Nga Donald Lu*
I nderuar president Nishani, anëtarë të parlamentit, miq të rinj, zonja dhe zotërinj.
Më lejoni ta filloj këtë mëngjes duke ofruar mendimet dhe lutjet tona për viktimat e kësaj përmbytjeje të tmerrshme që ka ndodhur në Shqipëri këto ditë.
Dhe më lejoni të vazhdoj me një rrëfim. Kam disa versione të ndryshme të këtij fjalimi sot. Dhe mendoj se kjo është një gjë e mrekullueshme e demokracisë. Është e paparashikueshme, është emocionuese, dhe është diçka të cilën e bashkëndajnë si Amerika dhe Shqipëria.
Nëse shihni rreth e rrotull kësaj salle, do të shihni se qëllimisht kemi ftuar shumë të rinj për të qënë këtu me ne sot për të festuar zgjedhjen e një Presidenti të ri amerikan. Pse do të kërkonim kaq shumë të rinj – dhe kur them të rinj e kam fjalën të rinj në moshë dhe të rinj në zemër – të bashkoheshin me ne sot. Sepse ju jeni e ardhmja me të vërtetë e kësaj demokracie.
Demokracia është diçka që na bashkon të gjithë neve, amerikanë dhe shqiptarë. Është e rrëmujshme. Është e komplikuar. Dhe shpesh, është e mbushur me konflikte dhe polemika, siç ishte këtë vit në Shtetet e Bashkuara. Por, në fund, demokracia na garanton liritë që i konsiderojmë kaq të vyera.
Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur Presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara – Donald J. Trump. Këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në Shtetet e Bashkuara, por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndryshim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë patur marrëdhënie të ngushta si gjatë administratave Republikane, dhe atyre Demokrate. Ne jemi aleatë në NATO. Ne jemi partnerë në Afganistan. Kemi qëndruar bashkë kundër agresionit rus në Ukrahinë dhe në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Kam besim se marrëdhëniet tona do të mbeten të ngushta edhe gjatë Administratës Trump.
Një nga gjërat më të rëndësishme në një demokraci është debati energjik dhe ndonjëherë antagonist. Në këtë cikël zgjedhjesh, ne kemi parë kandidatët, median, mbështetësit e të gjitha krahëve të diskutojnë çështje – të mëdha dhe të vogla – që ndikojnë vendin tonë dhe botën. Këtë mëngjes ju dëgjuat nga Presidenti i zgjedhur Trump se çfarë e përkufizon vërtet një demokraci: kalimi paqësor i pushtetit dhe ecja përpara së bashku si një komb.
Teksa Amerika përfundon këtë sezon fushatash politike, Shqipëria po fillon të sajën. Tek fillojmë të shërojmë ndasitë politike mes njerëzve në të djathtë e në të majtë në Amerikë, shqiptarët do të fillojnë një debat të gjatë që do të kulmojë me zgjedhjet e qershorit.
Si dy demokraci të mëdha, më lejoni të ofroj shpresën – në emër të të gjithë amerikanëve sot këtu – se qytetarët shqiptarë do të bëjnë zgjedhje të mençura. Se ata do të debatojnë për çështje me rëndësi. Dhe se ata do të vazhdojnë të përqafojnë vlerat demokratike që bashkojnë Shqipërinë me Europën dhe Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Faleminderit shumë që keni ardhur. Faleminderit.
*Fjala e ambasadorit të SHBA Donald Lu në Mëngjesin e Zgjedhjeve Presidenciale të SHBA
Nuk do te ke ndryshim midis Shqiperise dhe USA por do te kete ndryshim Donald Luje