Nga Ben Andoni
Nëse disa kohë më parë ishte në dyshim braktisja e parlamentit nga ana e PD-së dhe quhej nga publiku si justifikim për mbarëvajtjen e dobët të saj, tashmë duket një mundësi e afërt, pikërisht prej performancës së dobët të demokratëve. Megjithë minuset e mëdha që ofron në mandatin e saj të parë qeveria Rama, ende duket se njerëzit nuk duan t’i kthehen më kohës së PD-së. Dhe, kjo mund të quhet humbja më e madhe e PD-së, që edhe gati katër vjet më pas nuk frymëzon.
Të gjitha aksionet e saj janë fashitur pa sukses. Paradoksalisht, deri më tani, mundësitë për të protestuar, për të aktivizuar seksionet dhe për të shpalosur idetë, kanë qenë aq të mëdha, saqë të sjella tani në një kohë kur moti është i papërshtatshëm dhe shqiptarët përballen me të përditshmen e vështirë, këto të duken si shfajësime të kota. E vetmja gjë që PD-ja mund të bëjë për të justifikuar të gjithë këto muaj patetikë, ku deri më tani është marrë vetëm me mposhtjen e batutave të Ramës në parlament, mbetet thjesht një protestë. Anipse, duket se edhe kjo s’do jetë e lehtë.
Ka një zbehje të përgjithshme të aksionit popullor të opozitës për shkak të shurdhësisë së qeverisë, por edhe se ajo vazhdon në udhën e saj, që do të thotë se punon të bëjë infrastrukturën e gjërave, që ka prezantuar, paçka kundërshtimeve dhe opozitës. Mungesa e saj e transparencës, funksionimi i tmerrshëm i administratës të saj, dështimi i Reformës territoriale, shtuar me arrogancën e shpeshtë të qeveritarëve të saj, nuk ka bërë që të ndryshojë gjë lidhur me PD-në, e cila nuk llogaritet më si alternativë. Njerëzit ankohen dhe si dëgjojnë, kurse PD-ja megjithë sinjalet e pafundme thjesht koleksionon mefshtësinë e saj dhe peshkohet në batutat e Ramës në ditën e enjte në parlament.
Për fat të keq, duket se grupi drejtues i PD-së është ende i ngopur nga qeverisja e mëparshme por edhe nga kjo status-quo. Që do të thotë beneficet e ndryshme nga qenia në parlament, lidhjet, bizneset, por edhe indiferenca për të bërë një jetë të qetë, i bën që të mos u bëjë shumë përshtypje. Realisht, PD-ja e ka të vështirë të drejtojë pakënaqësinë e njerëzve sepse është dukshëm e ngopur dhe indiferente për ta.
Nuk mjafton që opozita të lajmërojë e të kundërshtojë, porse duhej të kishte një strategji për demaskimin e politikave të sotme por edhe prezantimin e tezave të reja për ardhjen në pushtet dhe mbi të gjitha mbjelljen e shpresës. Gjë e cila është jo vetëm krejt e pamundur, por edhe e paduhura në një vend, që po shkon për inerci në një mandat të dytë të Ramës dhe aleatëve të tij. Dhe, nëse të mërkurën e 9 Nëntorit, Shqipëria merr edhe ftesën e pritshme për hapjen e bisedimeve, atëherë PD-së i mbetet të bëjë retorikën e zakonshme boshe.
Artikulimet e shpeshta për Dekriminalizimin, çrrënjosjen e kanabizimit të vendit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë sot të pabesueshme sepse PD-ja ashtu si edhe PS-ja kanë gati të njëjtën qasje me këtë problematikë. Të dyja kanë mbyllur sytë dhe po të dyja u kanë bërë strehë shumë elementëve me të kaluar të keqe, ashtu si e kanë toleruar drogën në vend.
Është ende herët, por megjithatë një gjë kuptohet mirë, nuk mund të kujtohesh tani që të bësh protesta e të lajmërosh largimin nga parlamenti, kur në gati tre vjet e gjysmë vetëm ke vegjetuar. (Javanews)