Nga Shpëtim Nazarko
Do të mjaftonte një fjali e gazetarit të vjetër Shaban Murati për të kuptuar problemet e debatit të hapur së fundmi. Ndërsa gjithë gazetarët e Greqisë ju vërsulën Ramës duke mbrojtur vëndin e tyre, gjysma e gazetarëve shqiptarë bënë të kundërtën. Thuajse e njëjta pamje u krijua dhe pas vizitës së Ramës në Serbi një muaj më parë.
Gazetari i vjetër mund të shtonte këtu edhe gjysmën e politikanëve shqiptarë që bënë thuajse të njëjtën gjë. Më tipikët në këtë histori ishin Blushi dhe Islami.
U përpoqa dhe unë të futesha në këtë debat duke argumentuar të kundërtën. Po e pësova shumë keq. Brënda një ore shumica e portaleve e kishin trasformuar në të kundërtën opinionin e thënë në një prej televizoneve të vëndit. Është e dyta herë brënda një muaji që më ndodh kjo gjë. Nuk më mbetet vecse të dëshpërohem e të shoh se ku po përfundon shtypi i lirë që bashkëthemelova pas 1990-s.
A gaboi Rama në Serbi dhe Greqi, apo është në vijën e mjeshtrave të vjetër të të kaluarës si Noli e Konica në polemikë dhe në atë të Zogut në politikë ?
Mendoj se është pikërisht e dyta dhe po mundohem të argumentoj këtë gjë.
Do të mjaftonte vetëm një vështrim në historinë e shkurtër të shtetit, për të parë se vetëm Zogu në mesin e viteve 20 të shekullit që lamë pas, ka përfunduar marrëveshje dinjitoze me grekët. Po themi marrëveshje dhe jo debate se në këtë pikën e fundit mund të shtonim Hoxhën në diskutimin e njohur të Parist në 1946, ku përplas me Caldarisin.
Pse Rama është në traditën e mjeshtrave të vjetër në politikën e jashtme ?
Ka një rregull të thjeshtë që është e vlefshme në të gjitha fushat e veprimit pra jo vetëm atë diplomacisë por edhe atë ushtarake sport etj etj. Kjo rregull e thjeshtë thotë se nëse je më i vogël se të tjerët, nuk mund të hapësh dy vija fronti lufte njëherësh e vecanërisht kur kundërshtarët janë më të fuqishëm se ti. Një nga shëmbujt më gjenialë të zbatimit të kësaj rregulle bile dhe kur kundërshtarët janë më shumë se dy, gjëndet në betejat e fundit të Napoleonit kur koalicioni i madh po hynte në kufijtë e Francës dhe po marshonte drejt Parisit. I mbetur me një ushtri të rrënuar dhe të përbërë prej rekrutëve 15 -16 vjecarë, Perandori i vendosi trupat në qëndrën e një rrethi ku bashkoheshin lumenjtë më të mëdhenj të Francës përgjatë të cilëve po vinin forcat e kundërshtarit. Prej këtu ai kishte mundësinë ti vërvitej gjithë kundërshtarëve pa u përplasur asnjëherë me të gjithë bashkë.
Shëmbulli i sipërm thjeshtohet në rastin tonë. Të gjëndur historikisht në probleme me Serbinë dhe Greqinë, a mundet pavarësisht konjukturave të favorshme të hysh në diskutime me të dy njëherësh? Rregulla thotë jo, po a zbatoi Rama atë ?
Mbi një muaj më parë ai u takua me Vucic për të tretën herë. Nën sytë e Europianëve dhe vecanërisht të Gjermanisë që inicioi procesin e Berlinit, pa zbatimin e të cilit Shqipëria nuk i hap dot negociatat për anëtarësim në BE, Rama u soll shkëlqyeshëm në të gjitha planet. U theksoi serbëve historinë e Trepcës,e pastaj prefiksin telefonik dhe interkonjeksionin. Të gjitha këto probleme të vendosura në një rrafsh politik që u plazmua mirë, e detyruan vetë Vucicin të theksojë se është lojtar politik më i dobët se Rama.
Nëse kundërshtarët e këtij të fundit donin ta kritikonin për vizitën mund ti kishin thënë dicka krejt të kundërtën me cfarë i thanë. Cështja është pse Shqipëria është e pazonja të bëjë projekte e si rrjedhim merr shumë më pak fonde se Serbia. Po kjo është temë tjetër dhe padyshim shumë e rëndësishme për tu diskutuar. Në vënd të fokusosheshin këtu, analistët e të dy krahëve të kufirit filuan e të flasin për gjëra që nuk kanë lidhje me temën. Politika e Kosovës e kritikoi se po takohesh më shumë se duhej me Vucicin e po fliste në emër të Kosovës. Berisha mori yrysh më shumë dhe në vazhdën e politikës së vjetër hoxhiste e akuzoi si vasal të Serbisë etj brockulla të këtij lloji.
