrimet e një të burgosuri. Të gjitha fantazitë sillen rreth lirisë. Mundet që nëpër skërmitjet e tyre, krahët e shpendëve fluturues të kenë fituar interpretimet ëndërrimtare. Arkitekti, piktori e autori i disa librave, Maks Velo, nuk e ka krijuar në burg lidhjen e pazgjidhshme me lejlekët (kryesisht me lejlekët, meqenëse ai ka qenë imazhi i parë i pashlyer nga fëmijëria).
Maks Velo
Ishte aq fëmijë sa bota mund t’i jepte argumente nga më të pakuptimtat e ai përsëri do t’i bindej, kur në Korçë ngriti sytë nga qielli dhe pa një lejlek majë oxhakut. Ishte i pari që shihte. Atëherë nuk mendonte për t’i dhënë shpjegime vetes se përse e tronditi aq shumë ai zog, që mund ta shihte vetëm për së largu. U mahnit prej fuqisë së tij të krahëve. Lejleku mund të fshihej e të shfaqej kur të donte, të zhdukej, të zhytej nëpër ç’ujëra të donte, e jo të rrinte aty në Korçë, gjithmonë tek e njëjta rrugicë, me të njëjtat lojëra të sajuara…
E priti dhe e përcolli lejlekun mbi oxhak për ditë të tëra, derisa, si të gjitha gjërat e fëmijëve, edhe zogu që mbeti i largët u zëvendësua me një çudi të re. Mirëpo, Maks Velo i rritur e tejkaloi dhjetëfish habinë e fëmijës, kur evokoi të njëjtën pamje vite më vonë. Përse kishte qenë pikërisht zogu ngjarja e tij më e fortë e fëmijërisë? A e parapa ai të ardhmen e tij që kur ishte fëmijë? Bota kishte sa të duash dukuri mistike. Për të analizuar të gjitha pati plot kohë në burg.
Aty ku njohu edhe vlerën e këtyre përjetimeve që, megjithëse të largëta, i shërbyen për t’i kalitur mendimet kur rrinte i vetëm në errësirë. I shërbejnë edhe sot në krijimet e tij. Lejleku e pelikani janë simbolet e romanit të tij të ri “Klubi Karavasta”. Ata që duan menjëherë të ndërhyjnë për të thënë se “Klubi Karavasta” është roman i disa viteve më parë, duhet të dinë që ajo ishte vetëm pjesa e parë. Prej disa ditësh, laguna e harruar ka ardhur e plotësuar me një pjesë të dytë.
Maks Velo e quajti Mesas fshatin Adriatik, midis Lushnjës dhe Fierit. Në fakt, ai nuk ka as emër, nuk ka pse të ketë emër, sado që ka se kë të përfaqësojë. Është kufizuar diku hapësira për të mbledhur një grusht njerëzish, dikur të bashkuar nëpër biruca, sot të lënë në rrugë, në një birucë ca më të madhe.
Nuk se të bie ndonjëherë rruga andej, në mos rastësisht. Befasinë e parë, që mund të jetë shkaktuar edhe prej pranisë së pelikanëve kaçurrelë e lejlekëve, e mori nga emri i vendit. Nuk kishte dëgjuar kurrë më parë emër që të tingëllonte kaq bukur, të kishte kaq ajër dhe kaq “a” brenda një fjale. Të thoshe Karavasta dukej sikur kishe çliruar e kishe marrë frymë njëkohësisht. Iu duk një emër i jashtëzakonshëm që, qoftë edhe prej vlerave të tij, e meritonte një novelë. U njoh më pas me ngjarjet e lagunës më të famshme të Shqipërisë…
U kuriozua për historitë e njerëzve që jetonin brenda atyre pak pallateve të zymtë që ishin vendosur si shtylla mes baltës e lagështisë. Njerëzit brenda dikur kishin jetuar si ai vetë, nëpër burgje. Por, ndërsa Velo i ishte rikthyer kryeqytetit, këta njerëz- -hije shkonin e vinin në një copë rrugë, uleshin nën një hije, i shtynin me këmbë një kockë një qeni dhe, e shumta, uleshin aty… te kafja. E vetmja kafe e asaj copë toke të plasaritur nga padobia. “Baraka e kafenesë ishte e veçuar si një lumturi e trishtuar. Heshtja në qiell ishte e rëndë me një hije gri të ndarë me shirita.
