Zbardhen detaje të reja për vjedhjen që realizuan dy adoleshentet pasditen e së dielës në një lokal në Tiranë.
Burime nga Policia thanë se 17-vjeçaret A.B. dhe E.L., kanë qenë duke pirë kafe një lokal që ndodhet pas Pallatit të Kulturës.
Ato kanë qenë të ulura tek banaku i lokalit. Banakieri, 18-vjeçari me iniciale R.R., kishte lënë telefonin e tij “Samsung”, mbi banak, pasi e kishte vënë në karikim.
Në një moment kur ai nuk e ka pasur mendjen, njëra nga vajzat, shtetasja me iniciale A.B., ka marrë fshehurazi telefonin e tij dhe e ka futur në xhep.
Më pas të dyja kanë nxituar të dilnin nga lokali dhe janë larguar. Pas disa minutash banakieri ka vënë re se nuk e kishte telefonin aty ku e kishte lënë dhe ka kuptuar që ia kishin vjedhur.
Ai ka parë kamerat e sigurisë dhe nëpërmjet tyre ka zbuluar se kush ishin hajdutet. Disa orë më vonë, ai ka gjetur shtëpinë e vajzës që kishte vjedhur celularin dhe ka shkuar atje për t’ia marrë.
Vajza ka dalë jashtë për të folur me të dhe është nxehur kur 18-vjeçari i kërkonte celularin e vet. Për këtë arsye, ajo ka goditur me grusht xhamin e makinës tip “Ford”, me të cilën banakieri kishte shkuar deri tek shtëpia e saj. Në këtë moment ai ka lajmëruar Policinë./Panorama/a.m.