Nga Mero Baze/
Rezultati i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 21 Qershorit nuk është vetëm humbje pushteti, por fillimi i humbjes së shpresës se ajo parti mund të ringrihet. Duke fshehur nga publiku plagën e marrë më 23 qershor 2013 dhe duke shmangur përballjen me problemin që ajo ka, në të vërtetë degradoi më keq. Për të shmangur një linçim të tij dhe familjes së tij nga demokratët, si shkaktari kryesor i degradimit politik të asaj partie, Sali Berisha ende pa dorëzuar zyrtarisht pushtetin si kryeministër, bëri “adetet” e ruajtjes së partisë si pronë private. Vera e vitit 2013 do të mbahet mend për VKM-të e tij të shëmtuara, që duke ikur shkëputnin ndonjë copë nga pasuritë e Shqipërisë duke ia dhënë kujt i kishte ngelur borxh familja e tij dhe për zgjedhjet false në PD, që zëvendësuan formalisht Berishën me Bashën për të siguruar që ai nuk do të prekej. Aktet e shëmtuara të verës së vitit 2013 dhe legjitimimi i tyre, i hoqën PD-së shansin të formonte një lider që të përballej me Sali Berishën dhe të niste historinë e tij të re në krye të PD-së. Ky është dhe problemi themelor që ka ajo parti. Kështu siç është, ajo është një parti e Sali Berishës dhe debatet e deritanishme janë qesharake, pasi janë në stilin e autokritikave të Partisë së Punës. Ajo parti nuk ka problem kush bën autokritikën më të mirë, apo kush e gjen pse kanë humbur kaq thellë. Ajo parti e ka problemin se Sali Berisha dhe familja e tij komandojnë gjithçka dhe pavarësisht debateve, në korridoret e PD-së do vërtiten njerëz të Saliut, Shkëlzenit, Argitës e Lirisë. Dhe të kesh kopjet e të paaftëve dhe të inkriminuarëve në krye, është më keq se të kesh origjinalët e tyre.
Për këtë arsye, e vetmja rrugë logjike, e drejtë dhe shpëtimtare për Partinë Demokratike është rithemelimi i saj mbi një kontratë të re politike me shqiptarët, por dhe me të djathtën shqiptare.
Shumë parti të mëdha antikomuniste të lindjes u shuan nga këmbëngulja e liderëve të tipit Berisha për t’i mbajtur pronë të tyre, ndërsa në Perëndim shumë parti të djathta janë rithemeluar disa herë për të mbijetuar.
Në fund të vitit 2002 partia e Zhak Shirakut u vetëshpërnda dhe u rithemelua duke u bashkuar dhe me dy fraksione të tjera të së djathtës dhe ia doli deri në vitin 2015, kur rikthimi i Sarkozisë e rithemloi sërish duke e kthyer në Parti Republikane.
Berluskoni shkriu Forza Italia dhe sërish ia doli të mbijetonte.
Rithemelimi i partive të djathta, u jep shans elitave të reja politike të përballen me autoritarizmin dhe plagët që lënë në histori lider si Berisha, i cili tani është një mbetje toksiske për PD-në, që duhet sistemuar me kujdes pasi bën dëm kudo që ta lësh. Por, dëmin më të madh e bën nëse e vendos diku ku ai të ketë mundësi të helmojë brezat e rinj në PD.
Rithemelimi i PD-së heq dilemat se kush do ta drejtojë atë parti, pasi ofrohen vlera të reja jashtë çdo paragjykimi dhe mobilizojnë faktorë të eleminuar apo anashkaluar nga drejtuesit dezhurn aktualë, që e katandisën në një parti qesharake, me figurina që një parti serioze s’do t’i kishte punësuar as si roje dhe shoferë.
Rithemelimi do të afronte jo vetëm vlera të vjetra historike të PD-së, si garanci e ide të identitetit të saj, por ambicioz të rinj, plot energji si Bojaxhiu, të cilët janë larguar nga PD-ja për arsye thjesht klienteliste.