Po në thelbin e temës që po diskutojmë mund të themi se Serbia një nga kundërshtarët tanë historikë në momentin e dhënë, duket më pak agresiv dhe aq më pak i interesuar të ndihmojë në luftën e propagandës motrën e saj Greqinë.
Pikërisht pak pas këtij momenti me Serbinë vjen konflikti i ditëve të fundit. Mjeshtër jo vetëm i polemikës por dhe i goditjeve taktike me kosto minimale, Rama futi në lojë një gravurë të Akropolit që gjithsesi nuk ishte « mushka e famshme » e Daut Hoxhës që Greqia e pa si shkakun zyrtar për të hyrë në luftë me Shqipërinë.
Tollovia e shkaktuar këtej dhe andej kufirit u bë e madhe. Po para se të gjykojmë sjelljen e keqe në përgjithësi jo vetëm të shtypit tonë po dhe politikës (LSI u largua nga salla kur fliste Rama) le të shohim konsekuencat që vijnë nga kjo përplasje e re. Më e rënda prej tyre duket se u theksua prej Milos e kjo ka lidhje me veton e Greqisë ndaj përjekjeve tona në BE.
Po a mundet vërtet të ndodh kjo ? Ka shumë pak gjasa nëse flasim për një shtet që megjithë krizën e konomike që e ka mbërthyer, përsëri ka shumë më tepër se Shqipëria eksperienca në fushën e diplomacisë.
Për momentin Greqisë i duhen shumë veto. Së pari kundër Maqedonisë, pastaj Turqisë, pastaj Kosovës, Shqipërisë etj. Janë shumë për kurrizin e një shteti që i ka marrëdhëniet jo shumë mirë me BE dhe me ShBA për shkaqe së pari ekonomike e pastaj politike.
Mbeten realisht ato që quhen « manovra në zunkth » për tu hakmarrë, ku më e rrezikshmja është ajo e « politikës së fshesës » Kjo e fundit megjithë dhimbjen për fate individësh, nuk mundet kurrë të marrë përmasa që do të binin efekt të kundërtën për Greqinë në planin ndërkombëtar. Syrit të Europës që po heq vështirësi me emigrantët e paligjshëm, nuk do ti shpëtonte kurrë një veprim antiligjor e masiv kundër emigrantëve të ligjshëm. Në një plan më pragmatik gjykimi, Greqia e ka të pamundur të përdorë « fshesë » kundër të gjithë emigrantëve shqiptarë. Pavarësisht ndihmës që ka dhënë pas 90-s duke i pritur ata, ajo ka fituar po aq shumë qoftë edhe për shkak të punës së papaguar. Në një emisionet e BBC-së me të drejtë komentatori thoshte se për herë të parë nga koha e vjetër, Greqia po pajisesh me skllevër modernë që po rrisnin mirëqënien e saj. E në këtë plan gjykimi po pragmatik, heqja qafe e gjithë emigrantëve shqiptarë do të rrëzonte nga vetë afendikonjëtë grekë qeverinë që i privon nga këta njerëz që u shtojnë begatinë.
Të kthehemi tek tema. Po nëse Greqia i ka keq problemet jo vetëm me fqinjët por dhe me të mëdhenjtë e rruzullit si gjëndet Shqipëria në këtë plan ?
Jo vetëm me fqinjët e tjerë afër por dhe me ata me larg i ka të shkëlqyera. Dhe këtu duhet të fusim edhe BE dhe SHBA. Është padyshim koha më e artë e shtetit shqiptar në marrëdhëniet me botën që nga krijimi i tij.
Nuk ka as më të voglin dyshim për mua se momenti kur Rama përmëndi fort Cështjen came u bë brënda rregullave të arta të diplomacisë pa shkelur atë më kryesoren, hapja e zjarrit në dy fronte kur je më i vogël se të tjerët.
Po le të kthehemi edhe njëherë te konstatimi i gazetarit dhe diplomatit të vjetër
Shaban Murati e të pyesim pse palët analistë e politikanë këtej dhe andej kufirit u sollën keq me lëvizjet e Ramës në lidhje me Serbinë e Greqinë?
Shumica e analistëve kosovarë duke përfshirë edhe ata më të rëndësishmit e panë problemin në një kënd të ngushtë dhe larg diplomacisë apo realpolitikës. Shqipëria me kushtetutë është e detyruar të avancojë të gjithë të drejtat e bashkëkombsave të saj në mënyrë të pandërprerë. Po kjo duke ju përmbajtur rregullës që u theksua më sipër. Rama duhet të fliste me Vucicin për Kosovën, por duke pasur parasysh dhe Shqipërinë e së pari BE-në që nëpërmjet Berlinit i vështron palët nga sipër. Rama duhet të fliste për Kosovën duke pasur në sy dhe Cështjen shqiptare të Camërisë, Preshevën pastaj shqiptarët e Maqedonisë ata të Malit të Zi etj.
Po nëse gazetarët kosovarë janë në të drejtën e tyre për të parë fushë të një karakteri lokal, cfarë ndodhi me shumicën e analistëve tanë dhe një pjese të politikës ?
