Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, e asistuar dhe mbështetur edhe nga njësitet rajonale policore ka realizuar planin operativ të koduar “Nëntori”, i cili kishte për qëllim identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore.
Gjatë zbatimit të planit nga njësitet policore janë kontrolluar 32 lokale, të cilat përveç ushtrimit të veprimtarive legale, kishte dyshime për mundësi të shfrytëzimit të të njëjtave për trafikim me qenie njerëzore, njofton Policia e Kosovës.
Gjashtë nga këto lokale janë mbyllur nga inspektorët komunalë për mungesë dokumentacioni përkatës dhe kanë filluar procedurat e parapara ligjore.
Gjatë zbatimit të operacionit në lokalet e kontrolluara gjithashtu janë legjitimuar edhe 185 femra, shumica shtetase të huaja, nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, përgatiti Koha. (b.an)