Grupi i dytë i punëtorëve, të cilët u arrestuan 4 ditë më parë në magazinën e drogës në Mirditë, kanë dalë dje para Gjykatës së Lezhës për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.
Seanca në ngarkim të 11 të pandehurve është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa ata kanë mbërritur në Gjykatë njëri pas tjetrit. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se 3 nga 11 të ndaluarit janë lënë në burg, ndërsa 8 të tjerët në detyrim paraqitjeje.
Edhe pse të gjithë kanë deklaruar se janë thjesht punëtorë të fabrikës dhe se janë punësuar për të marrë çdo ditë shumën prej 2 mijë lekësh të rinj, Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorit të çështjes për të lënë në arrest me burg 5 nga 22 të ndaluarit.
Nuk dihet se cila ka qenë lidhja që kanë pasur mes tyre pronari i magazinës apo i lëndës narkotike me personat që janë lënë në arrest me burg, por gjithçka lidhet me faktin se udhëtimi i tyre drejt Mirditës vlerësohet se nuk ka qenë i rastësishëm dhe se ata nuk po bashkëpunojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal.
Mes personave që Gjykata vendosi t’i lërë në burg është edhe shtetasi Ramo Gaba nga Lazari. Sipas hetimeve, ky i fundit jetonte në qytetin e Rrëshenit prej të paktën një muaji. Ai kishte vënë në shërbim të pronarëve të magazinës eksperiencën e tij në lidhje me tharjen dhe më pas paketimin e lëndës narkotike.
Një ditë më parë në burg mbetën dhe Erald Zaimi, 24 vjeç, nga Lushnja dhe Gjet Ndoj, 23 vjeç, nga Fushë Mamurrasi i Kurbinit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditur emrat e 2 personave të tjerë që do të mbeten me masë sigurie arrest me burg.
Edhe gjysma tjetër e punëtorëve, të cilët u paraqitën në Gjykatë gjatë ditës së djeshme, nuk kishin marrë avokat mbrojtës për shkak se, sipas tyre, nuk kishin mundësi ekonomike për t’i paguar. Gjykata e Lezhës i ka zhvilluar seancat me dyer të mbyllura, duke mos komunikuar me mediat në lidhje me masat e dhëna. Jashtë ambienteve të Gjykatës ka pasur shumë familjarë të tyre.
Ata kanë kërkuar lirimin e të ndaluarve, pasi asnjëri prej tyre nuk ka kryer vepër penale. “Kanë shkuar për të punuar, për të siguruar bukën e gojës, pasi nuk kishin asnjë të ardhur për të mbajtur familjet e tyre”, thanë familjarët. Të 22 të ndaluarit u arrestuan në flagrancë, teksa punonin në magazinën e drogës, e cila u zbulua në dalje të qytetit të Rrëshenit, ndërsa Policia sekuestroi 4.2 tonë drogë, e cila ishte në proces tharjeje.
Aktualisht është në kërkim personi i akuzuar si pronar i magazinës së drogës, Kastriot Reçi. Familjarët e tij deklaruan në polici se ambienti në pronësi të familjes Reçi, në zonën e ish-pularisë së qytetit, është dhënë me qira te persona të tjerë./panorama/a.k