Nga Anri Bala/
LSI nuk është konsensuale vetëm kur kërkon në parim dakordësinë e të gjithëve për çdo gjë, po edhe kur merr konkretisht llokmat e veta në bakllavanë e qeverisë dhe në revaninë e Presidentit.
Bujar Nishani duket se ka rënë në ujdi me Ilir Metën për t’i bërë qokën e radhës bamirësit të tij Sali Berisha dhe forcave më regresive në sistemin gjyqësor. Një gur dy zogj: Edhe rreshtim familjarësh në majat e drejtësisë edhe mobilizim antivetting në radhët e drejtësisë! Bashkëpunimi i Manjanit të LSI në këtë goditje të ulët dhe të dyfishtë ndaj sistemit dhe vettingut, ka qenë i plotë. Apeli ka rënë edhe më thellë në batakun e klientelizmit që ka mbytur drejtësinë. KLD e Nishanit dhe Manjanit ka promovuar për gjyqtarë në Apel dy bashkëshortë të dy anëtarëve aktualë të KLD-së, Gert Hoxha dhe Eneida Civici! Kjo nuk është shaka, po është e vërteta e frikshme e asaj që ka ndodhur. Dy bashkëshortë, që të dy anëtarëve të KLD, kanë votuar bashkë me Nishanin dhe Manjanin për të rritur në detyrë bashkëshortin e bashkëshorten e tyre! Njëra nga bashkëshortet që ka marrë vlerësimin e lartë nga burri i saj, është gruaja e gjyqtarit Gert Hoxha, njëkohësisht Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve… I cili paradite jep për gruan e tij votën e vet, të Nishanit, të Manjanit e me radhë dhe pasdite mbledh Asamblenë e Unionit ku deklaron antikushtetueshmërinë e ligjit të Vetingut!
Kështu edhe njëherë LSI është përfituesja e dyfishtë falë dy fytyrave që ka për hir të konsensusit: Nga një anë voton reformën dhe nga ana tjetër voton ata që e pengojnë reformën! Edhe me qeverinë edhe me Nishanin, po vetëm për xhepin e saj. Ashtu siç e thotë vetë Ilir Meta “LSI nuk do konflikt, do harmoni!”…/Zathur