Kryeministri Edi Rama ka folur në “komunikimin e javës” në rrjetin e tij social për përfundimin e procesit të aplikimeve të këtij viti nëpër universitete. Kryeministri i është referuar akuzave të ngritura nga PD, se sistemi i ri i aplikuar nga qeveria do të ishte një dështim, duke kthyer përgjigje përmes një frazeologjie.
“Edhe një herë është barsur mali, por në fund, nuk ka pjellë dot as edhe një mi! Vetëm deklarata boshe, vetëm inkursione boshe, zero përgjegjshmëri!”– tha Rama duke ironizuar të gjitha akuzat e PD-së.
Kryeministri ka shtuar se akuzat e PD-së ishin dukshëm një propagandë kazani, që nuk ka asnjë lidhje me rezultatet që ka prodhuar sistemi i ri i regjistrimit nëpër universitete.
“Ka përfunduar me sukses regjistrimi në universitet me sistemin e ri elektronik në zbatim të reformës së arsimit të lartë. Edhe një herë zhurma coroditëse e jkazanit të mbrapshtë ka rezultuar një bllof i madh. Viktimat e kësaj rradhe ishin fatkeqësisht maturantët dhe familjarët…. të shqetësuar përmes propagandimit të bllofit të kazanit opozitar. Opozita e shpërdoroi brutalisht të vërtetën, shpifje pas shpifjesh e akuza pas akuzash!
Sot pasqyra përfundimtare e regjistrimeve tregon edhe suksesin e procesit por edhe deformimin e madh politik, të atyre që e kanë kthyer opozitën ndaj qeverisë në një kazan që zien përditë broçkulla.
Për herë të parë në zbatim të reformës, universitetet private ju nënshtruan strikt të njëjtit proces si universitetet publike.
Ata thanë se ky sistem do të mbushte privatin dhe do të zbrazte publiket… por81% e maturantëve janë regjistruar në universitetet publike dhe vetëm 19% në ato private. Ata thanë se sistemi i ri do të ulte në minimume historike numrin e studentëve në universitete publike, por e vërteta është që nr i të regjistruarve është 5% më i lartë se vjet… numri i të regjistruarve në universitete private është në fakt 27% më pak se vjet…
Reforma në arsimin e lartë ka mundësuar kthimin e një kthese historike. Studentët e këtij viti të parë janë me plot gojën dallëndyshet e para që lajmërojnë pranverën e arsimit të lartë në Shqipëri. Ka padyshim shumë për të bërë që pranvera të vijë e plotë… madje duhet thënë se më e shumta është ende për tu bërë, por në arsim si në cdo sektor, është hedhur baza për të bërë një shtet serioz, që promovon konkurrencën dhe meritën.