Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur sot në seancën e radhës të Komisionit Hetimor për CEZ.
Pas kërkesës së bërë nga deputeti Taulant Balla, që i bëri thirrje nga Kuvendi ish-kryeministri Sali Berisha që të shkonte për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për çështjen CEZ, ai nuk ka pranuar që të jetë prezent.
Mësohet se Berisha ishte thirrur si dëshmitar për t’u paraqitur në seancë. Dy javë më parë, nga foltorja e parlamentit, deputeti Balla i kërkoi Berishës të paraqitet në komisionin hetimor të ngritur për çështjen e CEZ, në të kundërt do të angazhohet policia për ta sjellë, në bazë të ligjit që kanë komisionet hetimore, raporton panorama.
“Zoti Sali Berisha, je thirrur dëshmitar në këtë komision për të dëshmuar. Kemi marrë një përgjigje nga kreu i PD se në seancën e parashikuar para pak kohësh s’kishe mundësi të vije, se vetë nuk përgjigjesh ti. Tani po ta them këtu në sallën e Kuvendit të Shqipërisë sipas ligjit për komisionet hetimore, je i detyruar të vish me vullnet të lirë, në të kundërt do ti kërkojmë Policisë së Shtetit të të sjellë me zor në komision hetimore, ta dish”- i tha Balla.