Zbardhen detaje nga dhuna e kërcënimi i adoleshentit në mes të Tiranës nga dy 26-vjeçarë, që më pas edhe e kanë grabitur. Ngjarja ka ndodhur të shtunën në rrugën “Ibrahim Rrugova”, pranë “Shallvareve”, në kryeqytet.
Burime nga Policia thanë për “Panorama” se 18-vjeçari, me iniciale F.Sh., ka denoncuar ngjarjen në Komisariatin nr.2, që ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave, si dhe kapjen e dy autorëve tashmë të identifikuar.
Mësohet se të dyshuarit janë shtetasit me iniciale A.Z. dhe E.E., të dy 26-vjeçarë, banues në Tiranë. Adoleshenti ka kallëzuar se ka qenë duke shkuar në shtëpi kur dy autorët, që ai thotë se i njeh, i kanë dalë para dhe e kanë goditur me grusht.
Më pas i kanë marrë telefonin dhe 2 bizhuteri floriri, një varëse dhe një byzylyk që ai kishte në dorë. Para se të largoheshin, autorët e kanë kërcënuar me një objekt të fortë, që i dëmtuari thotë se nuk e ka parë, por dyshon se mund të ketë qenë ndonjë thikë, duke i kërkuar paratë.
Rrahja për një borxh
Por duke qenë se ai nuk kishte para me vete, autorët e kanë goditur edhe një herë me grusht dhe janë larguar. Burimet thanë se, fillimisht adoleshenti F.Sh., e ka denoncuar ngjarjen si grabitje.
Ndërsa më vonë, teksa jepte deklarime në Komisariatin nr.2, ai ka thënë se i njihte dy autorët, të cilëve u kishte marrë borxh rreth 100 mijë lekë para disa javësh.
Sipas tij, paratë ia kishte dhënë borxh njëri prej tyre, i cili i kishte thënë se duhej t’ia kthente për pak kohë, por adoleshenti ka pohuar se nuk i kishte gjetur dot dhe për këtë arsye nuk kishte arritur ta kthente në kohë borxhin.
Burimet thanë se kjo dyshohet të ketë qenë arsyeja e sulmit dhe kanosjes nga ana e dy autorëve, që megjithatë po hetohen për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim dhe kanosje.
“U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve A.Z. dhe E.E., banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën ‘Ibrahim Rrugova’ kanë goditur me grusht, i kanë marrë 1 telefon dhe 2 bizhuteri shtetasit F.Sh., 18 vjeç, banues në Tiranë dhe e kanë kanosur duke i kërkuar një sasi lekësh”, tha Policia e Tiranës në njoftimin e saj zyrtar. Autorët nuk janë ndaluar ende nga Policia, por po punohet për kapjen e tyre./a.k