Një qen i vetmuar që vinte rrotull ishte paqësor dhe grumbullonte e lëpinte kockat që hidhnin njerëzit, po kamerieri dilte papritmas dhe e gjuante me një hu që e mbante përskaj derës. Qeni angullinte, vraponte, kapërcente kanalin, por pas dhjetë minutash kthehej prapë. Toka ishte e errët me një përzierje ngjyrash kafe të errët, të zezë plumbi dhe një grije të shndritshme që ishte krijuar nga mineralet e thara të kripës. Kështu lindi “Klubi Karavasta” në vitin 2004, ndërsa sot, në 2016, ka sjellë të tjera ngjarje që, ndërthurur me të parën, bëjnë një dekadë vërtet tronditëse.
Çfarë ka ndodhur pas botimit të “Klubi Karavasta” të parë, a keni zbuluar ngjarje të reja që e plotësuat romanin?
Edhe për shkak të tirazhit të vogël, romani nuk ishte më në treg, thuajse ishte harruar sepse kishin kaluar edhe shumë vite. Mirëpo u rikthye sërish në vëmendje për shkak të filmit “Bota” të regjisores Iris Elezi. Shfaqja e filmit, dhe fakti që skenari i këtij të fundit është kopje e romanit, më bëri të merresha me këtë problem të cilin, siç duket, nuk do ta zgjidhë askush sepse kanë dhënë paratë për të realizuar filmin.
Si fillim u detyrova ta ribotoj romanin e vogël për t’ua dhënë miqve që të bënin krahasimin. Sigurisht që të gjithë që e lexuan, aktorë e regjisorë ishin në anën time sepse faktet flisnin vetë, por askush nuk doli të flasë për këtë gjë. Madje, sot që po flasim bashkë, unë sapo kam marrë përgjigjen nga Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit, e cila më njofton pas njëqind sorollatjesh e seancash se nuk mund ta lëshojë aktin “vendim përfundimtar”, si dhe nuk mund të vijojë shqyrtimin e kërkesës ankimore, për shkak të pamundësisë objektive.
ZSHDA më njofton se e ka të pamundur të bëjë krahasimin midis dy veprave, se Universiteti i Arteve, Dekanati i Fakultetit të Artit Skenik dhe Akademia e Shkencave e kanë të pamundur të bëjnë ekspertizën. Por, nga ana tjetër, ZSHDA-ja harron se në fakt, Universiteti i Arteve e caktoi Ylljet Aliçkën specialist për të bërë ekspertizën, por pastaj, për shkaqe që i dinë vetë ata se si i bëjnë punët, nuk e konsideroi më. Pra, kjo është situata prej disa kohësh tashmë.
Vizatim i Maks Velos
Regjisorja Iris Elezi vazhdon të mos përgjigjet për këtë çështje, por së paku bëri një gjë të mirë, nxiti plotësimin e romanit me një pjesë të dytë.
Po dhe në fakt është një gjë, që nuk e pata menduar se do të ndodhte. Siç mendoj se nuk do të kisha shkruar ndonjëherë, nëse nuk do të kishte qenë për burgun. Gjithë absurditetet e atjeshme, gjithë absurditetet që kam dëgjuar më vonë, mashtrimet, ligësia, të gjitha këto ndikojnë gjithashtu për të shkruar. Këtu ku jetojmë ne, njeriu mbushet aq shumë sa s’mund të jetojë dot nëse nuk zbrazet.
