Tirana është një ndër ekipet më të paguara në Kategorinë Superiore. Bardheblutë prej vitesh kanë një buxhet marramendës, ndërsa vetëm për pagat e lojtarëve në muaj, drejtuesit shpenzojnë afërsisht 70 milionë lekë (të vjetër). Dhe, me një llogari të thjeshtë, kur në futbollin tonë paguhen vetëm 10 muaj, kostoja për të gjithë vitin shkon në 700 milionë lekë (të vjetër gjithnjë). Një buxhet për titull ky.
Milionerët
Pas një hulumtimi të bërë nga “Panorama Sport”, rezulton se nga kontingjenti aktual më i paguari është Erjon Vucaj. Shkodrani i mesfushës merr afro 6 mijë euro në muaj. Ndërsa paga të larta kanë edhe lojtarë si Karaneci, Gilman dhe Ilion Lika. Dikush paguhet me euro dhe të tjerë me dollarë apo lekë. Por shifra mund të rritet ndjeshëm në rast se Tirana në fund të këtij edicioni arrin që të presë një “biletë” europiane. Pjesëmarrja në Kupat e Europës do të përkthehej me rroga shtesë (pasi do të shtohej edhe muaji korrik dhe gusht). Megjithatë, ky shpenzim do të mbulohej me dëshirë nga ana e drejtuesve, pasi përfshirja në këto kompeticione do të shtonte edhe përfitimet financiare.
Afrikanët
Sakaq, nga të huajt që Tirana ka marrë në merkaton e verës, ata që i kushtojnë më shumë klubit janë Ifeani Edeh (4 mijë euro në muaj) dhe Romuald Ntsitsigui (që merr afro 4500 dollarë në muaj). Ndërsa dy kongolezët, ata që po bëjnë paraqitje realisht të mira me fanellën e bardhebluve, marrin vetëm nga 2 mijë dollarë. Merveil Ndokyt dhe Moise Nkounkou, që janë vlerësuar nga opinionistët si afrikanët që po bëjnë diferencën, në momentin që firmosën kanë marrë secili nga 10 mijë dollarë në dorë, çka do të thotë se në vit ata i kushtojnë klubit nga 30 mijë dollarë. Për t’u theksuar është një tjetër fakt. Ndodh që të ketë edhe ndonjë ulje nga kostoja mujore, pasi ka nga ata lojtarë paguhen në bazë të minutazhit, megjithatë kjo varet nga klauzola që mund të kenë përfshirë në kontrata e tyre.
Buxheti
Buxheti sezonal shkon shumë më shumë, pasi, veç rrogave të lojtarëve, në këtë listë detyrimesh nuk janë shtuar pagat e stafit teknik, punonjësve të tjerë në ekip apo edhe kostot javore për çdo ndeshje, që lidhen me trajtimin ushqimor, udhëtimet në transferta apo akomodimi. Ndaj pa frikë mund të thuhet që shpenzimet shkojnë në 1 miliard lekë (të vjetër). Detyrimet ekstra në vitin e fundit kanë qenë shumë herë më të mëdha, pasi janë shlyer edhe një mori borxhesh nga drejtuesit. Deri më tani janë likuiduar në masën 95% (referuar asaj që deklaroi vetë Refik Halili në konferencën e fundit).
Panoramasport/d.i.