Pronari i ri është regjistruar në fillim të nëntorit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, duke i dhënë fund pas shumë muajsh transaksionit për shitjen e kontratës koncesionare nga tre aksionerët Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”). Çmimi i shitjes së kuotave është 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.
Që në mars të këtij viti, pothuajse njëkohësisht me ndryshimin e kontratës koncesionare me qeverinë (ku fitoi dhe dy vite të tjera shtesë) Tirana International Airport (TIA) kishte njoftuar se ishte në negociata për të shitur koncesionin te kompania kineze China Everbright. Autoriteti i Konkurrencës zbardhi edhe skemën e kompanive blerëse, ku blerësi direkt ishte Keen Dynamics Limited, i regjistruar në Ishujt Cayman, me xhiro zero me 2015, ndërsa China Everbright Limited ishte kompania mëmë dhe kishte një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë euro.
Por, vetëm në 10 tetor, TIA njoftoi zyrtarisht se China Everbright Limited (CEL kodi i aksioneve në bursë: 165.HK), një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, kishte marrë në zotërim 100% të kapitalit aksioner të TIA-s.
Mësohet se transaksioni u vonua për muaj të tërë, pasi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është kreditori i TIA, që nga viti 2005, kishte kërkuar më shumë informacion për blerësin. Pas kalimit të aksioneve të blerësi i ri, Real Fortress Private Limited, në QKB është bërë depozitimi në lidhje me transferimin e kuotave të shoqërisë nga shitësi tek ortaku i vetëm, marrëveshjen ndërmjet shitëseve dhe BERZH, e cila vepron për llogari të saj dhe të kreditorëve kryesorë për zgjidhjen e marrëveshjes së shitjes së me kusht të lidhur më datë 08.04.2005 dhe depozitimi i Marrëveshjes së shitjes me kusht, Nr.1764 Rep, Nr.246/2 Kol, datë 06.10.2016, midis palëve , shoqëria “Real Fortress Private Limited” dhe “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.
Në dokumentin për zgjidhjen e kontratës mes tre aksionerëve fillestarë dhe BERZH, sqarohet se në marrëveshjen për blerjen e kuotave e nënshkruar në 11 prill 2016, ortakët shitës kanë rënë dakord ti shesin te Keen Dynamic limited, shoqëri offshore në ishujt Cayman (kontratë e ndryshuar herë pas here). Si kusht paraprak për mbylljen e transaksionit, BERZH dhe huadhënësit duhet të lëshonin një letër miratimi dhe pasi të përfundonte transaksioni, ortaku i ri i shoqërisë do të lidhte një marrëveshje me kushte me BERZH (në emër të huadhënësve kryesorë).
Në marrëveshjen për zgjidhjen e kontratës, të depozituar në 11 nëntor, thuhet ndër të tjera se kontrata me kushte do të zgjidhet në datën e hyrjes në fuqi, me kusht që në datën e nënshkrimit, Blerësi i Fundit ka nënshkruar në mënyrë të vlefshme marrëveshjen e re me kushte. Por, në të lihet një afat i fundit që është 31 dhjetori 2016 për përfundimin final të transaksionit. Sipas kontratës, “Nëse data e Hyrjes në Fuqi nuk ndodh (për shkak të Blerësit të Fundit që nuk nënshkruan në mënyrë të vlefshme Kontratën e Re me Kushte), në ose para datës 31 dhjetor 2016, kjo marrëveshje do të zgjidhet dhe kontrata me kushte do të kthehet në të njëjtën formë siç ishte para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Koncesioni dhe ndryshimi i kontratës me qeverinë
TIA, që në vitin 2014 nënshkroi një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare për Projektimin, financimin, ndertimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Nderkombetar “Nene Tereza”, ështënjë nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri
TIA deklaroi një normë rekord fitimi (para taksave) prej 40.7% në vitin 2015, në rritje nga 35.5% që ishte ky tregues një vit më parë.
Sipas të dhënave nga bilanci, të ardhurat e Tirana Internationa Airport ishin rreth 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro) në vitin 2015, me një rritje prej 15% me bazë vjetore.
Në fund të marsit të këtij viti, qeveria shqiptare arriti një marrëveshje me Tirana International Airport për ndryshimin e marrëveshjes koncesionare, në bazë të të cilit TIA mori një zgjatje të menjëhershme të afatit të koncesionit me dy vite, në këmbim të hapjes së aeroportit të Kukësit dhe në rast të vënies në punë të ndonjë aeroporti tjetër, afati i koncesionit do të zgjatet maksimumi me 4.5 vite në total, duke e çuar deri në 24.5 vjet, nga 20 vjet që ishte kontrata fillestare./Monitor