Ne jetojmë në falsitet dhe nuk e kam fjalën për ne sot, por ne që prej pushtimit osman. Çfarë mund të presësh nga një popull që e zgjidh gjithçka me shpatë? Një popull që i falej vetëm shpatës, që nuk ka asnjë lidhje me artin, nuk ka një vegël muzikore, nuk ka një kompozitor, një pikturë asgjë?…
Po të shtosh pastaj edhe komunizmin, apo këto vitet e tjera më pas, vetëm subjekte librash bëhen…
Ato ca më keq! E gjithë atmosfera, i gjithë ambienti është shkak për të shkruar. Pastaj pata edhe një ambicie që nuk e ka dhënë njeri, për të shprehur vijimësinë e 10 viteve, meqenëse “Klubi Karavasta” plotësohet me atë çka ndodh në ’97 e deri në vitin 2000 në atë vend. Ti nuk e ke parë, por në atë vit unë shkoja në Opera dhe bashkë me sopranon dëgjoja edhe kërcitjen e armëve. Imagjinoni një komb që nuk do të punojë dhe bën Suden mbretëreshë të Shqipërisë! Çfarë mund të presësh!? Ç’komb është ky?!
Pavarësisht problematikave bashkëkohore, ngjarjet e komunizmit vazhdojnë të jenë njësoj të pranishme…
Patjetër, e thashë pak më lart, të mos ishte për absurdin e tyre, unë ndoshta nuk do të shkruaja. Mendimet që më ngacmon ajo kohë i kam në zhvillim të vazhdueshëm. Në komunizëm njerëzit pranojnë të vuajnë në mënyrë të njëjtë, por jo të jenë të lumtur në të njëjtën mënyrë.
Komunizmi niveloi gjithçka, ne kishim njësoj kuzhinën, pardesynë, dhomën e gjumit. Prej shtypjes, prej kontrollit të gjithçkaje, binin edhe reflekset seksuale. Ti doje të puthje një vajzë në rrugë, por nuk mundeshe, ishte e ndaluar. E njëjta gjë po ndodh tani në Kore. Atje bie shi, ata qajnë pse u laget portreti i drejtuesit.
Në pjesën e dytë të “Klubi Karavasta” kanë hyrë dendur disa personazhe të rinj. Prostitutat e rikthyera janë disa prej tyre… Bisedat e tyre banale, vende-vende, të shkëpusin nga atmosfera. Pse i keni futur?
Ishte e domosdoshme prania e tyre për të balancuar gjendjet e rënduara. Ka shumë mendime që duheshin thyer, përndryshe bëhesh i mërzitshëm dhe i zymtë.
Çuditë e komunizmit, nuk të lënë asnjëherë të mërzitesh…
Kjo është e vërtetë, absurdi i tij është qesharak përtej kufijve. Nuk pranonte vetëdeklarimin. Demokracia, për shembull, e pranon vetëdeklarimin. Hetuesi më thoshte je armik, unë i thosha nuk jam armik, sepse unë për ju kam votuar gjithmonë dhe këtë mund ta vërtetoni, pasi në zonën time keni fituar 100%. Shteti nuk të besonte për asgjë. Një gjë tjetër që më thoshin ishte se më kishin parë të rrija ulur, vetëm e i menduar, te Parku Rinia. Po,- u thosha,- ku është e keqja këtu?!
Kjo tregon që je i pakënaqur. Do të thotë që të arrinin deri aty sa të bënin të ishe i dyzuar. Unë i thosha jam me ty, ata thonë jo, nuk je me ne. Në fakt, preka këtë temë të shtjelluar në libër, i ngacmuar nga një letër që lexova pak kohë më parë e Liri Belishovës, që i dërgonte Enver Hoxhës. Mes të tjerash ishte një fjali e saj që thoshte: “Njeriu nuk mund të mos dijë se çfarë ka bërë dhe çfarë ka menduar!”.
Janë disa personazhe në libër që nuk njihen me njëri-tjetrin, nuk takohen, megjithatë diçka i lidh…
Kështu është. Sa njerëz nuk njeh ti, sa nuk kam njohur unë të kohës e vuajtjeve të mia, megjithatë kam ndarë me ta të njëjtin fat, na ka vrarë i njëjti sistem. Njësoj po ndodh edhe në katrahurën e kohës ku po jetojmë sërish unë edhe ti. Jetët paralele më kanë tërhequr gjithmonë. Është një personazh në libër, Rikard Richi, unë nuk e kam njohur kurrë, megjithatë nuk mund të mos shkruaj për të, nuk mund të mos interesohem për historinë e tij të jashtëzakonshme. Kur njerëzit jetojnë në një epokë të caktuar, në një vend të caktuar, le të mos njihen, diçka patjetër i lidh.
