Edmond Spaho, nënkryetari i PD-së, paralajmëron braktisjen e Kuvendit dhe fillimin e protestave të fuqishme në mbarë vendin për shkak të situatës së vështirë që po kalon vendi. Spaho akuzon kryeministrin Edi Rama për lidhje të forta me krimin dhe përpjekje për të blerë votat e 2017-ës përmes parave të tij.
Sipas tij, Rama është problemi dhe jo zgjidhja. Ndaj zyrtari i lartë i PD-së shpreh bindjen se, në kushtet kur nuk zbatohet ligji i dekriminalizimit, kur Shqipëria është shndërruar në një narko- republikë dhe kur zgjedhjet e lira janë në rrezik, opozita ka gati strategjinë e saj të daljes nga kriza.
Zoti Spaho, sa shqetësuese është situata e kanabisit në Shqipëri dhe përse PD-ja e ka kthyer këtë çështje në qendër të betejës së saj politike brenda dhe jashtë Shqipërisë?
Situata është mjaft shqetësuese, sepse, sikundër mund ta keni konstatuar edhe ju, kanabisi është mbjellë në çdo cep të Shqipërisë. Nëse deri disa muaj përpara kur kapeshin disa qindra kg kanabis bënte përshtypje, sot po bëhet e zakonshme të kapen disa tonë në ditë. Kujtoj rastet e kapura javët e fundit, të cilat kanë qenë jo vetëm në sasi kolosale, por afër qendrave të banuara dhe stacioneve të policisë.
E kemi vënë në fokus të luftës politike, sepse nëse do ta shkatërrosh një vend, lejoje të kultivojë drogë. Eksperiencat e vendeve të tjera nuk lënë vend për dyshim. Por nuk është vetëm kjo! Paratë e drogës po financojnë përherë e më shumë zgjedhjet, duke i dhënë fund demokracisë, pasi po rrënohet institucioni i parë i saj që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Përse Edi Rama nuk është pjesë e zgjidhjes, por është pjesë e problemit?
Është pjesë e problemit, sepse Rama erdhi në pushtet me elementë kriminalë, me justifikimin se vetëm kështu mund ta rrëzonte Berishën. Kriminelët jo vetëm që i përdori në zgjedhjet e vitit 2013, por i solli edhe në parlament. Më pas i instaloi ata në administratën publike dhe polici.
Për këtë kemi dhënë prova të pakundërshtueshme për zyrtarë me lidhje dhe aktivitet kriminal. Në zgjedhjet e vitit 2015, Rama kandidoi elementë me të shkuar kriminale, dhe ata fituan në disa qytete të rëndësishme dhe sot po i mbron me zell. Ata të cilët ligji i dekriminalizimit i nxori nga dera, Rama i qarkulloi duke i emëruar zyrtarë të rëndësishëm të PS-së në rrethe, siç është rasti i Lezhës. Në këto kushte, nuk mund të presësh zgjidhje nga ai, pasi është ideatori dhe zbatuesi i skemave të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht nëpërmjet lidhjeve me krimin dhe paratë e drogës.
Sa të rrezikuara janë zgjedhjet e ardhshme të 2017-së dhe ku bazohet PD-ja kur akuzon Edi Ramën se me paratë e krimit kërkon të blejë votat e shqiptarëve?
Nëse Edi Rama do lihet në pushtet, nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë e treguan zgjedhjet e vitit 2015, dhe veçanërisht zgjedhjet në Dibër, ku bëri provën gjenerale para zgjedhjeve të përgjithshme. Paralelisht me këtë ka zhvlerësuar ligjin e dekriminalizimit, duke marrë në mbrojtje ata të cilët duhej të ishin në burg, si kryetarët e bashkive në Kavajë dhe Krujë, por edhe në ndonjë rreth tjetër, nëpërmjet ndërhyrjeve në sistemin gjyqësor. Reformën zgjedhore e katandisi në një farsë duke e zvarritur. Nuk pranoi votimin dhe numërimin elektronik, financimin e kontrolluar nga shteti të fushatave zgjedhore si dhe kriminalizimin e shitblerjes së votës.
Sikurse përmenda më lart, në Dibër u bënë provat e përgjithshme, duke përdorur kultivuesit e kanabisit si dhe paratë e tyre për blerje masive të votës.
PD-ja, si do ta garantojë votën e shqiptarëve?
Vota e shqiptarëve garantohet duke larguar Edi Ramën nga qeverisja dhe organizimi i zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë po përpiqemi të ndërgjegjësojmë këdo që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar; të majtë dhe të djathtë, shoqërinë civile, median dhe këdo tjetër që i dhimbsen fatet dhe e ardhmja e këtij vendi. Nëse do të jetë e nevojshme për të kuptuar se sa e rëndë dhe serioze është gjendja, mund të detyrohemi të braktisim edhe parlamentin, pasi mosgarantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është detyra e parë e çdo institucioni demokratik.
Kur do ta braktisni Kuvendin?
