Jemi vetëm pak orë larg nga ndeshja Shqipëri-Izrael që do të luhet këtë të shtunë në “Elbasan Arena”.
Masa të larta sigurie janë marrë prej ditësh por ajo që duket sot në rrugët e qytetit, është një pamje sikur të kujton gjendjen e luftës.
Forca të shumta policie, rreth 2000 efektivë janë prezente që në rrethrrotullimin e Bradasheshit deri pranë stadiumit.
Situata po ashtu po monitorohet edhe nga ajri, pasi mbi qytet është parë të qarkullojë vazhdimisht një helikopter. Këto foto tregojnë më së miri angazhimin e forcave të rendit për sigurinë gjatë ndeshjes, për shkak të frikës nga terrorizmi.
4 orë para ndeshjes, Policia e Shtetit ka zbarkuar para stadiumit “Elbasan Arena” duke filluar përgatitjet për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së zhvillimit të takimit. Edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit u mundua ditën e djeshme të krijonte përshtypjen e një situate krejt normale, fotot e numrit të forcave policore e tregojnë më së miri që kemi të bëjmë me një rast të paprecedent.
Ky organizim me masa kaq ekstreme sigurie vjen pas ndryshimit të stadiumit të zhvillimit të ndeshjes, nga “Loro Boriçi” në “Ebasan Arena”. Njoftimet e disa ditëve më parë të Mossad-it, shërbimit sekret izraelit, se disa persona po planifikonin sulme terroriste në Shkodër gjatë zhvillimit të ndeshjes, u shoqëruan me arrestimin e 4 shtetasve shqiptarë nga policia shqiptare. Pavarësisht kësaj, FIFA kërkoi ndryshimin e stadiumit për arsye sigurie.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë një ndeshje sonte në mbrëmje në stadimuin “Elbasan Arena” kundër skuadrës së Izraelit, e vlefshme për kualifikimet për Botëror.
Koordinatori Kombëtar i Luftës Kundër Ekstremizmit tregoi dje hetimet që u kryen derisa u zbuluan 3 personat e dyshuar për një sulm të mundshëm në stadiumin e Shkodrës gjatë ndeshjes me Izraelin.
Ndërsa pranoi se ka pasur një rrezik real, por për rastin e ndeshjes nuk ka pasur pritshmëri të një alarmi paraprak. Agron Sojati, i cili më herët ka qenë drejtues i strukturave të Antiterrorit, konfirmoi se në luftën në Siri dhe Irak janë vrarë 23 shqiptarë dhe 40 janë kthyer.
I ftuar në emisionin “Opinion”, në televizionin “News 24”, Sojati tha se stadiumi “Elbasan Arena” i ka kaluar të gjitha testet e sigurisë dhe nuk duhet përhapur panik.