PJESË NGA LIBRI
Seksi si shpëtimi i botës
Futem në autobus, në xhamin e majtë ishte një vajzë me fytyrën dhe shikimin jashtë. Kish qafë e shpatulla të bukura, lëkurë të bardhë, një bishtalec të lidhur. Fytyrën nuk po ia shihja dot akoma. Duhet të ish e bukur! Dhe ashtu doli vërtet! Autobusi ndaloi në stacion. Kur po zbrisnim, i lirova rrugë dhe i buzëqesha. Zbriti e para, ndaloi pak, eci ngadalë dhe më foli…
– Të njoh… po më shihje gjatë gjithë rrugës!
Mbeta i hutuar!
– Po, nuk e dija që qenke kaq e hijshme!
Kanë një shqisë të veçantë që meshkujve i mungon. Kapin në ajër çdo vështrim që iu drejtohet, çdo mendim që ke për to. I deshifrojnë pa u gabuar, sidomos kur të bëjnë përshtypje ose kur të magjepsin. Kanë një shqisë të pestë.
– Një seks, apo tërë botën…?
– Nuk kuptoj, ç’do të thuash?!
-Po ja, dua ta di prej teje se s’kam bërë sefte… pse është si magnet?
Sikur të të thoshin o seksin, o botën, kë do të zgjidhje?
Dua të them o tërë botën shëtisje, të ishe i pasur, por ama si eunuk… të mos shijoje asnjëherë një marrëdhënie seksuale…, kë do të zgjidhje?
Sigurisht seksin e femrës pa u menduar fare, se seksi është bota e tërë. Bota e tërë nuk e zëvendëson atë. Dhe kur vjen në moshën time, e vetmja gjë që të mundon janë rastet që kishe mundësi dhe i neglizhove, nuk i përfundove. Të bëhen si një top i zjarrtë që më del parasysh dhe nuk më largohet. Tërë eksperiencat seksuale të duken një… dy femra, më të bukurat, më kanë pyetur pas aktit se çfarë ndjeva… si t’u duk më thanë… o, u përgjigja, si në qiell…, asnjëherë më parë nuk kam pasur një kënaqësi të tillë… u kënaqën… këtë donin… një vlerësim mbi të tjerat! Kurse një grua e mençur e hapur dhe e sinqertë më tha: “Dëgjo, që kur e kam bërë për herë të parë, aty e kam mendjen”.
Mirela çeli një butik, e bleu dyqanin, e ka mbushur me tualete: parfume të kuq buzësh, kremra, bojë flokësh… i solli me një kamionçinë nga trageti.
Po kush do t’i blejë moj?…
– E ke gabim, e di si tha… atje hapa shalët, këtu do të hap dyqanin se u lodha. Tani do të bëhem biznesmene. Janë dhjetë fshatra rrotull… do të vijnë të blejnë… se tani, që ta dish, meshkujt më parë të nuhasin… i duan me erëra të mira… është shtuar konkurrenca se aty poshtë njëlloj është të thonë… -Do të bëjmë një party, do të mbledhim shoqërinë këtu te kafeneja, lajmërova orkestrën e Lushnjës, Hyrkën se ata lozin tallave…
– Po me ç’rast kjo?
– E po me sa duket nuk e ke marrë vesh, na martohet Luli me Pëllumbin… do të shkojnë në Greqi.
– A na lejojnë?
– Kush moj të mos na lejojë, kur marrin ato çeqet tona me postë ju vjen mirë?! Ke parë të protestojë njeri? Hiç mos ki gajle! Ne jemi stare! Lufta bëhet atje në trotuaret, por si ne s’ka se sa për këta këtej kafeneve rrinë gjithë ditën. Europën e pushtuam ne! Lavdia e Karavastasë jemi ne se këta nuk i njeh njeri… mua më vijnë, më kërkojnë me emër… ku është ajo Xhani thonë?! Ama i kënaq! Orkestra mbaroi këngën “Moj sulltaneshë moj”. Vajzat u ulën nëpër vendet.
