E rrethuar nga të gjithë mbështetësit e saj dhe nga një hije trishtimi të dukshëm, Hillary Clinton ka dhënë fjalimin e saj të “lamtumirës”. Clinton është përshëndetur me brohorima, dhe në fillim të fjalës së saj nuk e ka fshehur që është shumë e zhgënjyer dhe se ky zhgënjim do të vijojë edhe në ditët në vijim. Por nga ana tjetër Clinton është shprehur se ka folur dhe përgëzuar Trump, duke thënë mesazhin se është e rëndësishme që ai të mos paragjykohet si Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve.
“Faleminderit…! Faleminderit të gjithëve! Faleminderit që jeni këtu, ju dua të gjithëve. Dje e falenderova Trumpin dhe i thashë se do të bashkëpunoja me të. Ky nuk ishte rezultati që ne pritëm dhe më vjen keq që nuk fituam këto zgjedhje. Pavarësisht kësaj ndihem krenare për këtë fushatë që kryem. Ju përfaqësoni më të mirën e SHBA-ve dhe të qenit kandidate e juaja ka qenë gjëja më e bukur e jetës sime. E di që ndieni të zhgënjyer sepse edhe unë ndihem kështu. Do të jetë e dhimshme, dhe do të vijojë të jetë e tillë për një kohë të gjatë, por dua t’ju them se fushata jonë nuk ishte për një njeri.
Duhet të pranojmë këtë rezultat. Trump do të jetë presidenti ynë dhe i detyrohemi që të kemi një mendje të hapur për të. Ne e respektojmë demokracinë tonë dhe e gëzojmë atë. Ligjin dhe barazinë përpara tij, lirinë e fjalës, ne i respektojmë këto vlera dhe duhet ti mbrojmë ato.”-tha Clinton.
Kandidatja demokrate ka thënë se ka patur mjaft suksese si edhe dështime, por:
”Kam patur suksese dhe shumë shpesh edhe dështime. Shumë nga ju janë në pikënisjet e karrierave tuaja… Ju lutem mos ndaloni së besuari se lufta ndaj asaj që është e drejtë ja vlen. Ndaj ju duhet të luftoni të gjithë jetën tuaj.”- ka thënë Clinton.
Hillary Clinton i është drejtuar të gjitha femrave me një mesazh:
“Për femrat dhe gratë, dhe për ato që kanë mbështetur këtë fushatë timen, ju jam borxhlie që më keni bërë “kampionen tuaj”. Mbase sot nuk fituam, por do të fitojmë më shpejt nga ç’mendoni ju. Dhe të gjithave vajzave të vogla që po e shihni këtë… mos harroni që ju jeni të forta, të vlefshme dhe të afta për tu ngritur dhe për të realizuar ëndrrat e juaja”– ka deklaruar demokratja.
Tim Kaine, kandidati demokrat për zvPresident ka folur përpara Hillary Clinton duke thënë se ajo është një njeri i madh dhe ka fituar shumicën e votave të popullit amerikan, pavarësisht humbjes.
“Unë dhe gruaja ime jemi shumë krenarë për Hillary Clinton, sepse ajo ka qenë dhe është një ndryshuese e historisë. Ajo ka bërë histori dhe pavarësisht vështirësive ajo ka qenë Sekretare e vendit dhe vetëm dje ka fituar shumicën e votave të popullit. Kjo është një arritje e madhe! Ajo e njeh vendin tonë, e njeh sistemin dhe ka qenë në beteja edhe më parë… është çuar përsëri dhe ka luftuar sërish. Dua ta falenderoj sot Hillary Clinton që na thirri të bëhem pjesë e ekipit të saj.”- tha Kaine.
Shumë njerëz janë parë duke qarë dhe mjaft të mërzitur, ndër to mbështetësit e saj kryesorë si John Podesta etj. Hillary Clinton humbi përballë Donald Trump, një humbje që nuk e parashikoi askush, përfshi këtu edhe të gjitha sondazhet e bëra në SHBA. Humbaj ka qenë e thellë pasi edhe në parlament, në Dhomën e Përfaqësuesve e në Senat, republikanët kanë maxhorancën.