Projeksionet e Qeverisë për rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit 2017, do të udhëhiqen nga dy projekte strategjikë në sektorin energjitikë, TAP dhe Devoll Hydropower, të cilat do të kenë një kontribut të madh në rritjen e investimeve private.
Ekspertët e ekonomisë gjykojnë se gazsjellësi TAP vitin që vjen është në fazën kulmore të punimeve të cilave do të ketë kontributin të madh në ekonominë e vendit.
Sipas tyre, edhe eksportet nga ky sektor pritet të kenë ndikim pozitiv, ndonëse ecuria e tyre do të varet nga ecuria e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtare dhe niveli i kërkesës për këto mallra.
Zhvillimi ekonomik i vendit në këto vitet e fundit, si një nga përparësitë e programit të qeverisë, ka bërë të mundur zbatimin e politikave lehtësuese për biznesin dhe thithjen e investimeve të huaja direkte (IHD). Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte po shfaqin një rritje progresive pozitive. Në tremujorin e dytë të 2016-s, IHD-të arritën në 240 milionë euro, ose 22% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë shkruan ATA.
Por sipas eksperteve, investimet e huaja direkte po zgjerojnë gamën e shtrirjes së tyre në sektor potencial të ekonomisë së vendit, duke shtuar shërbime, punësim dhe gjeneruar të ardhura ekonomike.Vitin e kaluar, investimet ishin kolona kryesore e rritjes ekonomike të vendit dhe një rritje e këtij treguesi gjatë vitit 2016 do t’i mbështeste projeksionet e rritjes ekonomike , në kushtet kur konsumi privat ngelet ende i brishte./a.m.