“Lost Exile”, filmi i metrazhit të shkurtë me regji të Fisnik Maxhunit është shpërblyer në New Delhi International Shorts Film Festival me çmimin kryesor të festivalit, atij të filmit më të mirë.
Filmi ku luajnë aktorët Arben Bajraktaraj, May-Linda Kosumovic, Sunaj Raca, Fatmir Spahiu, bën fjalë për trafikimin ilegal të emigrantëve nga Kosova për në vendet perëndimore përmes Serbisë, dukuri kjo që ka prekur një numër të madh të familjeve kosovare në kërkim të një jete më të mirë.
Ndër personazhet kryesore të filmit është një familjar i quajtur Emir që punon për botën e krimit lokal si trafikant njerëzish në mes Serbisë dhe Hungarisë, shkruan KultPlus.
Hana, një grua e re nga Kosova dëshiron të largohet nga vendi i saj dhe takohet me Emirin për ta larguar atë.
Rrugës, kolegët e paskrupullt të Emirit e urdhërojnë atë të ndalet në një motel afër kufirit. Ata e shohin te Hana mundësinë për të fituar para duke e dhënë atë te një rrjet prostitucioni.
Atë natë, Emiri përballet me një dilemë morale dhe njerëzore të tij teksa Hana do ta testojë guximin e saj për të ndryshuar jetën e saj dhe të arrijë të dalë në Evropë. (b.an)