Përplasjet mes anëtarëve të Unionit të Prokurorëve, janë bërë serish shkak për anulimin e mbledhjes së Asamblesë, nga e cila do të vendosej, nëse prokurorët do t’i drejtoheshin ose jo Gjykatës Kushtetuese për t’u pranuar si palë në procesin gjyqësor në përfundim të të cilit do të vendoset nëse Ligji i Vettingut bie ndesh me Kushtetutën sikurse pretendon Partia Demokratike.
Fillimisht, Unioni informoi përmes një e-maili anëtarët e tij, se strukturat drejtuese do të mblidheshin me datë 5 nëntor 2016 dhe do të vendosnin për qëndrimin zyrtar që do të mbahej lidhur me ligjin e Vettingut. Përmes një e-maili të dytë, Unioni informonte anëtarët se asambleja nuk do të mblidhej me datë 5, por një javë më vonë, me 12 nëntor.
Papritur, prokurorët janë informuar sërish, se mbledhja ishte vendosur të shtyhej sërish në një afat të pacaktuar, por pa u dhënë asnjë shpjegim të mëtejshëm. Një burim tha për televizionin News24 e BalkanWeb, se shkak për shtyrjen e mbledhjes, nuk janë problemet organizative, sikurse informohen prokurorët me e-mail, por përplasjet e ashpra mes tyre, pro dhe kundër ligjit.
Në kushte të tilla, kur nuk kanë një qëndrim të unifikuar, Unioni e ka heshtur dhe s’ka mbajtur asnjë qëndrim për ligjin e shumëdisktuar, i cili përbën thelbin e reformës në drejtësi. Ndërsa Unioni i Gjyqtarëve, vendosi ta cilësojë si antikushtetues ligjin e Vettingut dhe këtë qëndrim do të mbajë edhe në seancën e 22 nëntorit, që pritet të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi ta pezullojë ligjin “për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim. Ligji i Vettingut u ankimua në Kushtetuese nga Partia Demokratike.
ma.me