Avokati i Popullit, Igli Totozani, së bashku me një grup ekspertësh ishte sot në Bashkinë e Himarës, ku u njoh me shqetësimet dhe ankesat e banorëve të kësaj zone. Më pas, Avokati i Popullit zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Himarës Jorgo Goro, me të cilin diskutoi për problematikat më shqetësuese të banorëve të Himarës.
Pas interesimit të medias mbi këtë vizitë dhe ankesat e marra nga qytetarët, Avokati i Popullit Igli Totozani tha se :
“Në kuadër të filozofisë sonë proaktive, për të qenë sa më pranë qytetarëve, sot kemi ardhur në Himarë, duke pasur parasysh një shqetësim publik të shprehur nga banorët e zonës, për prishjen e mundshme të disa objekteve të tyre. Erdhëm, së bashku me ekspertët e institucionit që drejtoj, për të bërë verifikimet rast pas rasti dhe për të dëgjuar qytetarët, por edhe funksionarët e Bashkisë Himarë, mbi këtë problem.
Kemi marrë një numër të konsiderueshëm ankesash, trajtimin e të cilave do të përpiqemi ta bëjmë sa më shpejt, lidhur dhe me sensibilitetin publik që ka kjo çështje. Do të fillojmë një hetim administrativ, duke u nisur nga ankesat , si dhe dokumentacioni i paraqitur nga vetë qytetarët, por edhe nga ballafaqimi me dokumentacionin përkatës, që do të na e vërë në dispozicion Bashkia e Himarës. Brenda javës që vjen, besoj që do të kemi gati rekomandimet përkatëse”. /a.m.