Nëse do ta formuloja akuzën në mënyrë të rëndë, rrënjën e arësyetimit do ta zhvendosja në vitin e largët 1992. Ajo që Berisha dhe të tijët nuk kuptuan ishte se marrja e pushtetit, nuk mund të jetë e njëjtë me atë të shkatërrimit të shtetit.
Megjithëse jam antienverist për të gjitha shkaqet e kësaj bote, nuk do të arrij kurrë të kuptoj sjelljen e shtetit të asaj kohe e dhënë kjo në një shëmbull të thjeshtë. I detyruar të merrte arratinë thjesht edhe për bukë goje, ish ministri i mbrojtjes Kico Mustaqi punonte roje nate ne një kalibe greke. Mund ta fusje fare mirë në burg në vëndin e tij këtë njeri që kish në dorë shumë sekrete për shkak të detyrës dikur, por kurrë ta hidhje në mëshirë të një vëndi tjetër, qofë ky edhe mik.
Në të vërtetë fatin e Kico Mustaqit e pati shumica e gazetarëve analistëve apo politikanëve të opozitës së asaj kohe e cila u strehua thuajse e gjitha në vëndin fqinj.
Kishim hedhur kështu themelet e një politike të pistë që edhe nëse nuk do të angazhohesh ti bënte dëm vëndit të tyre, do të ulte sytë kur ti kërkonin gjëra që duhet të ishe i nënshtruar tja plotësoje.
Një pjesë e analistëtve politikanëve tanë kanë turp ti hedhin sytë kësaj periudhe dhe vendosin ta trajtojnë problemin e krijuar nga Rama në një sens tjetër. E quajnë, narcist, nacionalist apo ja mbathin nga salla sic ishte rasti i LSI-së kur ai foli për cështjet me Greqinë. Natyrisht LSI e shikon afrimin e PS-së me PDIU jo mirë, po kjo nuk përbën asnjë motiv për tu sjellë kështu.
Blushi e quajti këtë nacionalizëm që kërkon vota. Ka një diferencë midis nacionalizmit dhe realpolitikës. Nacionalizëm mund ta quaje fjalimim e Berishës në koferencën e Mynihut ku Shqipëria e tij duhet të cante rrethimin e ardhur nga ekonomia e keqe dhe mjaft probleme të tjera që dihen. Këtë përpjekje analoge nacionaliste e ka bërë dhe Hoxha pas prishjes me Kinën aty nga 1979 kur ekonomia po merrte të tatëpjetën. Rezultati i këtyre përpjekjeve fatkeqe dihet.
Rasti i Ramës është pak më ndryshe. Ka marrëdhënie të shkëlqyera me rajonin BE dhe SHBA dhe përpiqet nëpërmjet këtyre marrëdhënieve të avancojë problemet e kombëtare dhe ekonominë e vëndit të tij duke shfrytëzuar procesin e Berlinit.
Po nëse mes këtyre lëvizjeve arrin të forcojë edhe marrëdhëniet me një faktor partiak si PDIU kjo është punë e tij që më së pari duhet vlerësuar nga PS . Ne nuk na hyn aspak në punë kjo strategji e tij. Në një sy të ftohtë mund ta vlerësojmë dyfish në planin individual si lojtar skakiere. Nëse në planin diplomatik arrin të kërkojë Cështjen came pa hapur zjarr në shumë fronte, në atë të brëndshëm forcon radhët e tij apo të koalicionit që ka zgjedhur. Një lëvizje quhet e mirë kur plotëson më tepër se një funksion. Dhe kjo që Rama bëri me Greqinë apo PDIU mund të quhet e tillë.
Duke e mbyllur këtë artikull mund të them dicka për arësyen e të shkruarit të tij. Dal shumë rrallw në ndonjë televizon, sic është rasti i djeshëm për të komentuar konfliktin me Greqinë të cilin portalet e shtrëmbëruan, cka më detyron ti përgënjeshtroj. Kam vendosur prej kohësh të mos shkruaj edhe sepse mendoj që nuk sjell ndonjë dobi. Nga ana tjetër nuk është se më pëlqen aq shumë ajo që bën Rama, cka të pengon ti shprehësh lëvdatat edhe kur ai punon mirë. Gjithnjë besoj se një analist shumë i mirë qoftë edhe për shkak të jetëgjatësisë në punë, është shpesh shumë më i dobishëm për njerëzit apo edhe shumë më i rëndësishëm se një ministër apo kryeministër sidoqë ta ketë emrin ky i fundit. Në fakt goditja ndaj Ramës, në cdo rast është bërë një farë sporti kombëtar. Mendoj se për ta goditur realisht atë së pari duhet të zgjedhësh retorikën sepse është vetë një polemist i klasit të parë. Nga ana tjetër duhet ti zgjedhësh po aq mirë argumentat. Ndryshe për Ramën shërben si ata ngritësat në sportin e volejbollit që e lejojnë goditësin të të shëmbë përdhe duke shkaktuar nënqeshjen e të tjerëve.