Një ekspozitë e fotografive moderniste nga koleksioni i Sir Elton Johnit është hapur në pjesën shtesë që quhet “Switch House” të “Tate Modern” bën të ditur BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Aty përfshihen portrete, natyrë e qetë dhe teknikat eksperimentale prej viteve ’20 deri tek vitet ’50. Sir Elton e quan fotografinë “një prej formave më të rëndësishme dhe progresive të artit të shekullit XX”. Janë 25 fotografi të Man Ray, figurës së rëndësishme në lëvizjet dadaiste dhe surrealiste, në një ekspozitë që përfshin edhe fotografinë “Glass Tears” të realizuar në vitin 1932. Sir Elton theu rekord për fotografi të shitur në ankand kur pagoi 125 mijë funte për të. Ai nisi të blinte fotografi pasi që doli nga qendra e rehabilitimit në vitin 1990.
“Është varësi më e shëndetshme të blej fotografi, kështu që vetëm ndryshova taktikën”, është shkruar në katalogun e ekspozitës. Ai ka rreth 8 mijë fotografi në koleksionin e tij privat që datojnë prej vitit 1910 deri më sot. Një prej fotografive më të preferuara të tij në ekspozitë është “Migrant Mother” e cila është realizuar gjatë “Depresionit në ShBA”.
“Më pëlqen fakti se fotografia është kaq e bukur dhe në të njëjtën kohë situata është aq e tmerrshme. Gjithmonë e quaj Mona Lisa e fotografisë. Fytyra e saj është aq elegante dhe madhështore, ani pse ajo po kalon në periudhat më të vështira të jetës së saj, duke u munduar që të ushqejë dhe vesh fëmijët e saj”. Fotografia e Man Ray “Noire et Blanche” – e shfaqur në ekspozitë me “Noire et Blanche” në negativ (1926)- zakonisht rri e varur në dhomën e gjumit të Sir Eltonit.
“Rri e varur mbi shtratin tim në Atlanta. Nëse vdes dhe ajo bie nga muri, atëherë të paktën do të vritem nga Man Ray”, ka thënë ai.
Sir Elton thotë se dëshiron që “gjithsecili që del nga galeria të mendojë për artistët prapa këtyre imazheve dhe të mahnitet sesi ata eksperimentuan dhe ndryshuan mënyrën sesi i shohim gjërat”. Këto deklarata i ka thënë kur ka folur për fotografinë “Nusch Eluard” të Man Ray. Ai ka thënë se fotografët po “shkonin atje ku asnjë fotograf tjetër nuk ka qenë më parë”.
“I konsideroj aventuristë të vërtetë dhe ajo që bënë ata është e jashtëzakonshme”. E këto fjalë i ka thënë tek ka përshkruar pozën lakuriqe të një vajze, të realizuar nga Edward Weston.
Ndërsa për fotografinë e Salvador Dalit si model të realizuar nga Irving Penn, ai ka dhënë komente tjera. Sipas Sir Eltonit, koleksionet e Pennit e inspirojnë dhe e mbushin me gjallëri.
“Jam shumë me fat që pata mundësinë të jetoj me këtë lloj arti. Nuk e heq. Është në murin tim”, ka thënë ai.
Sir Nicholas Serota, drejtori i “Tate Modern” ka thënë se kjo ekspozitë është titulluar “The Radical Eye” për “t’ua përkujtuar të gjithëve sa origjinal dhe sfidues ishin fotografët e viteve, ’20. ’30 dhe ‘40”. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më datën 7 të muajit maj të vitit të ardhshëm, përgatiti Koha. (b.an)