Nga Ilir Yzeiri
Fitorja e Trump ishte një shok për gjithë botën, për elitat politike, për mediat e vjetra tradicionale, ishte një tronditje në mendimin intelektual të rafinuar. Gjithë analistët në mbarë botën po përpiqen të hetojnë se ku gabuan që nuk e parashikuan “gjeniun” atipik outsider-in që erdhi i vetëm dhe mundi gjysmën e partisë së tij, kandidatët rivalë brenda partisë së tij dhe triumfoi si asnjëherë tjetër duke i dhënë Partisë Republikane Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe Gjykatën Supreme.
Bepe Grillo-ja në Itali e quajti fitoren e tij një “Vaffa” gjigande. Pra, thënë shkurt, vota amerikane pro-Trump mund të lexohet në disa mënyra. Në radhë të parë janë vetë amerikanët që do të gjykojnë tani se si do të sillet ai me premtimet që bëri gjatë fushatës, të cilat sipas opinionit më të përgjithshëm, janë të parealizueshme. Por kjo mbetet për t’u parë.
Ndërsa ajo që ndodh në Shqipëri në disa anë është vërtet një karikaturë e degradimit tonë intelektual. Të bën të gajasesh euforia e demokratëve që e lidhin fitoren e Trump me kauzën e tyre dhe pasi nuk bindën dot Ilir Metën që të bashkohet me ta, tani janë të sigurtë që Trump do ta zhdukë Ramën dhe do sjellë Lulin në pushtet. Ky naivitet shqiptar në një forcë politike që ka humbur të gjitha llojet e orientimeve nuk përbën ndonjë problem të madh.
Problemi më i madh dhe mësimi që duhet të nxjerrë Shqipëria nga fitorja e Trump është se të gjitha elitat politike në Shqipëri duhet të ndjehen të turpëruara, sepse falimentimi i tyre në botë dhe në Amerikë po nxit ekstremizmin dhe populizmin. Vota pro-Trump, ishte triumf i zemërimit në një vend që gjatë qeverisjes së Obamës, megjithatë i kishte arritur disa rezultate pozitive.
Sa i takon Shqipërisë dhe Ballkanit, SHBA-të janë një vend i madh dhe me institucione të konsoliduara. Ata që duhet të kenë frikë nga administrata e re e SHBA-së duhet të jenë kriminelët e veshur me pushtet, pushtetarët e lidhur me krimin, të korruptuarit dhe elitat e falimentuara. Trump erdhi në pushte pa bërë asnjë aleanacë me elitën e vjetër politike në SHBA, madje duke pasur kundër edhe partinë e tij. Nuk besoj se do të bëjë aleancë me Lulin në Shqipëri apo edhe me Ramën.