Vladimir Putin i ka dërguar presidentit të sapozgjedhur të Amerikës, Donald Trump, një telegram urimi për fitoren. Presidnti i Rusisë shpreson të bashkëpunojë me Trump për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, shkruan media ruse.
Rusia është akuzuar gjerësisht për përkrahjen e Trumpit në zgjedhje dhe Sergei Markov, një analist politik pro Kremlinit, festoi fitoren e republikanit. Ai thotë se presidenca e Trumpit do të thotë më tepër shanse që SHBA të bjerë dakord me Rusinë për Sirinë dhe më pak mbështetje për “juntën terroriste në Ukrainë”.
Ai hodhi poshtë akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhje, por tha se “ndoshta ndihmuam pak me Wikileaks”.
Aleksei Venediktov, drejtor i radios liberale Jehona e Moskës, tha se në Kremlin ndoshta po bëhet festë tani, por njerëz të tjerë “më seriozë” do ta kuptojnë se përpara i presin kohë të paparashikueshme.
“Putin nuk e pëlqen paparashikueshmërinë dhe Trump është përkufizimi i paparashikueshmërisë”, tha ai. “Edhe për Brexit bënë festë, pastaj Boris Johnson u bë ministër i jashtëm dhe po thoshin “O Zot, çfarë po ndodh?”.
Venediktov thotë se në lidhje me Sirinë dhe Ukrainën, dy nga pikat kyë ku SHBA e Rusia nuk ishin dakord, mund të ketë pak ndryshime midis Trump e Clinton. “Interesant mbetet Balltiku. A do t’i heqë Trump trupat prej andej?”.
Ambasadori amerikan në Rusi, John Tefft, u kujtoi vizitorëve në selinë e tij gjatë natës së numërimit të votave se diplomatët nuk mund të japin opinione personale mbi zgjedhjet, por shtoi: “Ju pëlqen apo jo, një nga gjërat më të rëndësishme për t’u kuptuar është se institucionet tona në Amerikë do të vazhdojnë”.
The Guardian/d.i.