Huatë me probleme kanë shënuar një ulje të lehtë në muajin shtator, duke zbritur në 21.3%, nga 21.4% që shënonin një muaj më parë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqiperise, në vlerë kreditë me probleme janë rreth 117 miliardë lekë, ose rreth 850 milionë euro, apo rreth 7.7% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB).
Banka e Shqipërisë është azhurnuar në një plan të ri masash shtesë, për të rikuperuar kredite me probleme. Themelore në këtë proces është provigjionimi i plotë i huave me probleme.
Banka e Shqipërisë njoftoi se do të nxisë bankat të provigjionojnë përtej vlerave minimale të përcaktuara në aktet rregullatore, në bazë të klasifikimit që i bëjnë kredimarrësit raporton ATA. Ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër, kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë, ajo garanton stabilitet më të qëndrueshëm të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve.
Nga këndvështrimi i mbikëqyrjes bankare, Banka e Shqipërisë po e trajton problemin në tre drejtime që kanë të bëjnë, së pari me forcimin e kritereve në banka për të zbutur ritmin e krijimit të kredive të reja me probleme; së dyti, me trajtimin e stokut të kredive me probleme dhe së treti, ruajtjen e nivelit të mirëkapitalizimit të bankave, gjatë këtij procesi./a.m.