Familjarë dhe të afërm, mes dhimbjes e lotëve, i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit babait të dy fëmijëve, 44-vjeçarit Artan Hoxha që u vra mëngjesin e djeshëm në punë, në një pikë karburanti, në Qafë Gjashtë të Sarandës kur 27-vjeçari narkoman Arqilea Koçi, 27-vjeç shkoi për të grabitur.
Në pikën e karburantit ku punonte të gjithë kanë mbetur të shokuar nga ngjarja, ndërsa kolegu i tij, dëshmitar në vrasje tregon momentet e grabitjes dhe arsyet pse personi i maskuar qëlloi mbi Artanin. Ai thotë Artani bashkë me Mandin, kamarieri ishin të ulur tek tavolina në mjediset e jashtme të lokalit. 34 vjeçari Arbër Katiraj tregon për News 24 se Artani u qëllua vetëm pse lëvizi nga vendi.
“Ndodhesha në zyrë në momentin kur erdhi një person me motor të kuq dhe dëgjova që tha: Kjo është grabitje. Lekët, lekët! Kamarieri Mandi dhe Artani ishin bashkë të ulur tek tavolina jashtë. Mandi, kamarieri u ngrit i pari dhe i tha nuk kam lekë me vete dhe iku me shpejtësi brenda. Në atë kohë Artani lëvizi, personi me skafandër në kokë nuk foli por qëlloi mbi të me armë dhe u fut me shpejtësi në lokal. Atje kamarieri i hodhi lekët që kishte në tokë. Hajduti i mblodhi ato në tokë dhe u largua. Hajduti nuk dinte që isha edhe unë brenda në zyrë, se ndoshta edhe mbi mua do kish qëlluar”.
44-vjeçari Artan Hoxha, ishte punësuar prej disa kohësh në karburantin ku la frymën e fundit, ndërkohë që vëllai i tij kishte marrë me qira një lavazh në të njëjtin vend. Viktima ishte prind i dy fëmijëve, një djali 21-vjeçar dhe një vajze. Gjendja ekonomike e familjes së tij ishte e vështirë, këtë vështirësi dyfishonte sëmundja e rëndë e vajzës së tij.
NGJARJA
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.55 të së dielës, kur një person që drejtonte një motor të kuq dhe me skafandër në kokë ka hyrë në lokalin e karburantit ku punonte Artan Hoxha, 44-vjeç, banues në fshatin
Gjashtë. Në ato momente në lokalin “Shmel” ndodheshin dy punonjësit e lokalit dhe punonjësi i karburantit, Artan Hoxha, i cili qëndronte vetëm, disi i përgjumur. Nën kërcënimin e një arme gjahu, çifte, grabitësi ka arritur të marrë rreth 60.000 lekë të reja nga banakieri. Teksa po largohej, ai ka marrë cigare dhe çamçakëza në ekspozitor, por i kanë rënë në tokë disa nga paratë që mbante në dorë. Pasi ka marrë nga toka paratë dhe teksa po dilte, nga tavolina ka lëvizur 44- vjeçari Artan Hoxha.
Lëvizja e tij e ka trembur grabitësin, i cili e ka goditur pa paralajmërim drejt e në gjoks dhe është larguar me vrap duke marrë motorin për të dalë në rrugën kryesore me drejtim qytetin e Sarandës. 44-vjeçari Hoxha është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, por ka mbërritur i vdekur. Përmes pamjeve filmike të karburantit dhe bizneseve fqinje, por edhe dëshmive, është arritur në identifikimin e të dyshuarit, pikërisht shtetasit Arqilea Koçi, 27-vjeç, banues në Qeparo, i skeduar si përdorues i lëndëve narkotike. Hetimet e shpejta kanë konkluduar edhe në zbulimin e lidhjeve shoqërore të të dyshuarit, konkretisht në emrin e mikut të tij, Mihal Leka, 33-vjeç, banues në Sarandë. Policia ka ushtruar menjëherë kontroll në banesën e këtij të fundit në lagjen nr.4 të Sarandës, ku ka zbuluar armën e krimit, motorin, skafandrën dhe një sasi të vogël lënde narkotike, por jo Lekën dhe të dyshuarin e vrasjes, Arqilea Koçi.
Për këtë është organizuar një tjetër operacion, disa dhjetëra metra larg banesës, konkretisht në një hotel për të cilin ishte marrë informacion se fshiheshin dy shokët. Operacioni ka rezultuar i suksesshëm, duke çuar në arrestimin e 27- vjeçarit Arqilea Koçi dhe 33-vjeçarit Mihal Leka. Brenda në dhomë policia ka gjetur dhe sekuestruar një pjesë të parave të grabitura si dhe një fishek çifteje në rrobat e autorit./a.k