Samsung Electronics, kompania shumëkombëshe e Koresë së Jugut me seli në Seul, pohon se modeli i saj i ri smartphone Samsung Galaxy S8 do t’u ofrojë përdoruesve asistent virtual. Njoftimet e reja nga gjiganti koreano-jugor vijnë jo shumë kohë pas ‘goditjes ekonomike’ që e përjetoi nga Galaksy Note 7, i cili u tërhoq nga shitja nga mesi i vitit për shkak të defektit në bateri e cila shkakton zjarr.
Në vazhdën e njoftimit për modelin e ri, i cili ka për detyrë të “hedhë në harresë përvojën e keqe të Note 7″, nga Samsung pretendojnë se telefoni i ri celular do t’u mundësojë përdoruesve që të porosisin ushqime dhe gjëra të ngjashme, pa përdorur aplikacione, por vetëm me ndihmën e “asistentit virtual”.
Kjo formë e re e teknologjisë, siç theksojnë nga Samsung, së shpejti do të jetë në dispozicion edhe tek produktet tjera elektronike të kompanisë, si frigoriferët. Pritet që Samsung Galaxy S8 të dalë në përdorim në pranverën e vitit 2017. Ky produkt do të jetë vendimtar për të ardhmen e celularëve Saumsung, i cili në muajt e fundit ka humbur të paktën 5.3 miliardë dollarë, pas tërheqjes së Galaxy Note 7.
Kompanitë teknologjike janë duke konkurruar se cila e para do të bëjë inteligjencën artificiale më të mirë, e cila do t’u mundësonte klientëve ndërveprim më të natyrshëm me pajisjet me anë të kontrollit të zërit. Kompania e Koresë së Jugut po bën përpjekje që të bashkohet në garën e gjigandëve të teknologjisë në botë në fushën e asistentëve dixhital, pasi muajin e kaluar bleu kompaninë Viv Labs Inc, që shpiku programin e asistentit virtual “Siri” për Apple.
Nga Saumsung, si edhe në vitet e mëparshme, “rrejdhin informacionet” në lidhje me Galaxy S8. Sipas tyre, pritet që ekrani i telefonit të mos jetë i rrafshtë, por i lakuar. Gjithashtu, sensori i prekjes me gisht do të jetë optik dhe i vendosur në ekran. Besohet që pajisja do të ketë tre kamera, dy nga të cilat do të jenë në pjesën e pasme.
ma.me