Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, i dorëhequr në përfundim të mandatit, Ardian Nuni, rezulton se është kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.
Kallëzimi penal ndaj Nunit është bërë nga shtetasi Aleko Afezolli, i cili pretendon se Nuni në bashkëpunim me kancelarin e gjykatës ka marrë procesin e gjykimit të Afezollit në këtë gjykatë dhe pse më parë ishte caktuar gjyqtari Artan Boci.
Ky kallëzim i Aleko Afezollit është verifikuar e hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më 3 mars 2016 është vendosur që hetimi të pushohet, pasi sipas prokurorisë fakti i pretenduar nga kallëzuesi nuk përbën vepër penale.
Pas këtij vendimi për të mos hetuar më tej mbi akuzën e ngritur ndaj gjyqtarit Nuni, Aleko Afezolli i drejtohet gjykatës së lartë ku kërkon që të detyrohet prokuroria të rihap hetimet.
Këtë kërkesë e kanë shqyrtuar kolegët e Nunit, mes tyre Artan Zeneli, Andi Çeliku, Medi Bici, Admir Thanza , Artan Broci të cilët kanë vendosur që kjo padi të gjykohet pranë Dhomës Penale të Tiranës për shkak të kompetencës.
Me vendimin e 12 tetor 2016 me vendimin 14 një kopje të së cilës ReportTv disponon, kolegët e Ardian Nunit kanë vendosur “Deklarimin e moskompetencës së Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për shqyrtimin e çështjes penale nr. 14/2016 akti me kërkues Aleko Afezolli dhe dërgimin e saj në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila është kompetente për shqyrtimin e saj”.
Nëse gjykata do vendos të rihetohet Nuni ky do të jetë rasti i dytë në pak kohë ku trupa gjyqësore e gjykatës së lartë vihet nën akuzë pas rastit të gjyqtares Majlinda Andrea, tashmë të pezulluar nga detyra dhe e marrë e pandehur me akuzën e korrupsionit pasiv.
shqiptarja.com/d.i.