Rithemelimi ka shanse të heqë mëritë e reja që krijohen nga këto autokritikat pa bukë, të cilat vërtiten të gjitha rreth Sali Berishës dhe “gabimit” që ai i besoi Lulit dhe jo atyre që kritikojnë.
Rithemelimi heq drojën për të goditur Berishën siç e meriton dhe për t’ia lënë atë historisë së PD-së. Ndryshe, kështu siç po shkon, Berisha do të vazhdojë të jetë më shumë një aset politik i Edi Ramës dhe Ilir Metës sesa një pasuri e PD-së. Ai është realisht një e keqe e pandëshkuar nga asnjë palë dhe si i tillë, ai vazhdon të jetë një e keqe që bën dëm. Ai bën dëm në PD, duke e bërë atë parti çdo ditë e më të pashpresë, i bën dëm vendit pasi inkurajon çdo njeri që bën krim që të mos ndëshkohet, derisa nuk është ndëshkuar ai. Dhe mbi të gjitha i bën dëm selisë së PD-së, pasi çdokush që merr frymë aty në emër të tij, është aty për të garantuar Berishën dhe jo të ardhmen e PD-së.
Nuk ka në asnjë histori të partive moderne një ringritje pa krijuar një trashëgimi të re politike, që s’ka lidhje me shkaktarin e humbjeve të mëdha apo me figura autoritare. Edhe Partia Komuniste e BRSS-së u desh të shpikte Hrushovin të godiste Stalinin, për t’i dhënë frymëmarrje të re një partie shtet.
Partitë e tjera moderne të Europës e kanë bërë me kohë këtë. Dhe e majta shqiptare e ka bërë. Edi Rama është në krye të PS-së jo si trashëgimi e Fatos Nanos, por si kundërshtar i tij. Kjo nuk do të thotë se ai nuk bashkëjeton me ish-nanoistët, por ata kanë pranuar betejën e Edi Ramës.
Rithemelimi duhet të tejkalojë këto autokritikat banale të tipit, na shitën komisionerët, nuk u mobilizuam sa duhet, e kanë fajin koordinatorët, u shmangën të vjetërit etj, broçkulla leniniste si këto. Partia është frymë, është energji politike që përfaqëson frymën opozitare të shoqërisë. Kjo parti që është, nuk ka asnjë lidhje me opozitën. Ata janë ca milionerë të rëndomtë, që nuk dinë as të investojnë paratë që kanë vjedhur dhe nuk kanë asnjë lidhje me opozitarizmin aktual në Shqipëri. Ata janë një racë dështakësh, që janë aty për llogari të tyre e për të recituar çfarë u shkruajnë. Askush prej tyre nuk flet dot pa letër, nuk pret dot të përgjigjet dhe nuk ka ndonjë betejë të tij për ta merituar atë vend. Ata thjesht duhen pastruar, pasi janë një grumbull njerëzish qesharakë, që gjysmën i komandon i biri i Saliut e gjysmën i biri i Xhaferit, meqë këtij Lulit i duket më i rëndësishëm vjehrri, se babai.
Me atë parti, Edi Rama dhe Ilir Meta qeverisin edhe 45 vjet në këtë vend, duke bërë vetë pozitën e opozitën, e duke e ruajtur si relike partinë e Saliut, ta kenë për të trembur popullin.
Rithemelimi sa më i shpejtë, i guximshëm dhe real është një shans për të përputhur frymën e protestës në shoqëri me frymën opozitare. Pastaj gara mund të prodhojë dhe shanse të reja për shqiptarët. Rithemelimi është dhe i vetmi shans që PD-ja të mos zhduket në mënyrë të turpshme nga skena siç ka nisur, por të kuptojë vet momentin historik për të ndryshuar nga një parti dështake (që i shërben si pasuri elektorale Edi Ramës), në një strukturë të re politike moderne opozitare, që mund të jetë problemi real i Edi Ramës në të ardhmen./TEMA/