Habi dhe mosbesim në fund të ditës së zgjedhjeve, sepse të ashtuquajturit ekspertë patën parashikuar rezultat tjetër. Koha deri në marrjen e postit tani duhet shfrytëzuar, mendon kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff.
Fitorja – fitorja e papritur e thellë – e Donald Trumpit ka sjellë një paralizë shoku. Të paktën në Evropë dhe në Gjermani. Këtu mbizotërojnë dallueshëm – me gjithë përpjekjet për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike – një qëndrim mosbesues për atë që ka ndodhur, hutim dhe tmerr. Motoja, motoja e duhur e këtyre orëve të para megjithatë është: askush nuk e njeh me të vërtetë Donald Trumpin. Natyrisht që planet e tij, ato që ka ndërmend, idetë e tij në fushatën elektorale u regjistruan – edhe stili i tij prej huligani, teprimet e tij, retorika e shpresave të gënjeshtërta, masohizmi i tij, racizmi i tij. Por natën e zgjedhjeve u pa edhe gatishmëria ose përpjekja e tij që pas kësaj lufte sharjesh e hedhjesh baltë SHBA të pajtohen me veten dhe që t’i trajtojnë partnerët në të gjithë botën me korrektesë. Për ta thënë thjesht: duhet pritur njëherë.
Askush nuk ishte i përgatitur për Trumpin
Megjithatë, në kryeqytetet perëndimore – dhe vetëkuptohet edhe në Berlin – zgjedhja e Trumpit është “worst case” (rasti më i keq). Për të nuk ishte përgatitur askush. Dhe askush nuk e di se kush do të vendosë së shpejti në politikën e jashtme, në politikën e sigurisë dhe në politikën e ambjentit. Sepse Trumpi është një person jashtë sistemit në Partinë Republikane. Pra ai nuk mbështetet në mendjet dhe në korifejtë e njohur. Me ata nuk ekzistojnë kanale, nuk ekzistojnë njohje joformale. Kjo nuk i bën gjërat më të lehta, sepse Trumpi ndoshta do të rrethohet ndoshta me njerëz që nuk kanë përvojë në parketin diplomatik dhe nuk kanë rrjetin e tyre.
Kjo vetëkuptohet që ka pasoja: në politikën ekonomike, në të cilën bëhet fjalë për tregtinë e lirë të përbotshme. Në politikën e jashtme dhe të sigurisë: këtu bëhet fjalë për Iranin; për Izraelin; për një veprim të mundshëm ushtarak kundër terrorizmit xhihadist, për imazhin e vetvetes të Uashingtonit në Lindjen e Afërme; për raportin e brishtë me Rusinë dhe me Kinën; për çështjen nëse e sheh veten si partner apo si rival të dy fuqive të tjera të mëdha – apo për kthim në izolacionizëm të theksuar. Fjala është edhe për raportin me aleatët. A është NATO-ja për SHBA edhe më tej sistemi kolektiv i sigurisë i Perëndimit? A do të deklarohet Trumpi pro politikës së aleancës? Apo beson ai se evropianët duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre? Ky është testi i rezistencës për Perëndimin.
Trumpi nuk është njeri i elitave të deritashme
Donald Trump është i panjohuri i madh. Ai përfaqëson – në mënyrë pak paradokse si miliarder nga New Yorku – triumfin e provincës mbi metropolet, fitoren e fshatit mbi qytetet. Në politikën e brendshme ai nuk është njeri i elitave të deritashme. Prandaj nuk do të jetë kaq e lehtë të gjendet qasje tek ai.
Por paraliza nga shoku ka edhe të mirat e saj. Ajo çon në qendrim të matur. Derisa Trumpi të hyjë në janar në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 45-të i SHBA, do të kalojë mjaft kohë, për t’u përshtatur me të. Zgjedhja e Trumpit është një moment kthese, mbase edhe një vendosje historike piketash. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë e barabartë me fundin e bashkëpunimit të deritashëm të Perëndimit. Por më e parehatshme gjendja do të bëhet padyshim, sepse një gjë Trumpi është me siguri: jokonvencional. (Marre nga radio gjermane “DW”).
Presidenti i ri Trump dhe planet e tij konkrete
Uljet e tatimeve dhe premtimet e mëdha të presidentit të ri Donald Trump. Po cilat janë planet e tij konkrete ekonomike dhe çfarë do të ndodhë me raportet SHBA-Gjermani?
Së pari do të ulim tatimet – me këtë premtim kanë përfituar në zgjedhje edhe kandidatët tjerë për president në SHBA dhe jo vetëm Donald Trump. Por ai tani duhet të realizojë një prej premtimeve për uljen më të madhe të tatimeve në disa dekadat e fundit. Varësisht prej të ardhurave, qytetari amerikan në të ardhmen duhet të paguajë vetëm 10, 20 apo 25 % tatime. Nga ky koncept duhet të përfitojnë ata që fitojnë pak dhe shumë. Personat që fitojnë më pak se 25.000 dollarë apo çiftet me më pak se 50.000 dollarë në vit nuk duhet të paguajnë tatime fare. Ndërsa tatimet për persona që fitojnë shumë duhet të ulen nga 40 në 25%.
