Diskutimi i buxhetit të ri në Kuvend ka sjellë përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Për ish-ministrin Bode rritja e pagave nuk mjafton, por ministri aktual Arben Ahmetaj është përgjigjur se kjo është rritja më e madhe që është bërë ndonjëherë.
“Është një rritje pagash e cila nuk mbulon dot rritjen e çmimeve në katër vjet. Është e vetmja rritje dhe e fundit që u bëhet nëpunësve publikë në mandatin e kësaj qeverie”, thotë Bode.
“Fondi për rritjen e pagave në 2009-2013 ka qenë 3.2 miliardë lekë, ose 32 milionë dollarë po e marrë për thjeshtësi. Vetëm në 2017 jepen 100 milionë dollarë. Me cilin vit të tyre ta krahasojmë?!”, deklaron Ahmetaj.
Ministri i Financave tha se nga rritja e pagave dhe pensioneve përfitojnë mbi 600 mijë qytetarë, por sipas tij këta nuk janë të vetmit
“Zgjerohet rimbursimi i ilaçeve. Nga kjo përfitojnë 600 mijë qytetarë të tjerë. Janë ulur çmimet e ilaçeve dhe tarifat për vizitat në spitale shkojnë drejt zeros”, shprehet kreu i Financave.
Por për Ridvan Boden, shtresat në nevojë janë ato më të braktisurat nga politikat e qeverisë.
“Ky është buxheti i dështimit të kësaj Qeverie, që tregon se programi i saj ishte një mashtrim”, thotë Bode.
ma.me