Largimi nga parlamenti do të jetë mjeti i fundit për t’u treguar qytetarëve se në çfarë rruge pa krye jemi futur.
Një nga rrugët e rrëzimit të Edi Ramës nga pushteti, janë protestat?
Mendimi i kujtdo sot në opozitë është se Edi Rama mund të largohet vetëm me protesta të mirëorganizuara dhe të qëndrueshme.
Dhe kur do të fillojnë protestat?
Po punojmë për fillimin e protestave.
Nëse nuk e arrin dot një gjë të tillë, a do t’i bojkotojë opozita zgjedhjet?
Detyra jonë nuk është që të bojkotojmë zgjedhjet, por të garantojmë që do zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme e nga ky proces të dalë një qeverisje më e mirë, në përputhje me vullnetin e qytetarëve.
A është e vërtetë që deputetë të PD-së po lobon në Bruksel për shtyrjen e datës së hapjes së negociatave të anëtarësimit?
Partia Demokratike është forca e parë e cila i hapi rrugën integrimit euroatlantik të vendit duke e anëtarësuar në Këshillin e Evropës, në NATO. Hoqi vizat dhe plotësoi kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat, status i cili u bllokua nga mazhoranca e sotme, atëherë në opozitë, nëpërmjet pretendimit qesharak për emërimin e kryetarit të qarkut të Fierit. Ne jemi të vendosur ta mbështesim procesin e integrimit europian të vendit si e vetmja rrugë nga duhet të shkojmë.
Këtë e treguam kur u miratua statusi i vendit kandidat para dy vitesh. Kushtëzimi i datës së hapjes së negociatave jo vetëm me plotësimin e disa prioriteteve, tashmë të identifikuara nga BE-ja, si reforma në drejtësi, dekriminalizimi, lufta ndaj trafiqeve etj., duhet të shoqërohet edhe me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Asnjë vend nuk mund të plotësojë standardet dhe të negociojë futjen në BE sa kohë nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Çfarë strategjie po ndjek PD-ja për t’u rikthyer në pushtet?
Ne do të vijmë në pushtet duke kthyer besimin e qytetarëve te PD-ja si alternativë për një qeverisje ndryshe nga kjo e tri viteve të mazhorancës së majtë. Ne do të vijmë në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve dhe me një program i cili të garantojë rritjen ekonomike të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe forcimin e institucioneve demokratike. Për këto çështje kemi kohë që punojmë dhe do t’u ofrojmë qytetarëve një alternativë reale dhe të mundshme për t’u realizuar.
Por, që të mundësohen sa thashë më sipër, duhet të garantohet një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm.
Programi i ri i PD-së tashmë ka marrë dhe bekimin e CDU-së së Kancelares Merkel, por ku konsiston kryesisht?
Programi i PD-së është realist dhe konkret. Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin. Tatimet dhe taksat e qeverisë sonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta, taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe, asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit.
Kreu i PD-së ka lajmëruar një aleancë të gjerë kundër qeverisë. Kë përfshin kjo aleancë? Çfarë nënkupton deklarata e z. Basha ‘së bashku me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet, madje edhe me faktorë politikë brenda vetë Partisë Socialiste, duhet t’i japim zgjidhje duke larguar kryeproblemin, Edi Ramën?’ Si do të bëhet aleanca me faktorë edhe nga e majta?
Ne po u bëjmë thirrje të gjitha shtresave të vendit, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe kujtdo tjetër që është i interesuar që vendi të mos gremiset në një diktaturë të re të komanduar nga grupet e krimit të organizuar, që t’i bashkohet koalicionit opozitar për të larguar Edi Ramën dhe Rilindjen e tij, si e keqja më e madhe që i kanoset vendit. Këtë tashmë nuk e themi vetëm ne, por edhe aleatë të ngushtë të Ramës në vitin 2013, të cilët po i kërkojnë të majtës që të shkëputet nga Edi Rama.
Çfarë ndodh nëse nuk merren parasysh tri kushtet e opozitës: zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, çështja e drogës dhe shndërrimit të Shqipërisë në një narko-republikë, dhe çështja e zgjedhjeve të lira?
Dekriminalizimi, çrrënjosja e kanabizimit të vendit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të ndodhin, sepse për këto janë të interesuar qytetarët, pasi ndryshe vendi nuk ka të ardhme.
Këto tri kushte, besoni se do të pengojnë marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së?
A dini ju ndonjë vend i cili të ketë probleme të tilla si këto që ka Shqipëria dhe të jetë duke negociuar anëtarësimin në BE? BE-ja është hapësira e lirive dhe e të drejtave të njeriut, e demokracisë dhe e prosperitetit ekonomik, dhe e tillë do mbetet edhe në të ardhmen.
Jeni të gatshëm për bashkëpunim me LSI-në për hir të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?
Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët janë në opozitë me Edi Ramën si dhe të mbajë përgjegjësi kushdo që i shërben Edi Ramës për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.
BW/d.i.