Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesërisht ligjin e qeverisë për pronat. Kushtetuesja ka shfuqizuar nenin 6, pikat 3 dhe 5, të cilat flasin për metodologjinë e vlerësimit të pronave.
Neni 6 i ligjit dhe pikat e shfuqizuara: Pika 3. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.
Pika 5. Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.
Ky ligj është kontestuar nga PD, Presidenti Nishani, Avokati i Popullit dhe një sërë shoqatash. Nishani si dhe PD në ankimimin e tyre pretendonin se ligji ishte antikushtetues. Pavarësisht rrëzimit pjesor të këtyre pikave të nenit 6, ligji për pronat i qeverisë mbetet në fuqi dhe pjea thelbësore e tij nuk është prekur.
Pas këtij publikimi ka reaguar edhe deputeti i PD Oerd Bylykbashi i cili e ka cilësuar si një lajm të mirë vendimin e kushtetueses. Bylykbashi shkruan se PD do të “shfuqizoje edhe ato nene qe Gjykata nuk i shfuqizoi por ende cenojne te drejten tuaj!”
Postimi i Bylykbashit
Miq ishpronare nje lajm shume i mire per ju!
Gjykata Kushtetuese rrezoi rishpronesimin! E drejta e kthimit te prones dominoi mbi shpronesimin komunist! Me ligjin e pronave Kryeministri deshi t’ju rishpronesonte. Kur prona juaj ishte e lire, Kryeministri ju kthente vetem nje pjese te vogel dhe pjesen tjeter jua rishpronesonte, e kalonte ne fondin shteteror dhe me ankand e blinin miqte e tij.
Gjykata Kushtetuese e quajti kete antikushtetuese dhe shfuqizoi nenet perkatese. Tashme, kur prona eshte e lire, ju do ta merrni siperfaqen te plote dhe fizikisht, me vleren e sotme te tregut dhe jo sipas vleres se kohes kur jua grabiten! Ky eshte nje hap i madh qe parashtesa poshteruese “ish” te zhduket dhe ju ta gezoni pronen te lire dhe jo niperit e atyre qe jua shpronesuan! PD ka bere shume nder vite per pronaret. Duhej te bente edhe me shume! Ka patur edhe korrupsion ne 25 vite ne kurriz te te drejtes suaj, por PD kurre nuk jua rishpronesoi pronat sic bene keta qe kane mbire direkt nga rrenja e komunizmit. Kjo eshte fitore e kauzes suaj qe PD e mbrojti ne Gjykate. PD do te shfuqizoje edhe ato nene qe Gjykata nuk i shfuqizoi por ende cenojne te drejten tuaj!
NJOFTIM I PLOTE i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, sot, në datën 09.11.2016, shqyrtoi kërkesat në çështjen me palë:
Kërkues: Presidenti i Republikës, një Grup Deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, jo më pak se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit, Avokati i Popullit, Partia Republikane e Shqipërisë, Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, Shoqata “Krahina Jonë”, Shoqata “Bregdeti”, Shoqata e Pronarëve Legjitimë “Shqiptarët”.
Subjekte të Interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Agjensia e Trajtimit të Pronave.
Objekti:Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Pasi u analizuan pretendimet e ngritura nga kërkuesit, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Agjensia e Trajtimit të Pronave, bazuar në nenin 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”:
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin si antikushtetues të nenit 6 pika 3 dhe pika 5 të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
– Refuzimin e kërkesës për shfuqizimin e nenit 6 pika 1 shkronja “ b” dhe nenit 7 pika 2 shkronja “a” dhe “b” të ligjit të mësipërm.
– Rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër./java/a.k