Nëse Trumpi e kalon këtë reformë në Kongres, gati gjysma e 120 milionë familjeve në Amerikë nuk do të paguajnë më fare tatime nga viti 2017. Por jo vetëm kaq: nga 25 në 15% duhe të ulen tatimet në fitime për sipërmarrje.
Ndaj nuk befason fakti që ekspertët thonë se uljet e tilla të tatimeve do të kishin pasoja dramatike për buxhetin amerikan. Varësisht nga zbatimi i denjë i politikës së Trumpit për tatime, është e mundur ulja e të hyrave në buxhet prej 2,6 deri në 3,9 bilionë dollarë në 10 vitet e ardhshme, paralajmëron Think Tank ‘Tax Foundation’.
Këshilltarët ekonomikë të presidentit nuk shqetësohen shumë. Ata mendojnë se me tatimet graduale të fitimeve jashtë vendit mund të mbyllen vrimat e borxheve, sepse koncernet e mëdha amerikane si Apple, Amazon apo General Electric me vite të tëra kanë kursyer me miliarda tatime dhe ate në mënyrë legale. Këshilltarët e Trumpit Wilbur Ross dhe Peter Navarro, mendojnë se në këtë mënyrë do të ringjallet ekonomia amerikane.
Globalizimi vetëm sipas kushteve amerikane
Pas marrjes së pushtetit në janar, Donald Trump do të rishikojë të gjitha marrëveshjet e SHBA për tregti me vendet tjera. Marrëveshja për tregti të lirë me Kanadanë dhe Meksikën, NAFTA, do të hiqet i pari nga përdorimi. Pas NAFTA-s parashikohen negociata të reja gjashtëmujore ku do të negociohen modalitete të reja – me kushte shumë më të mira për SHBA. Edhe marrëveshja TPP nuk do të ratifikohet. Ndërsa negociatat për marrëveshjen TTIP me BE nuk do të vazhdohen.
Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia nuk do të kenë qasje si më parë në tregun amerikan. Për prodhimet aziatike parashikohen dogana të larta. Vetëm kështu SHBA, siç thotë Trump, do të përfitojë ekonomikisht në konkurrencën me pëparësi për Kinën, e cila ka përfituar nga manipulimet monetare.
Ndikimi ndaj Gjermanisë
Edhe eksporti gjerman do të përballet me tatime pas fitores së Donald Trumpit. Pas dobësimit të ekonomisë në Kinë dhe vendet evropiane, tregu amerikan është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm për këto vende. Me 2015 SHBA ia kaluan për Gjermaninë Francës, si vendi më i rëndësishëm i eksporteve gjermane.
Në SHBA janë shitur mallra gjermane në vlerë prej 125 miliardë euro – në radhë të parë automjete, makineri dhe prodhime kimike, që do të thotë rreth 10% të eksportit gjerman vjetor. Në anën tjetër, Gjermania importon nga SHBA në vit mallra në vlerë prej rreth 60 miliardë euro, që do të thotë rreth 6% të importeve të përgjtihshme.
Më shumë se një milion vende pune në Gjermani varen në mënyrë indirekte nga eksportet në SHBA. Ndërsa 630.000 vende të tjera pune kontrollohen nga sipërmarrjet amerikane. Vetëm në McDonald’s Deutschland ka rreth 58.000 punëtorë, në shërbimet Manpower 27.000, në fabrikat e Fordit 25.000 dhe në Adam Opel rreth 18.000.
Në anën tjetër, sipërmarrjet gjermane në SHBA punësojnë po ashtu qindra mijëra punëtorë. Punëdhënësi më i madh atje është simotra e Deutsche-Post, DHL me rreth 77.000 të punësuar. Pasojnë Siemens me 70.000, shitësi i makinave ZF 62.000 dhe Volkswagen 60.000 njerëz.
Ekonomia e ndërlidhur
Sipërmarrjet gjermane kanë investuar në SHBA më shumë se 271 miliardë euro. Më shumë se 3700 sipërmarrje gjermane janë aktive në SHBA. Vetëm 50 sipërmarrjet më të mëdha gjermane atje realizojnë në vit rreth 400 miliardë dollarë qarkullim.
Edhe koncernet amerikane kanë investuar miliardë dollarë në Gjermani – vlerësohet diku rreth 27 muiliardë euro. Vetëm në vitin 2015ka pasur 252 projekte të reja amerikane në Gjermani. Vetëm sipërmarrjet kineze me 260 prokjekte kanë pasur më shumë. 50 sipërmarrjet më të mëdha amerikane në Gjermani realizojnë në vit rreth 170 miliërdë euro qarkullim.
Presidenti i ri amerikan Trump me siguri nuk do të ketë asgjë kundër shkëmbimit ekonomik me Gjermaninë, por do të jetë kundër mungesës së balancit. Në SHBA kritikohet prej vitesh fakti që Gjermania eksporton dyfish më shumë në SHBA, pavarësisht se kush është në pushtet – republikanët apo demokratët. Me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, presioni do të shtohet për të pëmirësuar bilancin e marrëdhënieve tregtare mes SHBA dhe Gjermanisë./DW/a.m.