Një epitaf kishtar me vlera të papërsëritshme rreth 300-vjeçare, i qëndisur me fije ari dhe argjendi dhe Kryqi i Argjendit, janë vjedhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Kishën e “Shën Spiridhonit”, në lagjen muzeale “Goricë”. Persona ende të paidentifikuar kanë mundur të hyjnë nga muri rrethues i kishës, nga një hyrje e pasme e saj dhe më pas janë futur në mjediset e brendshme të kishës, një prej objekteve me vlera të rralla të kësaj lagjeje.
Personi i parë që ka konstatuar vjedhjen mëngjesin e sotëm ka qenë punonjësi i Kishës, i cili pasi ka gjetur të dëmtuar derën e brendshme të Kishës ka njoftuar menjëherë policinë, shkruan Balkanëeb.
Ekspertët hetimorë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë kryer hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj vjedhjeje.
Famulltari i Kishës së “Shën Spiridhonit”, At Kristaq Subashi, saktësoi se, autorët pasi kanë hyrë brenda duke shqyer derën e pasme të kishës, kanë arritur të vjedhin Epitafin e Kishës, Kryqin prej argjendi që ndodhej në mes të Kishës, dhe kasën me lekët që ndodheshin brenda, ku besimtarët apo vizitorët i hidhnin për mirësi.
At Kristaq Subashi shprehet se, Epitafi ka vlera të papërsëritshme monetare e shpirtërore, ai i përket një periudhe 300-vjeçare dhe shërben për t’u lutur gjatë riteve fetare të “së premtes së zezë”. I së njëjtës periudhë ishte edhe kryqi prej argjendi, ndërkohë që kasa, siç shprehet edhe famulltari i kishës, nuk kishte shumë vlerë monetare brenda.
Kisha e “Shën Spiridhonit” në lagjen muzeale “Goricë” në Berat, është vjedhur rreth 6 herë në harkun kohor të 5 viteve të fundit, por vjedhjet kanë patur objektiv vetëm kasën me shuma të pakta monetare, pa u cënuar inkonat dhe sendet e saj me vlerë, ndërkohë që për asnjë vjedhje nuk ka pasur autor të identifikuar dhe të arrestuar nga policia. (b.an)