Nga Flogert Muça
Hipokrizisë së portaleve pranë Berishës e Bashës, por edhe fjalimeve sot në Parlament të përfaqësuesve të opozitës, apo edhe Ben Blushit, përgjigjen më të mire ua dhanë Presidenti Obama dhe Presidenti i zgjedhur Trump, të cilët pas takimit në Shtepinë e Bardhë, folën shkurtimisht për median.
Dy njerëzit që gjatë muajve të fundit u bënë pjesë e debatit më të ashpër në historinë e zgjedhjeve amerikane, që nuk lanë fjalë pa thënë kundër njëri tjetrit, sot u shfaqën të paqtë dhe më miqsore se kurrë.
Trump, i cili e ka cilësuar Presidentin Obama si Presidentin më të keq e më të paaftë, si fatkeqësinë më të rëndë që i ka ndodhur Shteteve të Bashkuara, si muslimanin fondamentalist të cilit nuk i dihen as rrënjët familjare, u shpreh sot se për të Obama është një person i respektuar dhe shumë i mirë. “Takimi që duhet të zgjaste jo më shumë se 10 minuta, ka zgjatur në fakt me shumë se 1 ore e gjysmë”, u shpreh Trump. “E për sa më takon, mund të kisha vazhduar të merrja këshillat e Presidentit Obama pa fund”, tha Presidenti i sapozgjedhur i SHBA. Trump theksoi se gjatë bisedës me Obamën ishte njohur me disa nga arritjet e Presidentit amerikan, edhe pse disa ditë më parë Donald Trump kish premtuar se do të anullonte çdo vendim të marrë nga administrata Obama.
Nga ana tjetër, Presidenti Obama tha se kish patur një takim të shkëlqyer me Presidentin e zgjedhur Trump dhe se do të ishte në shërbim të tij në muajt e mbetur të Presidencës. Obama i uroi Trump fat në detyrën e re duke theksuar se suksesi i Trump është suksesi i Shteteve të Bashkuara. Këto deklarata vijnë më pak se 48 ore pas fjalimit te fundit të Obamës kundër Trump, ku e cilësoi këtë të fundit si kandidatin më të papërshtatshëm dhe më të papërgjegjshëm që ka garuar ndonjeherë për President në ShBA.
Dhe teksa dëgjon se si Trump e Obama takohen dhe flasin me njëri-tjetrin, pavarësisht akuzave që kanë shkëmbyer në të kaluarën, është e lehtë të kuptosh sa qesharake është retorika e Berishës dhe Berishajve kundër kritikave që Kryeministri Rama ka bërë në të kaluarën ndaj kandidatit Donald Trump, kur ky i fundit sulmonte Kosovën, muslimanët dhe emigrantët.
Lexo.al