Si rezultat i reshjeve të dendura që kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit gjatë këtyre ditëve, janë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit.
Nisur nga gjendja sinoptike në përmirësim, në të gjithë territorin e vendit si dhe ndjekja hap pas hapi nga ana e FA-së së aktivitetit dhe angazhimit të kapaciteteve operacionale të njësive dhe reparteve të FA-së në zonat e rrezikuara, dhe duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, në operacion janë aktivizuar rreth 200 forca, mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të ndërhyrjes së menjëhershme.
Në qarkun Shkodër u angazhuan dhe janë në gatishmëri 36 forca, mjete të kalueshmërisë së lartë si dhe motobarka shpëtimi.
Janë evakuar, 25 banorë, në fshatin Obot, Kuç dhe Oblikë, Shkodër. Mjetet kanë qëndruar në gadishmëri në pika kyçe (Harku i Bërdicës, Kuç, Obot, Oblikë), për të ndërhyrë në raste të përkeqësimit të situatës.
Në qarkun e Vlorës dhe në qarkun e Fierit janë të angazhuara 16 forca dhe mjete të kalueshmërisë së lartë, motobarka dhe motorpompa.
Forcat dhe mjetet qëndruan në gadishmëri, në pritje për të ndërhyrë në rast nevoje.
Në qarkun e Tiranës, në zonën e Babrusë vijojnë të jenë angazhuara 10 trupa, mjete dhe motorbarka shpëtimi.
Tek Pallati me Shigjeta kanë ndërhyrë dhe janë të angazhuara 10 forca, motopompa dhe mjete të tjera shpëtimi. Ndërsa në afërsi të “City Park” u angazhuan 10 forca dhe mjete zjarrfikëse. Gjithashtu janë të angazhuara forca dhe mjete në afërsi të Arkivës së Sigurimeve Shoqërore në Lundër.
Ndërkohë që në qarkun e Lezhës, FA-të kanë ndërhyrë që në orët e para të mëngjesit me mbi 91 trupa ushtarake, motogjeneratorë të fuqishëm, motopompë, fadroma, ekskavator, mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mbi 500 thasë me rërë.
Në qarkun Lezhë është punuar për përforcim argjinaturash, pastrimin e bodrumeve dhe kateve të para të pallateve dhe bizneseve nga uji dhe papastërtitë në qytet dhe rrethinat e qytetit, ndërtime pritash në afërsi të Lumit Drin, kanaleve kulluese, shpërndarje bazë ushqimore për bagëtinë, vendosje thasësh me rërë në sasinë 500 copë. Në Milot dhe fshatin Dukagjin i Ri, janë hedhur 80 m3 inerte.
Në zonën e Fushë-Krujës janë në gatishmëri 30 forca dhe mjete të kalueshmërisë së lartë si dhe motobarka shpëtimi.
Në Bashkinë Burrel janë në gatishmëri 10 forca dhe mjete të kalueshmërisë së lartë.
Në Bashkinë Laç janë të angazhura 10 forca dhe mjete të kalueshmërisë së lartë.
Efektivë të Forcave të Armatosura janë të pranishëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë në të gjithë territorin e vendit, ku lind nevoja për operacione kërkim-shpëtimi në këtë situatë përmbytjeje nga shirat e shumta.
Ndërkohë, janë vendosur në gatishmëri shkolla e Bunavisë, Batalioni i Tretë i Këmbësorisë në Poshnje si dhe Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale në Gjirokastër.
Gjatë këtyre tre ditëve situata e reshjeve po shkon drejt normalizimit. Rreziku i përmbytjeve është akoma prezent sidomos nga çarja e digave dhe dalja e lumenjve nga shtrati.
Ditën e sotme priten reshje të tjera në të gjithë territorin, por më të pakta, kryesisht në Veri.
Më datën 11.11.2016, rreth orëve të mesditës priten reshje të tjera, duke u shtuar në mbrëmje vonë, por në sasi më të larta.
Më datën 12.11.2016 do të vijojnë reshjet, kryesisht në orët e paradites (në Veri në lartësi mbi 700 m, parashikohen reshje dëbore)./a.m.