Ligji i Vetting-ut nuk është i vetmi që do të ketë një proces në Gjykatën Kushtetuese. Partia Demokratike do të dërgojë atje edhe ligjin e fundit të paketës për reformën në drejtësi.
Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë, që parashikon, mes të tjerash, ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, konsiderohet nga demokratët si një ligj në shkelje flagrante të kushtetutës.
Top Channel komunikoi me nënkryetarin demokrat të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, i cili u shpreh se amendamentet e miratuara në mënyrë të njëanshme mbrëmjen e 3 nëntorit, thellojnë antikushtetueshmërinë e ligjit që përcakton sesi do të ngrihen dy organet që do të qeverisin sistemin e drejtësisë.
Oerd Bylykbashi e krahason një komision të ri “ad hoc” që do të filtrojë kandidaturat nga avokatia përpara se ato të shqyrtohen nga Kuvendi, me funksionet e dikurshme të këshillit të emërimeve në drjetësi.
Një organ që opozita e konsideronte si kupolën e kontrollit të drejtësisë nga qeveria. Oerd Bylykbashi tha se komisioni “ad hoc” është një strukturë që nuk parashikohet nga Kushtetuta dhe është krijuar për t’i imponuar Kuvendit të Shqipërisë vullnetin e disa njerëzve të caktuar, me gjasë nën kontrollin e qeverisë. Kjo është arsyeja që, sipas demokratëve, e bën flagrante shkeljen e Kushtetutës dhe që detyron opozitën të ankimojë ligjin në Kushtetuese, sapo ai të botohet në fletoren zyrtare./a.m.