Trans Adriatik Pipeline ka përfunduar punimet për rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse në zonat më të izoluara të qarkut të Korçës. Për të parë nga afër infrastrukturën e përmirësuar zëvendës Kryeministri, Niko Peleshi, zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, dhe drejtuesit e TAP në Shqipëri organizuan një vizitë inspektimi.
Ashtu si edhe ishte parashikuar, faza e parë e punimeve për të përmirësuar infrastrukturën rrugore përgjatë gjurmës së gazsjellësit në qarkun e Korçës përfunduan para fillimit të dimrit. Në zonat më të largëta malore të Korçës, nga ana e projektit TAP janë rindërtuar apo ndërtuar nga e para rreth 15.5 km rrugë dhe 9 ura që lidhin fshatrat me zonën urbane. Tashmë zonat më të thella malore të Korçës, si fshati Shtyllë, nuk do të kenë më problem të lidhen gjatë stinës së ftohtë me qytetin apo me fshatrat përreth.
“Kjo është ngjarje shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone të thellë malore. Banorët e zonës së Shtyllës dhe akoma më lart të Panaritit vetëm pas pranverës mund të kishin një lidhje normale. Dua ta shoh këtë investim edhe përtej rëndësisë që ai ka për vet dhjetra apo qindra banorët që jetojnë këtu e që kanë një jetë të transformuar. Kjo zonë ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik si Vithkuqi”, u shpreh zv.kryeministri Peleshi sipas të cilit përmes rrugëve mund të flitet për projekte zhvillimi.
Sipas tij, TAP është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin. “Jemi të kënaqur që këtu në Shqipëri, si një prej vendeve ku projekti kalon, punët po ecin mirë dhe ka mbaruar faza e rëndësishme e rrugëve të aksesit për rajonin e Korçës. Përveçse sjell më shumë akses për banorët dhe vizitorët potencial ka sjellë edhe një standard. Ky është nga segmentet me standartin më të lartë në Shqipëri”, theksoi Peleshi ndërsa tha se duhet përfunduar rruga që lidh Vithkuqin me qytetin.
“Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën për të rikonstruktuar plotësisht atë rrugë për ti dhënë vlerën e plotë segmentit të dytë të rrugës që po inaugurojmë sot”, u shpreh Peleshi.
Përfaqësuesi i TAP në Shqipëri Shkëlqim Bozgo theksoi se ky projekt e vendos Shqipërinë në hartën energjitike të Evropës. “Sot është rasti të shohim një nga efektet konkrete jo vetëm për punën e projektit por edhe për komunitetet vendase. Sot efektet e rrugëve ka sjellë përmirësim në jetën e banorëve dhe gjej rastin ti falenderoj për bashkëpunimin që kemi patur. Tani kemi përpara ndërtimin e tubacionit dhe tubat e parë kanë mbërritur këtu e kërkohet mirëkuptimi i banorëve. Prioriteti ynë parësor është siguria në punë dhe kërkojmë ti kushtojnë vëmendje sigurisë, ndaj cilësia e punimeve është ndër më të mirat”, theksoi Bozgo.
“Rruga e re na ka larguar nga izolimi dhe na larguar frikën e udhëtimit drejt Korçës. Tashmë edhe ne mund të tregtojmë prodhimet tona në Korçë, mund të dërgojmë fëmijët në shkollë pa patur frikën e rreziqeve që paraqiste rruga dhe shpresojmë që banorët e larguar nga fshati jonë të kthehen pasi nuk do jemi më të izoluar nga pjesa tjetër e botës”, thanë banorët e fshatit Shtyllë gjatë takimit përfaqësuesit e qeverisë.
Infrastruktura e re rrugore është e standardeve më të larta duke e bërë transportin e mallrave dhe njerëzve shumë të lehtë e të sigurtë pavarërisht territorit shumë të thyer malor i cili shkon deri në 1800 metra mbi nivelin e detit.
• Në Korçë janë rindërtuar 9 ura dhe rreth 15.5 km rrugë.
• Janë bërë mbi 150’000 m3 gërrmime
• Është përdorur rreth 90’000 m3 çakull
• Janë ndërtuar 2 ura dhe 53 vepra arti
• Është bërë përforcimi i skarpatave në një sipërfaqje prej 7’000 m2
• Janë ndërtuar 7’570 m3 mure mbajtëse
• 37’000 m2 argjinaturë mbështetëse / mbrojtëse dhe bimësi (bar)
• Për të rritur sigurinë e rrugës se re, janë vendosur 9’000 m sinjalistikë vertikale
Kjo infrastrukturë rrugore do të ndihmojë transportin e tubave dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit TAP si edhe dotë ndihmojë në zhvillimin e komuniteteve vendore përreth. Punimet për fazën e parë të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore përgjatë gjurmës së gazsjellësit TAP nisën në verën e vitit 2015 dhe tashmë më shumë se 95% e punimeve kanë përfunduar.
ma.me