Këto janë pamjet e publikuara nga policia, që tregojnë momentin sesi 27 vjeçari Arqile Koçi, qëllon me çifte gjahu punonjësin e pikës së karburantit në Sarandë, 44 vjeçarin Artan Hoxha.
I riu mbërrin me motorrin e tij të kuq dhe menjëherë i drejton armën 44 vjeçarit i cili në ato momente po qëndronte i ulur në tavolinën jashtë karburantit. (Momenti i të shtënave është hequr për arsye etike.) Më pas, Koçi futet brenda karburantit ku mer edhe shumën prej 60 mijë lekëve të reja dhe me qetësi largohet me motorin e tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit ndërsa 27 vjeçari u arrestua disa orë më pas në një hotel të qytetit të Sarandës.
6 grabitje në muajin tetor nëpër karburantet e vendit… të gjitha natën
Në muajin tetor në vend janë shënuar 6 grabitje të tilla natën, 4 prej të cilave të kryera nga një person i vetëm, gardisti Geraldo Kuçi. Ky i fundit i terrorizonte punonjësit me një armë lodër, u merrte xhiron e punës ose edhe celularët.
Në fund të muajit tetor u grabit po ashtu edhe një pikë karburanti në autostradën Tiranë Durrës, pranë mbikalimit të Kasharit, ku dy persona të armatosur vodhën kasafortën me rreth 1 milionë lekë të reja brenda. Në të njëjtën ditë, më 31 tetor, në Krujë- Krastë, 3 persona grabitën një tjetër pikë karburanti.
Propozimi i Tahirit
Numri i grabitjeve natën të karburanteve ka patur dukshëm një shtim muajt e fundit dhe për këtë çështje, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka adresuar e apeluar për të dhënë një zgjidhje. Propozimi i Tahirit ka qenë që në orët e vona të natës në pikat e karburanteve të mos ketë më punonjës, por shërbimi të kryhet përmes kartave nga ana e vetë qytetarëve. Tahiri gjithashtu ka kërkuar edhe instalimin e kamerave me rezilucion të lartë për identifikimin më të lehtë dhe të shpejtë të grabitësve, si dhe ndërlidhjen e pikavë të karburantit me policinë./java/a.k