Nga Mirdita, lideri i demokratëve Lulzim Basha është shprehur se rasti me punishten e drogës ishte një shembull se policia, nën urdhërat e Ramës dhe Ministrit Tahiri, sillet si pulë kur vjen puna për të kapur drogën, por ndryshe është situata, kur një qytetar gjobitet për rripin e sigurimit, apo se ka vënë një tjegull në çatinë e shtëpisë së tij.
“U rrethua ish-pularia sepse ishte sinjalizuar prani e madhe e drogës. Çfarë ndodhi?! Policia e Rrëshenit u tërhoq, iku fare nga skena, Policia e Lezhës nuk pranonte të ndërhynte. A nuk janë këta policët që i marrin shpirtin qytetarit se nuk ke vënë rripin e sigurisë?! A nuk janë këta që Saimir Tahiri i çon për të marrë fermerin, fshatarin, qytetarin që vë pesë tjegulla në çatinë e vet dhe i rras brenda, i terrorizon, apo për një faturë tatimore, apo për çështje të energjisë dhe kur shkojnë te pularia për të kap drogën sillen si pulat vetë.” – theksoi kryedemokrati.
Në mbi 3 vjet qeverisje, tha kreu i demokratëve, Edi Rama ka treguar se i vetmi shqetësim i tij është pasurimi i tij dhe klientëve të pushtetit dhe fama personale me ekspozita dhe promovime libri.
“Sot në Shqipëri kemi një qeverisje e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vet dhe vetëm për pushtetin e vet. Sot në Shqipëri kemi një regjim i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vet. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit. Për paratë dhe pushtetin e vet Edi Rama e ka shndërruar buxhetin e shtetit në pasurinë e tij private me të cilën pasurohet ai dhe një grusht njerëzish.”- tha Basha./java/a.k