– Moj Mira, se ti je e kënduar… ç’është kjo fjala që e kam dëgjuar këto ditë moj dhe nuk e di?!
-Ç’fjalë moj Zenepe?!
– Tranzicioni!
-Po si të ta shpjegoj… atje në aeroport ke lexuar tranzit, pra kalimtare, afroje veshin të mos na dëgjojnë… tranzicioni do të thotë të ta bëjnë nga mbrapa.
– Si?! Vërtet?!
E që ta dish s’kam lënë njeri të ma bëjë nga mbrapa… madje kam humbur goxha lekë, por s’kam pranuar!
Pra, kjo qenka?! Prandaj e kanë kaq inat moj, s’paskan faj! Po s’i dihet, mos lavdërohem kot… se një ditë edhe mund të pranoj… me moshë edhe mund ta pranoj tranzicionin. Edhe këta të shkretë, s’kanë nga venë…, por e kaluan tranzicionin ama…
– E ke gabim, nuk e kanë kaluar akoma, vazhdon, s’i dihet kur do të mbarojë… se ka edhe tranzicion pa fund… kur ta mban gjatë brenda!
Orkestra filloi: Lalë i Karavastasë/ si zogu pa fole/ vërtitesh te pylli me pisha/ të gjuash një nga ne…
– Aj gëzuar… me fund!
– Gëzuar… sikur jemi zënë një herë bashkë?!
– E mbaj mend, në autostradën e Torinos!
– Ti ule çmimin.
– S’e kisha fajin unë…
– E di, e di, ai Bajram Shëllira.
– Jo po që ta dish unë nuk e ul pazarin, ata pepinot çmenden pas meje…, ku është ajo femra thonë?!
– Dhe unë aq e kam, 50 euro ora, 100 në motel.
– Ë mo ju të orkestrës, si shumë e zgjatët pushimin! Duam atë këngën korçare “Kur fërkohen bythkat e tua” atë, atë duam…. Orkestra: “Fieri mbuloi luadhet tatëpjetë/ leshi kaçurrel ngritur përpjetë/ o të putha vendinë/ në majë të Shëndëllisë/ kur fërkohen bythkat e tua/ motori ndizet vetiu/ lumturia jote kërcet si zjarri/ me dëllinjë/ në krroi pandesë/ në errësitë do të t’i lëpijë shalëtë/ si krikllën e birrës… Vajzat duartrokitën pa pushim.
– Ka pirë tri gota, shiko si kërcen!
– Po këto mo e shpëtuan Shqipërinë, se përpara thoshim të puthsha në ballë, tani themi të puthsha atë seksin e fermës… është markë e cilësisë së lartë! Enveri donte të përhapte marksizmin, por s’e bëri dot… kot mo… Këto e bënë të njohur Shqipërinë! Se po shkove një herë me njërën, nuk e harron vendin e tyre, u bë me pionierët e Enverit! Kurvat janë e vetmja organizatë e vullnetarëve pa kufi, e vërtetë! Ato nuk njohin raca, besime, grada, tituj, shtetësi…
Janë e vetmja demokraci e vërtetë! Është i vetmi parlament, ku meshkujt shkojnë pa pasur nevojë të zgjidhen! Vetëm aty populli mashkullor rrëfehet pa hipokrizi, rrëfehet me të vërtetë. Kurvat vendosin barazi dhe drejtësi, nuk janë si gjykatat tona! Kurvat janë të vetmet që sjellin mirësinë e munguar. Vepra shëruese e kurvave nuk krahasohet me asnjë tjetër, ajo shtrihet në shekuj, mbuloi tërë hapësirën tokësore! Trupi i tyre është libri që nuk ka për t’u lexuar kurrë! Është i vetmi korpus i pashkruar. Është sekreti i madh i historisë njerëzore!
ma.me